Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, i ka komentuar si internime lëvizjet e fundit të Arta Markut në krye të prokurorisë, duke çuar në rrethe prokurorët që kanë pasur në dorë çështje të rëndësishme si ajo e Tahirit dhe Shullazit.
Duke qëndruar në të njëjtën linjë, ai tha se prokurorët e Krimeve të Rënda, Marku i degdis si në kohën e diktaturës, që i internonte në qytete të humbura të vendit. I ftuar në emisionin e mëngjesit “Zgjohu”, në “Fax News”, deputeti i PD-së ka treguar më shumë detaje lidhur me platformën që u prezantua dje për projektligjin Antimafia.
“Unë mendoj se ky projektligj që paraqitëm dje, do të votohet kur PD të jetë në qeverisje. Platformë kundër korrupsionit dhe oligarkisë është një nga shtyllat. Shtylla kryesore e kësaj platforme është Vettingu në radhët e politikanëve, që synon shkëputjen njëherë e mirë të krimit nga politika.
Po ashtu synohet që të ketë zgjedhje të lira, dhe shtylla e fundit që ka kjo platformë është dhe çlirimi njëherë e mirë i sistemit të drejtësisë. Nuk ka ndodhur asnjëherë që prokurori i përgjithshëm të shkatërrojë prokurorët e Krimeve të Rënda, që kanë në dorë çështje të tilla të rëndësishme si çështja Shullazi dhe ajo e Saimir Tahirit. Prokurorët e Krimeve të Rënda i degdis si në kohën e diktaturës, që i internonte në qytete të humbura të vendit”, deklaroi Alibeaj.
Një nga qytetarët i ka sugjeruar deputetit të PD-së që të djegin mandatet, në mënyrë që këtij vendi ti jepet shpresë. Ai u shpreh se në këtë sistem, është ende herët për të marrë vendime ekstreme siç është djegia e mandateve. Për të, zgjidhja qëndron tek zgjdhjet e lira.
‘’Unë e kuptoj që në gjendjen që është sot vendi, zgjidhja kërkohet edhe nga opozita, dhe në një situatë të tillë si zgjidhje shihen edhe metodat ekstreme siç është djegia e mandateve. Por në këtë sistem që ne kemi pranuar, është ende herët për të marrë vendime ekstreme, siç është djegia e mandateve. Ne i kemi paraqitur këto platforma për të hequr çdo alibi të mundshme nga ana e qeverisë. Ne kemi diagnostikuar problemin dhe kemi dhënë edhe zgjidhjen për të dalë nga ky ngërç. Me zgjedhje të lira ne padyshim që e fshijmë Edi Ramën. Nëse kjo që ne kemi ofruar nuk pranohet, atëherë do të duhet që të ndërmarrim masat ekstreme që edhe demokracia i njeh”, u shpreh më tej Alibeaj.