Themeluesi i Partisë ‘Sfida për Shqipërinë’, Gjergj Bojaxhi, është i mendimit se qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë qeveri të korruptuar, dhe se opozita nuk ofron asnjë alternativë.
“Mirë është të ritheksojmë kontekstin se shumica e shqiptarëve nuk ka dyshim se sa qeveri të korruptuar ka Shqipëria. Shqetësimi i qytetarëve është që duan një ndryshim, dhe opozita nuk ofron zgjidhje, ka të njëjtët njerëz, është i njëjti model që ka PS dhe PD në kohën e Berishës”, tha ai.
Teksa ka komentuar vendimin e opozitës për të bllokuar akset kombëtare çdo të enjte, Gjergj Bojaxhi shton se protestat nuk janë popullore, por të militantëve të partive. Sipas tij, këto protesta janë të organizuara nga strukturat e partive.
“Në këtë kontekst, problemi ynë nuk është se po protestohet ngaqë nuk e dimë, problemi është që qytetarët nuk kanë alternativë politike, dhe këto lloj protestash janë të militantëve të partive, dhe jo popullore.
Janë të organizuara nga strukturat e partive. Në kushtet ku jemi, po harrojmë të diskutojmë pse partia kryesore opozitare nuk arrin të ndryshojë dhe të ofrojë alternativë ndryshe ekzekutive, dhe kur nuk e bën tani që është opozitë, nuk do e bëjë në pushtet.
Instrumentat e opozitës? Është e drejta e çdo qytetari të protestojë, por taktikat e bllokimit të rrugëve janë një mënyrë për të treguar që nuk është mbështetje masive.
Është një taktikë, dhe shqetësimi im është konteksti, thelbi që nuk po zgjidhet”.