Kryeministri Edi Rama ishte sot në Qendrën e Urgjencës Kombëtare prej ku theksoi se është modernizuar shërbimi në këtë qendër.
“Për të gjithë ata që kanë pasur nevojën e Urgjencës Kombëtare, në këtë fazë transformimi epokal, asnjë nga fjalët që u tha sot nuk bie në tokë, vetëm pak orë pas tërmetit të 21 shtatorit, janë regjistruar në kompjuterët e Urgjencës 1600 thirrje të trajtuara dhe kanë marrë ndihmë në kohë reale 128 qytetarë të dëmtuar në Tiranë e Durrës.
Diçka që vetëm pak vite më parë do të ishte e pamendueshme dhe jo më e realizueshme, sepse pak vite më parë Urgjenca mjekësore e kishte të pamundur të trajtonte më shumë se tre raste në të njëjtën kohë. Sot stafi i Urgjencës është jo vetëm i mbështetur dhe dinjitoz, por edhe i mirëpërgatitur për të përballuar çdo gjë.
Ne duhet të vazhdojmë plotësimin e flotës sonë të autoambulancave, që është sot më aktive, por ka ende mangësi.
Na duhen edhe 55 autoambulanca të reja, që të kemi të mbuluar me katër rrota të gjithë nevojën për shërbim në Republikën e Shqipërisë.
Për këtë arsye, më 2020 do të bëhen të gjitha procedurat, që brenda vitit 2021 kjo çështje do të jetë e mbyllur.
Së shpejti do bëhet dhe një reformë tjetër, që do të garantojë një mbajtje dhe përdorim efikas të çdo leku të investuar.
Jemi shumë të vetëdijshëm edhe për faktin se përtej punës, përtej shërbimeve dhe efekteve pozitive në jetën e njerëzve, në Shqipëri kryhen 50 mijë operacione çdo vit dhe po të përfshijmë edhe lindjet e ndërhyrjet kirurgjikale, shkojnë në 90 mijë.
50 mijë njerëz hyjnë në thikë në Shqipëri.
Është koha të mendojmë që në sistemin tonë të Urgjencës të fusim edhe pjesën, që shërbimi i Urgjencës të mos jetë thjesht një shërbim për personat në nevojë, por edhe një pikë referimi për të denoncuar rastet e referimeve jashtë spitalit, rastet e recetave që shko bli këtu, e shko atje, kur ilaçet janë në spital”, tha Rama.