Kryeministri Rama ka komentuar në lidhje me shkarkimin e Tahirit nëse ka patur lidhje me kultivimin e kanabisit apo jo. Ai thotë se kjo nuk ka patur asnjë arsye për këtë, duke e quajtur si një mundësi “zero”.
Kreu i qeverisë tha se qeveria që ai drejton i ka shpjeguar të gjithë arsyet e largimit të Tahirit, ndërsa shtoi se ka bërë thirrje që në muajin Janar që fenomeni i kultivimit të lëndëve narkotike do të marrë fund.
“Zero! I kam shpjeguar arsyet e vërteta. E kam thënë qysh në janar se ky është viti i fundit dhe i fitores përfundimtare të shtetit mbi këtë fenomen dhe fjala doli dhe fjala doli po ashtu kur rezultatet në zgjedhje. Falë përfshirjes me kohë të plotë të atyre që largova nga kabineti për t’u marrë vetëm me zgjedhjet dhe do të kisha bërë ndryshime edhe më shumë nëse do të kisha pasur arsye”-ka thënë Rama.
Sa i përket zgjedhjes së kryeprokurores Arta Marku, shefi i qeverisë ka shprehur mbështetjen ndaj saj, duke risjellë edhe njëherë qëndrimin e ndërkombëtarëve në lidhje me këtë procës. Gjithashtu Rama ka adresuar një përgjigje edhe për opozitën, në lidhje me akuzat se me zgjedhjen e kryeprokurores, ai do të mbyllë dosjet e mëdha të politikës si të dyshuar se kanë përfshirje dhe janë të lidhur me skema korrupsioni, por për Ramën ky pretendim i opozitës, nuk është aspak e vërtetë.
“Atëherë si ka mundësi që këta i kundërvihen si SHBA, ashtu edhe BE nëse do të ishte vërtet kaq flagrante zgjedhje e kryeprokurores duke shkelur Kushtetutën”-tha Rama. Së fundmi ai shtoi se ai nuk ka ndërhyrë asnjëherë edhe kur Prokuroria drejtohej nga Adriatik Llalla.