Kryeministri Rama ka pritur në zyrën e tij efektiven Ina Nuka, e cila u plagos gjatë protestës së 22 nëntorit. Ajo qëndroi për një muaj në spital, e ndërsa ndërhyrja rezultoi me sukses. Në bashkëbisedimin që pati me Ramën, Ina Nuka tha se falë fizioterapisë, do mund të kthejë shumë shpejt në funksion edhe dorën.
Gjatë takimit, pjesë e të cilit ishte edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, Rama deklaroi se do të akordohet një mbështetje financiare për efektiven Nuka.
Po kështu, ai sqaroi se për operacionet për rikuperimin e dorës është kujdesur edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.
“Fola edhe me ministrin, dhe do bëjmë një vendim qeverie për të dhënë një mbështetje financiare dhe morale, që të kesh ndjesinë e plotë të solidaritetit tonë dhe mundësinë që të rikuperohesh plotësisht dhe më pas të ri-integrohesh. Besoj do fillosh edhe punën, me një detyrë më të lehtë si fillim, pastaj shohim”, u shpreh Rama.