Nga Paolo Mastrolilli, “La Stampa”/Torino- Një operacion në mediat sociale, për të ndikuar mbi zgjedhjet e përgjithshme italiane të 4 marsit është në zhvillim e sipër, sipas një raporti të marrë nga “La Stampa”, nga një ekspert ndërkombëtar mbi ndërhyrjet ruse në proceset zgjedhore në mbarë botën.
Raporti, e lidh këtë fushatë me operatorët rusë, dhe identifikon 5 llogari në Twitter, të përdorura për të përhapur propagandën politike përpara zgjedhjeve:@ DoctorWho744, @CorryLoddo, @lucamedico, @ Outis2000 dhe @Franco SuSarellu.
Të pesta llogaritë, kanë shpërndarë përmbajtje pro-ruse, si dhe postime që mbështesin fuqimisht lëvizjen kundër parisë politike italiane, “Pesë Yjet”, si dhe forcën e krahut të krahut të djathtë Lidhja e Veriut, dy parti italiane të dyshuara më parë për lidhje me Kremlinin.
Llogaritë dallohen qartazi, për shkak se ato nuk sillen si ato të përdoruesve të vërtetë në Twitter. Ata dërgojnë postime në çdo moment të ditës, nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 2 të natës.
Njëra prej këtyre llogarive kaloi nga mesatarisht 15 postime në ditë më 2015, në 105 më 2016-ën, dhe duke arritur kulmin me 125 në ditë vitin e kaluar. Në 65.000 postimet e kësaj llogarie, fjala Rusi shfaqet mbi 4.700 herë, pasuar nga ish-kryeministri Matteo Renzi, që përmendet mbi 4.000 herë; Vladimir Putin plot 1.465 herë; udhëheqësi i Pesë Yjeve, Beppe Grillo 966 herë; lideri i Lidhjes së Veriut Matteo Salvini 570 herë; dhe ish-kryeministri konservator Silvio Berlusconi 475 herë.
Përdoruesi ndërvepron gjithashtu me mediat, duke postuar 13.000 herë lajmet e agjencisë së lajmeve të mbështetur nga Kremlini, Sputnik, 1.100 herë postimet e WikiLeaks, dhe 735 herë postimet e të përditshmes italiane anti-parisë “Il fatto Quotidiano”.
Parapëlqimet politike të këtyre adresave, flasin për komunikimin e tyre me përdoruesit pro lëvizjes Pesë Yjet dhe pro Lidhjes së Veriut, duke hedhur thuajse 4.000 postime dhe ripostime të llogarive të njohura në Twitter, që janë të favorshme për të dyja partitë.
Personi që qëndron pas kësaj llogarie – identitetin e të cilës “La Stampa”, ka zgjedhur të mos e bëjë publik – ka dy llogari në Facebook, me dy synime të ndryshme:E para riposton automatikisht mesazhet e tij në Twitter, ndërsa e dyta ripublikon propagandën e gjetur tek grupet në FB që janë pro Lëvizjes Pesë Yjet. Ai gjithashtu pretendon të ketë një të dashur ruse. Këto modele, i japin hipotezës tonë më shumë besueshmëri.
Sipas një burimi anonim, i cili bëri kërkime të mëtejshme mbi modelin e llogarisë së përdorimit të mediave sociale, regjistri i aktivitetit për postimet është fshirë. Kjo tregon një vëmendje të kujdesshme ndaj detajeve, duke eliminuar të gjitha gjurmët e vendit nga ku janë botuar postimet, dhe nga cilat pajisje janë dërguar.
Burimi gjithashtu raportoi se llogaria e e-mailit të përdoruesit, pranon kryesisht e-maile të tipit spam, dhe dërgon vetëm disa mesazhe në vit, ndërsa llogaritë e tij në Facebook dhe Twitter, kanë kombinuar vetëm mesazhe me 10 persona gjatë 4 viteve të fundit.
Ndonëse përdoruesi mund të ketë fshirë të gjitha mesazhet e tij, dëshmitë tregojnë se ai nuk është thjesht një aktivist politik, por një profesionist që shpenzon orë të tëra çdo ditë në propagandën dixhitale.
Një tjetër përdorues në Twitter, i cili shpesh e maskon adresën e tij IP, dhe pretendon se banon në ishullin italian të Sardenjës, i ngjan më shumë një mashtruesi klasik në internet.
Në vend të kësaj, IP e tij e lokalizon shpesh atë në Torino apo në vende të tjera, duke treguar se ai ose udhëton shumë, ose po përdor VPN për të maskuar vendndodhjen e tij dhe për të mbrojtur privatësinë e tij – një taktikë e përdorur shpesh nga mashtruesit rusë me seli në Shën Petersburg, sikurse kanë raportuar disa agjenci të huaja të inteligjencës, dhe gazeta britanike “The Guardian”.
Ndërsa s’ka një dëshmi përfundimtare, për të provuar një marrëdhënie të drejtpërdrejtë mes këtyre llogarive, dhe një operacioni rus për të ndikuar mbi zgjedhjet italiane, këto modele i japin kësaj hipoteze më shumë besueshmëri.
Me mbi 160.000 postime, të botuara nga 5 llogaritë në Twitter, ky operacion mund të duket i vogël, por ka pasur operacione të një madhësie të ngjashme të ndërmarrë në vende të tjera.
Të dhëna të paanshme, tregojnë se llogaritë e lidhura me Rusinë, reaguan në Twitter mbi 450 milionë herë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA – dhe kjo pa llogaritur Facebook-un, ku postimet pro-ruse arritën tek miliona amerikanë.
Është e rëndësishme të shihet, nëse një fuqi e huaj po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet italiane në çdo nivel. Si qytetarë të një vendi demokratik, italianët kanë të drejtë të zgjedhin midis partive politike, dhe programeve të tyre zgjedhore.
Por nëse këto parti bashkëpunojnë me vendet e huaja, ose nëse synojnë të ndryshojnë aleancat e vendit, votuesit kanë të drejtë ta dinë këtë, dhe ta shprehin kundërshtimin e tyre në një debat publik.
PËRSHTATI TIRANA TODAY