Nga: Agron Gjekmarkaj
Për fat të keq, në Shqipëri historia e së keqes përsëritet! Shkrimtari Stefan Çapaliku ka një libër, “Gjithkush çmendet sipas mënyrës së tij”. Te pushteti çmendet gjithmonë njësoj. Sulmi ndaj “Prestige Resort” në pronësi të “Hysenbelliu grup” nuk besoj që do të ndodhte nëse e njëjta kompani nuk do të kishte në pronësi “News 24”, gazetën “Panorama”, “Gazetën shqiptare” dhe portalin “Balkanweb”!
Dallëndyshja e pushtetit, çuar me hyxhym në detyrë për këso punësh, nuk u kujdes që t’i hedhë me delikatesë ‘glasat’ e saj si shenja dhune, era e keqe e të cilave do ndihet gjatë në raportet ndërkombëtare për lirinë e mediave, por ashtu toptan drejt e në thelë. Personalisht kam bashkëpunuar prej 12 vitesh me këtë grup mediatik i pacensuruar dhe i pakushtëzuar në opinionet e mia.
Këto media kanë krijuar një model lirie, duke lejuar flukset e mendimit, si të opozitës, ashtu edhe atë të pushtetit. Goditja anësore mbi një biznes ku në bazë të dokumenteve duken ndërtime me leje, në fakt është goditje thelbësore ndaj medias. Në një mënyrë më të sofistikuar po kthehemi mbrapsht në kohën kur digjej gazeta “Koha jonë”, digjej gazeta ashtu halldupshe se pronari Nikollë Lesi asokohe nuk kishte prona të tjera ku të bëhej me gjasme. Irfan Hysenbelliu ka.
Po ashtu, më vonë është goditur gazeta “Tema” dhe gjobitur Televizioni Kombëtar “Top Chanel” me 11 milionë euro si formë e pastër presioni e qeverisë së kohës, megjithëse më vonë kjo gjobë nuk u pagua. Dikur, vetë Kryeministri aktual Edi Rama, me gjasë qe rrahur brutalisht për qëndrimet, mendimet dhe fjalët dhe vështirë as kohë që dikush të besonte se ai vetë do godiste mediat, të cilat e shqetësojnë politikisht!
Kjo që po ndodh është një përsëritje e historisë, por pas 32 vitesh pluralizëm rikthimi te modelet e totalitarizmit është dramatik. Ngjarje kësodore lënë shenjë në ndërgjegjen kolektive. Qeveria duhet të tërhiqet sa më parë dhe të kompensojë dëmet e shkaktuara!!! Edi Rama duhet të tërhiqet, e kundërta e tërheqjes është minim i lirisë së mediave, minim i demokracisë.