Dymbëdhjetë vite më parë, Tirana përjetoi për disa orë masat më të larta dhe të ashpra të sigurisë. Kjo pasi kryeqytetin shqiptar e vizitoi për herë të parë një president amerikan në detyrë, Xhorxh W.Bush. Autoritetet shqiptare angazhuan më shumë se 15 mijë forca të policisë dhe ushtrisë, ndërsa SHBA solli 2500 marinsa dhe qindra agjentë të sigurisë, të cilët patrulluan nga ajri dhe toka vizitën historike të shefit të Shtëpisë së Bardhë në Shqipëri.
Qytetarët, kishin marrë udhëzime të mos dilnin nëpër tarracat apo ballkonet e pallateve të tyre. Disa qytetarë që u kapën duke filmuar, u shoqëruan në polici, ndërsa probleme patën edhe punonjësit e një televizioni privat që u ngjitën në tarracën e godinës, për të rregulluar një defekt teknik të antenës së transmetimit.
Në lartësi të konsiderueshme tri skuadra avionësh gjuajtës F16, kontrolluan gjatë gjithë kohës hapësirën ajrore shqiptare, dhe mbajtën nën vëzhgim të gjitha lëvizjet. Antiterrori dhe SHISH, mbajtën nën vëzhgim të gjithë persona e dyshimtë, për shkak të pikëpamjeve radikale anti-amerikane, mes tyre edhe imamin e Krujës, Olsi Veseli.
Ai rezultonte të ishte një ndër personat e skeduar nga CIA, ndaj u mbajt nën vëzhgim për orë të tëra. Në përgjithësi, qytetarët e pritën me entuziazëm vizitën e presidentit amerikan. Agjentët e policisë vëzhguan të gjitha hotelet e Tiranës. Kjo masë u ndërmor për të kontrolluar të gjitha lëvizjet e shtetasve të huaj, që ndodheshin atë ditë në kryeqytet.
Ndër reagimet e pakta kundër, ishte një protestë e një grupi komunistësh nga qyteti i Rrëshenit, të cilët vendosën nëpër rrugë disa pankarta me thirrje kundër Xhorxh Bushit.
Presidenti amerikan, mbërriti në aeroportin e Rinasit mëngjesin e 7 qershorit 2007. Policia kishte pastruar paraprakisht të gjithë perimetrin e rrugës nga Rinasi në Tiranë. Eskorta e presidentit amerikan, përbëhej prej 30 makinash të blinduara. Ajo lëvizi me shpejtësi, brenda 5 minutash hyri në Tiranë, dhe u drejtua fillimisht në Pallatin e Brigadave, ku u prit në një ceremoni solemne nga presidenti shqiptar Alfred Mosiu.
Bush u nderua me 21 të shtëna topi, një nder që u rezervohet zakonisht personaliteteve më të larta. Në fund të takimit të rastit, presidenti amerikan u nderua nga Moisiu me medaljen më të lartë të shtetit shqiptar “Urdhri i Flamurit”. Më pas, Bush u prit në kryeministri në një takim nga kryeministri i atëhershëm Sali Berisha, me të cilin dha një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në fjalën e tij, Bush vlerësoi lart marrëdhëniet mes dy vendeve, teksa falënderoi disa herë Shqipërinë për kontributin në luftën terrorizimit, duke dërguar trupat e saj përkrah atyre amerikane në Agfanistan dhe Irak. Por deklarata më e rëndësishme ishte paralajmërimi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe mbështetja për anëtarësimin e afërt të Shqipërisë në NATO.
Dhe në fakt 8 muaj më vonë, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia, gati 9 vite pas fundit të luftës së përgjakshme, dhe Shtetet e Bashkuara ishin vendi i parë i rëndësishëm në botë që deklaroi njohjen e atij akti. Më pak se 2 muaj më vonë, në Samitin e NATO-s në Bukuresht, Shqipëria do të merrte zyrtarisht ftesën për t’iu bashkuar aleancës veri-atlantike.
Anëtarësimi ndodhi 1 vit më vonë, në kuadër të 60-vjetorit të themelimit të NATO. Vizita e Xhorxh Bush në Tiranë, u shoqërua me humor dhe batuta nga ana e tij. Kështu presidenti amerikan i tha homologut të tij shqiptar, Alfred Moisiu: “Kur të mbaroj mandatin do të vij të jetoj në Shqipëri!”. Batuta tjetër, ishte një koment mbi konfliktet shpesh të ashpra në politikën shqiptare. Gjatë pritjes në Pallatin e Brigadave, Bush tha: “Në SHBA, politikanët zihen më shumë se sa këtu”.
Gjatë 2 mandateve të tij si president i SHBA, Bush vizoi shumë vende të botës. Por në jo pak prej tyre, ishte përballur me surpriza të pakëndshme, kryesisht protesta në rrugët ku kalonte eskorta e tij. Në Shqipëri, gjeti një atmosferë tejet miqësore. Në sheshin Skënderbej dhe bulevardin Dëshmorët e Kombit, që ishin bllokuar për qarkullimin e automjeteve, qindra shqiptarë nga Shqipëria, Kosova por edhe Diaspora, mbanin në duar flamuj shqiptarë dhe amerikanë dhe në kokë kapale me flamurin amerikan.
I entuziazmuar nga kjo atmosferë, ai theu në disa raste protokollin e sigurisë, duke nxjerrë kokën jashtë makinës për të përshëndetur njerëzit. Kur mbërriti në Fushë-Krujë ai na habiti të gjithë, duke u zhytur mes turmës së qytetarëve, një veprim që zgjati disa minuta dhe që vuri jo pak në siklet agjentët e sigurisë.
Gjatë ndalesës në qytetin e Fushë-Krujës, Bush vizitoi dyqanin e ëmbëlsirave të një familjeje. Dhurata e pronarëve për Presidentin Bush ishte një tortë ku ishin vizatuar flamujt e dy kombeve. Ndërkohë bashkia e Fushë-Krujës i dha Bushit titullin “Qytetar Nderi”.
Katër vite më vonë, në qendër të Fushë-Krujës u ngrit një përmendore e ish-presidentit amerikan.
Sigurisht, suksesi i dukshëm i asaj vizite historike dhe sidomos mesazhet që Bush dha në Tiranë në mbështetje të kombit shqiptar dhe shqiptarëve kudo ata ndodhen, tërbuan vendet fqinje dhe Rusinë. Mediat greke shkruan të alarmuara, se gjatë takimit me Bush, politikanët shqiptarë kishin ngritur çështjen çame.
Ndërkohë mediat serbe dhe ato ruse, ngritën hipotezën e vjedhjes së orës së presidentit Bush gjatë takimit me banorët në Fushë-Krujë. Kjo temë u rimor nga mediat tabloide e të gjithë botës, të cilat u fokusuan tek planet e presidentit me orën dhe disa momente më pas pa të.
Ky “lajm” bëri kaq bujë, sa që presidenti amerikan, Xhorxh W.Bush, doli përpara gazetarëve, ku tregoi edhe orën e tij. Ai tha se ky ishte lajmi më qesharak, që kishte dëgjuar ndonjëherë. Por edhe pse rezultoi i rremë, lajmi pati një jehonë të madhe, duke ndikuar negativisht mbi imazhin e Shqipërisë./ Tirana Today