Zbulohen te tjera detaje nga ngjarja ne Fier, kur 20-vjecari humbi jeten i qelluar me arme ne koke. Ngjarja tronditëse ka ndodhur në qytetin e Fierit, ku një 20-vjeçar shkoi në spital me plumb pistolete në kokë.
Sipas burimeve të Policisë, Roel Yzeiri dyshohet se aksidentalisht ka qëlluar veten në pjesën e majtë të kokës, ku predha e plumbit i ka prekur kafkën. Gjithçka ka ndodhur brenda banesës, ku dyshohet se i riu ishte duke pastruar armën e zjarrit.
E shtëna e armës është dëgjuar nga familjarët e të riut, të cilët as që kanë pasur dijeni për armën. Ata kanë hyrë në dhomë dhe kanë gjetur të mbuluar në gjak djalin e tyre, të cilin e dërguan me urgjencë në spital.
Edhe pse mjekët u munduan të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale me qëllim shpëtimin e jetës së të riut, ky i fundit nuk ka mundur të mbijetojë dot për shkak se plumbi kishte dëmtuar pjesën më të madhe të kafkës.
Sipas burimeve nga Policia, familjarët e tij kanë treguar se djali nuk ka pasur probleme, që mund ta çonin drejt vetëvrasjes. Ata i kanë shpjeguar Policisë se nuk kanë pasur dijeni as që djali mbante armë, shkruan Panorama.
Policia dyshon se ngjarja mund të ketë qenë aksidentale. Mendohet se 20- vjeçari mund të ketë qenë duke pastruar armën, që e mbante pa leje dhe ajo është shkrehur pa dashje duke e prekur nën nofullën e majtë dhe plumbi ka depërtuar në brendësi të kokës.
“Nga hetimet paraprake dyshohet se i riu është vetëplagosur në banesë me armë zjarri në kokë, e dyshuar pistoletë. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia. Roel Yzeiri kishte përfunduar para dy vitesh shkollën e mesme dhe ishte i papunë.