Artan Fuga*/Në kushtet kur gjithandej bëhen trajtime ideologjike dhe politike, në kuadrin makrosocial të krizës politike të rëndë që ka kapluar Shqipërinë, e cila është bërë si një mollë e kuqe me krimbin brenda, ndihet mungesa e një përqasjeje teknike dhe menaxheriale.
Para sesa ta ofroj atë theksoj se unë mbetem i frymëzuar nga ideja e një “Republike të Re” që duhet të angazhojë të majtë dhe të djathtë, dhe që Lulzim Basha, miku im, po e artikulon i vetëm, për turpin tonë i vetëm, sepse as në të majtë, por as në të djathtë nuk ka një deputet a politikan që t’ia zërë emrin me gojë kësaj formule politike.
Mua më mjafton kjo, pra vetmia e tij në lidershipin politik, që ta shoh me entuziazëm dhe ta përkrah moralisht atë djalë në këtë pikë. Sikurse kam thënë në librin tim “Rrota e Mundimit”, trimi i mirë është i vetmuar, sepse trimi i mirë me shokë shumë nuk është veçse një “kapobandë”, në kuptimin e një “komandanti çete” dhe rob i shokëve të tij.
Në betejën e vërtetë shkohet vetëm, pas beteje, kur fiton bëhesh me shokë shumë.
Por, të kuptohemi, unë republikë të re nuk e dua thjesht për vete, ose për Lulzim Bashën, ose për partitë politike, por për qytetarin. Nëse ka një shans që mundësitë të jepeshin dhe “Republika e Re” nuk do të zbatohej si kontratë e re politike e shtetit me qytetarin sovran, do të thërrisja: “Tradhti”! Dhe nuk do të lija gurë që tradhtia ta paguante haraçin e vet.
Përqasja menaxheriale
Po propozoj një përqasje menaxheriale sepse shihet që mbi baza politike dhe ideologjike të dy palët në konflikt, pra nga njëra anë Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe nga ana tjetër Partia Demokratike nuk po arrijnë ta zgjidhin krizën politike që po na rrezikon ne qytetarët me kancer gjiri, më falni më keq akoma, me monizëm politik, si i vetmi vend evropian, ose në botë, me ndonjë përjashtim, që të bjerë në humnerën e një shekulli prapa. E pafalshme.
Çadra ka tre muaj po nuk e zgjidh problemin. E ka shtruar, por nuk po e zgjidh dot. Mitingjet janë madhështore por nuk duket se po japin rezultatin që ata dëshirojnë. Kryeministri nuk tërhiqet asnjë centimetër. Të huajt nuk u dëgjuan, madje mbi ta u derdh ironia e të dyja palëve. Data e zgjedhjeve po afron. Nesër vjen emisari amerikan dhe ndofta është shansi i fundit të shkojmë drejt një zgjidhjeje të arbitruar.
“Republika e Vjetër” me këtë krizë politike që ka prodhuar, kur në një muaj para zgjedhjeve kemi si prioritet diskutimesh dhe betejash politike se nëse do të këtë ose jo zgjedhje, po dëshmon se ajo e ka mbushur kupën, ka vrarë veten, po na zë brenda, është bërë qesharake, komike, idiote dhe madje edhe kriminale.
Ne qytetarëve na ka ardhur në majë të hundës me të.
Çfarë është këtu përqasja tekniko-menaxheriale? Ajo ndalet jo te një kuadër i përgjithshëm, por te analiza e lidershipit, pra e dy liderëve, duke shtruar pyetjen se sa ajo është në të mirë ose në të keq të karrierës së tyre? Le të thonë sa të duan se nuk kanë hallin e karrierës së tyre personale, një fitore jashtë suksesit personal sigurisht që do të ishte absurde. Përqasja menaxheriale jep rast të kuptohen mundësitë për një zgjidhje nga lidershipi sepse ajo tregon se çfarë fiton dhe çfarë humbet njëri nga dy personat që qëndrojnë në krye të ballafaqimit.
