Kryeministri Edi Rama ndodhet në Ersekë, ku ka takuar qytetarë të Kolonjës. Gjatë fjalës së tij, Rama nuk ka rëndësi bindja politike, por duhet votuar për njerëzit që do punojnë për ta bërë këtë vend.
Teksa përmendi Bashën, Rama tha se kreu i PD-së nuk ka lidhje me nevojat e vendit, prandaj ai nuk mund ta marrë drejtimin e tij.
Më tej, kryeministri thumboi LSI-në, për të cilën tha se nuk po kërkon timonin, por kërkon të marrë pjesë në drejtimin e tij për të plotësuar nevojat personale.
“Të tjerët mos i llogarisni, vota për tjerët është mundësi për të futur duart në xhepat tuaj. Forca që kanë krijuar kancerin e kapjes së administratës nga brenda duke kërcënuar që po nuk morën kaq drejtori, nuk e lënë shtetin të bëhet”, tha Rama duke lënë të kuptohet se më mirë është të votosh PD-në, por kurrsesi LSI-në.
FJALA E RAMËS:
Për ça shkojmë në votim? Për të vendosur kë do punësojmë në krye të punëve dhe kë do marrim në punë për të bërë punët tona, jo për të bërë tifozllëk. Nuk ka fare rëndësi ca bindjesh kemi, të majta apo të djathta.
Kur shkojmë te mjeku nuk i themi ca bindjesh ke, po i themi të lutem na ndihmo. Po kshu mund të marrim shembuj pa fund. Pse qenka ndryshe kur duhet të zgjedhim qeverinë?
Shikojini kush janë skuadrat që mund të zgjidhni: e jona që nuk ka bërë mrekullia. Kemi bërë shumë, por nuk është mjaft. Ama jemi të vetmit që dimë të bëjmë shtet. Si ka mundësi që demokratët të votojnë për PD-në, për Bashën kryeministër? Për Lulzim Bashën që deri para 2 javësh bënte thirrje për të carë goma, tani thotë jam kryeministër i ekonomisë. Basha dhe PD nuk mund të marrin drejtimin e vendit sepse nuk kanë lidhje me nevojat e vendit, me vendosmërinë që duhet për ta bërë këtë vend shtet. Nuk ka lidhje.
Nuk po flas për tjerët, që janë në kërkim jo të timonit të qeverisjes, por të votave për të pasur një dorë në timon e ta ndalojnë makinën sa herë duan për nevojat personale. Të tjerët mos i llogarisni, vota për tjerët është mundësi për të futur duart në xhepat tuaj. Forca që kanë krijuar kancerin e kapjes së administratës nga brenda duke kërcënuar që po nuk morën kaq drejtori, nuk e lënë shtetin të bëhet.
Fan Noli dhe tjerët do rrotullohen në varr nga sikleti për çdo votë të shkuar te partitë në dëm të shtetit./ Tirana Today