Nga qyteti i Lezhës ku diskutoi mbi turizmin, kryeministri Rama u ndal edhe tek masakra e Selenicës, ku mbetën të vrarë 8 persona. Duke vënë theksin tek statistikat, sa i përket vrasjeve, kryeministri foli për shifra në ulje.
“Përsa i përket sigurisë, kemi sezonin turistik me shifrat më pozitive. Në rast se nuk do të kishim atë tragjedinë e Vlorës, ku patëm 8 të vrarë, në një masakër haluçinante, do të kishim numrin më të ulët me diferencë të vrasjeve në këtë periudhë. Pa llogaritur faktin që kemi qenë efektivë me këto krimet e vogla”, tha kryeministri.
Pak ditë më parë doli edhe ekspertiza psikike për Ritvan Zykajn. Autori i masakrës në fshatin Resulaj në Selenicë të Vlorës nuk rezulton të jetë një person me probleme mendore.
Në këtë përfundim kanë arritur ekspertët mjeko-ligjor. Ekspertët kanë sqaruar se Zykaj nuk është kuruar ndonjëherë për probleme të tilla, dhe nuk rezulton të këtë as kartelë.
24-vjeçari vrau 8 pjesëtarë të fisit të tij, mes të cilëve edhe 2 të mitur. Ai u arrestua disa orë pasi kreu krimin, dhe aktualisht ndodhet në “arrest me burg” nga Gjykata e Vlorës.