Unë po ua them miqësisht, pastaj ata le të bëjnë çfarë të duan me këtë përqasje.
Nëse në 18 qershor shkohet pa pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje, Shqipëria shkon drejtpërdrejt në një pushtet të paligjshëm. Na pret shkatërrimi. Unë e kam shumë seriozisht se më i interesuari nga të gjithë që kjo të mos ndodhë është bash Edi Rama. Unë nuk e di se çfarë i thonë miqtë, këshilltarët, kolegët e tij, por nuk më duhet kjo. Fare nuk më duhet! Unë di që nëse kjo ndodh ai nuk fiton asgjë prej kësaj dhe krijon rrezikun maksimal që t’i humbasë të gjitha. Shkon drejt opsionit më të keq të mundshëm menaxherial të një krize, pra shton në maksimum rreziqet dhe minimizon deri në infinit shanset e suksesit të tij personal.
Ai sigurisht do t’i fitojë zgjedhjet, por ato do të jenë po aq zgjedhje saç ishin tridhjetë a dyzet vjet më parë kur atë edhe mua na zgjonin në ora gjashtë të mëngjesit sazexhinjtë e lagjes për të na çuar përgjumësh dhe symbyllur drejt me pizhame nga shtrati te kutia e votimit.
Lulzim Basha ka të drejtë që i thotë se nuk do të ketë asnjë minutë jetë një pushtet i tillë. Sigurisht kryeministri, mund të sundojë edhe tridhjetë vjet, por problemi është se pushteti i tij nuk do të ketë as legjitimitet, as moral, as efikasitet. Kush e dëshiron një pushtet të tillë! Duhet të jesh i marrë ta pranosh! Mesa di unë në politikën shqiptare aq më pak në krye të saj nuk ka të marrë!
Pra, Edi Rama në votime pa opozitën shkon me sukses zero nga ana menaxheriale dhe me shanse dështimi maksimale.
Rreziku menaxherial
Mirëpo, në këto kushte ndodhet edhe Lulzim Basha. Nëse zgjedhjet e paligjshme bëhen, ai detyrohet të kalojë në një opozitë jo parlamentare. Jo më “Republikë të Re” nuk bën dot, por do të jetë edhe viktima e asaj që i kanë rezervuar politikanët para tij partive jo parlamentare. Shanse zero për t’u votuar. Ndërkaq do të ndjejë shumë shpejt se do të ketë vështirësi në fonde. Fatkeqësisht një pjesë e deputetëve aktualë do të shohin punën e tyre. Ata qysh tani nuk po ndihen dhe po presin se çfarë do të ndodhë. Ndërkaq edhe një pjesë e të rinjve me gjithë entuziazmin e tyre idealist të mrekullueshëm do të ndihen në karrierën e tyre politike pa perspektivë dhe ka rrezik të lodhen. Rreziku menaxherial ky është. Personeli mund të çedojë. Aq më shumë që Lulzim Basha duhet ta ketë ndjerë mirë se qysh më 19 qershor do të nisin në mos kanë shkuar në mes të rrugës, tratativat për krijimin e partive të reja brenda formacionit të tij. Idealistë ka pak nga ana e tij, arrivistë politikë, ose edhe njerëz që kanë ambicie të drejta në politikë ka shumë në Shqipëri.
Kështu edhe Lulzim Basha shkon drejt 18 qershorit fatkeqësisht nga pikëpamja menaxheriale me një situatë të pakëndshme, pra me rreziqe maksimale dhe shanse suksesi të minimizuara fort.
Duke u mbështetur në raportin evitim rrisqesh – rritje oportunitetesh të dy liderët janë në një situatë më se larg optimumit modelor. Duke kërkuar maksimumin në pretendimet e tyre rrezikojnë t’i ikin edhe optimumeve në aksionin e tyre politik.
