Puna për hetimin e ish Kryeprokurorit Adriatik Llalla nga grupi i prokurorëve specialë që po meren me çështjen e tij nën mbikqyrjen direkte të Prokurores së Përgjithshme Arta Marku, ka nisur me vrull dhe materialet po grumbullohen me shpejtësi, shkruan Alpenews.al.
Këto prova, dokumenta dhe në përgjithësi lënda e hetimit po kërkohet nga pesë drejtime të ndryshme:
E para, nga institucionet e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë dhe pastërtisë së figurës së zyrtarit të lartë të drejtësisë (ILDKPKI, vettingu, etj), në banka, hipoteka, noteri, zyrat e rivlerësimit të pasurive, institucionet e luftës kundër pastrimit të parave dhe kudo tjetër ku gjenden dokumenta dhe transaksione me emrin e Adriatik Llallës dhe familjarëve të tij.
E dyta, i është kërkuar ndihmë institucioneve ligjzbatuese dhe homologe, kryesisht SHBA, Gjermanisë dhe BE për të sjellë të dhëna dhe dëshmi që implikojnë apo hedhin dritë mbi veprimtarinë e ish Kryeprokurorit. Eshte kontaktuar dhe mbahet nje komunikim vijues i rregullt, me ambasadën e SHBA në Tiranë nga ku kanë ardhur të gjitha provat dhe faktet që Departamenti Amerikan i Shtetit zotëronte në lidhje me Llallën dhe provat mbi të cilëat u mor vendimi për ta futur familjen e tij në listën e zezë që i ndalon udhëtimin dhe futjen në SHBA, siç u motivua për shkak të rasteve të mëdha të korrupsionit ku ai është zhytur gjatë kohës së ushtrimit të detyrës së Kryeprokurorit.
E treta, janë administruar të gjitha denoncimet e mediave sidomos gjatë dy muajve të fundit: Dokumenta, prova, foto, faksimile, materiale krahasimore, shkrime analitike dhe çdo indicie tjetër gazetareske që pëmban material serioz e profesional, për tu marë në konsideratë e për tu verifikuar pararpakisht.
E katërta, është hartuar një listë e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të ish Kryeprokurorit, me të cilë besohet se ai ka hyrë në marrëdhënie korruptive dhe përfitimi personal dhe familjar, duke shfrytëzuar postin dhe funksionin. Emrat e parë që mësohen se janë tek kjo listë janë ato të Rovena Gashit, ish Drejtoreshës së Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe Dekriminalizimit që konsiderohet si edhe më e afërta nga bashkëpunëtorët e tij, por edhe emra të tjerë si Dritan Gina ish Kryeprokurori i Elbasanit dhe të tjerë.
E pesta, fokus i veçantë po i kushtohet punës së hartimit të një liste pronash të padeklaruara dhe gjuetisë së numrave të llogarive në disa banka brenda, por sidomos jashtë Shqipërisë si në Kroaci, Zvicër, Gjermani, etj, në emër të Llallës dhe familjarëve. Po verifikohet edhe një rreth personash të botës së biznesit dhe krimit (brenda dhe jashtë Shqipërisë, me theks të posaçëm në Gjermani) të identifikuar si skeserët, pagatorët dhe sponsorizuesit e tij gjatë 5 viteve si Kryeprokuror.