Boksieri bullgar Kubrat Pulev është pezulluar pa afat nga Komisioni i Sportit të Kalifornisë, pasi puthi në buzë gazetaren Jennifer Ravalo, pas intervistës që ajo i bëri ditën e diel. Ky gjest i boksierit bullgar u bë pas duelit të fituar me “KO” në raundin e shtatë ndaj rumunit Bogdan Dinu.
Sipas Komisionit të Sportit në Kaliforni, ky ishte një veprim i ulët i sportistit, që në fund të intervistës puth gazetaren. Madje mësohet se kjo e fundit ka vendosur të hedhë në gjyq boksierin 37-vjeçar për atë veprim, edhe pse pak ditë më parë deklaroi se ata janë miq.
“Para se Pulev të duelojë sërish në Kaliforni, duhet të dalë para Komisionit. Ai duhet të kërkojë ndjesë për gjestin dhe të pranojë se do të respektojë në të ardhmen principet e etikës në sport”, thuhet në deklaratën e Komisionit të Sportit të Kalifornisë, që në këtë mënyrë e ka ndaluar boksierin të duelojë në këtë shtet.
Mësohet se gazetarja seksi nga Kalifornia ka punësuar një avokate për të ndjekur këtë çështje në gjyq. Gjatë intervistës ajo ishte veshur në mënyrë provokuese, çka duket se tundoi boksierin bullgar, 27 fitore e vetëm 1 humbje si profesionist.
Ndërsa në internet kanë filluar të qarkullojnë edhe fotografi të montuara, me të cilat përpiqen ti dalin në mbrojtje boksierit. Në një foto të publikuar duket që gazetarja e ka provokuar duke e prekur në vende intime boksierin, por më pas ajo ka përgënjeshtruar gjithçka duke postuar foton origjinale.