Rama dhe Basha nuk heqin dorë
Po aq është me rreziqe maksimale tani që ndonjëri prej tyre të heqë dorë nga këmbënguljet e deritanishme. As Basha nuk heq dot dorë nga kërkesa për qeveri teknike, as Rama nuk heq dot dorë nga karrigia e kryeministrit. Kush e bën këtë jo vetëm që humb direkt zgjedhjet pa u futur akoma në to, por normalisht edhe ikën nga politika. Pra, edhe një tërheqje totale e njërit në favor të tjetrit, nga pikëpamja e teorisë menaxheriale është e pamundur, sepse për secilin është me risk maksimal dhe me oportunitete minimale.
Ndërkohë deri tani dy liderët, personalisht, në sfidën e tyre personale në politikë kanë vepruar duke minimizuar të gjitha risqet maksimale dhe kanë pasur avantazhe dhe arritje pra duke i rritur shanset e tyre maksimalisht.
Edi Rama po u tregon votuesve të tij se e meriton me rezistencën që bën, votën e tyre. Po anashkalon problemet që ka vendi, duke e tërhequr vëmendjen e opinionit te çadra e opozitës. Nuk ka humbur pikët te perëndimorët. Shpreson edhe në fushatën zgjedhore do ta ketë të lehtë para një kundërshtari të munguar.
Lulzim Basha arriti të bëhet kryetari i padiskutueshëm i demokratëve në partinë e tij dhe të artikulohet në publik si lideri i së djathtës, theu censurën e mediave të kontrolluara nga qeveria, si edhe nisi një fushatë reale tepër të gjetur. Doli e djathta nga rënia që pësoi. Ajo është sot gati të konkurrojë me fytyra dhe personalitete të reja rreth Lulzim Bashës.
Të dy palët pra ja kanë nxjerrë maksimalisht të mirat konjekturës politike të krizës së sotme. Kanë marrë gjithçka dhe tani rrezikon secili veç e veç ose të dy bashkë të humbasin gjithçka. Ama kjo ka vlerë deri tani. Pas 18 qershorit të dy kundërshtarët bien në zgjidhjen e keqe menaxheriale.
Është rasti për ta evituar 18 qershorin si ditë e fillimit të një monizmi që edhe pse nuk është dëshira e Edi Ramës, edhe unë i besoj kësaj sepse do të ishte marrëzi nga ana e tij po ta donte, do të ishte përsëri një fakt.
Sa fakte na kanë rënë dhe na bien mbi kurriz pa i dëshiruar! Po analizohen faktet dhe jo dëshirat!
Pra, duhet një formulë që të arrijë edhe suksesin e Lulzim Bashës edhe të Edi Ramës!
Përndryshe të gjitha ato që liderët kanë fituar deri tani do t’i humbasin ose kanë shanse maksimale t’i humbasin. Nga ana menaxheriale janë të pozicionuar keq.
Kjo formulë shpëtimi do të përfshinte:
- Ndryshime strukturore dhe funksionale në qeverinë qendrore
- Ndryshime dhe modifikime në kokë të administratës dhe në pushtetet lokale
- Ndryshime në ligjin zgjedhor.
Po e përsëris për të tretën herë që është e mundur që brenda këtij kuadri të gjendet zgjidhja ku të dy palët, pra të dy liderët të rrisin në optimum shanset e suksesit dhe të ulin në minimum risqet e disfatës totale.
Po e përsëris se ne, një grup universitarësh dhe akademikësh, që prej muajsh e ndjekim me vëmendje dhe me shqetësim krizën ku jemi futur politikisht, e kemi këtë formulë, jemi gati ta përpunojmë përfundimisht brenda një jave dhe t’ua japim forcave politike, të dy, tre, katër apo nuk e di sa liderëve kryesorë ose parlamentarëve që të zgjedhin atë që u përshtatet më mirë. Ftoj qytetarët që nëse arrijnë ta lexojnë këtë analizë të mërzitshme deri në fund ta përhapin, mbështesin, dhe ta zhvillojnë.
*Marrë nga profili zyrtar në Facebook i akademikut Artan Fuga