Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimin me 13 vite burg për Gjevi Ndokën, i arrestuar për tjetërsimin e pronave në Shëngjin. Gjevi Ndoka është vëllai i ish-deputetit të PS-së, Arben Ndoka. Vuajtja e këtij dënimi fillon nga data e arrestimit, 21.10.2018 dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë. Arben Ndoka, ish-deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, u ndalua pasditen e 21 tetorit të vitit 2018, së bashku me të vëllanë, Gjevi Ndoka e dhjetë persona të tjerë si pjesë e një grupi kriminal që ishte i lidhur me abuzimet e tokave në zonën e Shëngjinit. Mes të ndaluarve ishte edhe ish-kryetari i Bashkisë Lezhë të PD-së, Fran Frrokaj, i dënuar me katër vite burg. Për këtë çështje Prokuroria ka sekuestruar dhe 300 mijë m2 tokë në zonën e Ranës së Hedhun në plazhin e Shëngjinit.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Miliana Muça, sot më datë 10.10.2022, shqyrtoi kërkesën e regjistruar me nr. 137 akti, datë 28.07.2022, mbi ankimin e paraqitur nga ankues i Gjevi Xhevi Ndoka, ndaj vendimit nr. 207, datë 29.06.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
“1. Bashkimin e dënimit penal të dhënë me vendimin nr. 09, datë 01.02.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lënë në fuqi me vendimin nr.18, datë 05.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me dënimin penal të caktuar me vendimin nr.12, datë 03.02.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të ndryshuar me vendimin nr.23, datë 15.04.2022 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke i caktuar të dënuarit Gj. (Xh.) N., i biri i {…} dhe {…}, i datëlindjes {…}, lindur në {…}, një dënim të vetëm prej 13(trembëdhjetë) vjet burgim, vuajtja e të cilit të fillojë nga dita e arrestimit datë 21.10.2018 dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.” Sa më lart, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: -Lënien në fuqi të vendimit nr.207, datë 29.06.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.