Nga: Spartak Ngjela
Rasti i Gjykatës së Krujës është suksesi i parë publik i Prokurorisë se Posaçme Kundër Korrupsionit.
Por a do të vijojë?
Po, do të vijojë, sepse nuk ka logjikë që përgjimet e Prokurorisë së Posaçme të jenë përqendruar vetëm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë.
Duhet vënë në dukje që, deri tani, të korruptuarit kanë qenë të mbrojtur nga prokuroria e zakonshme.
Kurse, ndërkohë po vepron Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
l.
Rasti publik i goditjes penale në Gjykatën e Krujës ka krijuar impakt shumë pozitiv në opinionin publik shqiptar në këtë kohë parazgjedhore.
Zgjedhjet do t’u tregojnë shqiptarëve: ata do të shpëtojnë apo sërish do të dhunohen nga bandat që iu kanë uzurpuar shtetin?
Unë mendoj se në këtë kohë parazgjedhorë do të rritet intensiteti i goditjes antikorripsion kundër qarqeve të larta në politikën dhe drejtësinë e korruptuar.
ll.
Veprime të tilla do ta rindërtojnë personalitetin e individit në Shqipëri.
Korrupsioni i lartë ka fyer, ka dhunuar dhe ka përbuzur dinjitetin e shqiptarit në 30 vjet.
Kudo sheh vjedhje që i bëhet njeriut të thjeshtë nga nëpunësi i lartë i shtetit, ky është shteti shqiptar sot. Kudo.
Në të gjitha nivelet e administratës shtetërore, dhe të gjykatave.
Sigurisht, rasti i Gjykatës së Krujës është një rast shumë minor në krahasim me rastet e mëdha që po pritet të vijnë.
A ka filluar përgjimi, gjurmimi dhe hetimi për të gjithë ujqërit e korrupsionit shqiptar?
Është mirë të presim. Unë mendoj se kjo që sapo ndodhi me pastrimin e Gjykatës së Krujës nga akuzat penale të të korruptuarëve, duhet të jetë preludi i gjëmës ligjore që po i kanoset korrupsionit të të gjitha niveleve në Shqipëri.