Senida Mesi- Zv.kryeministre
Senida Mesi lindur dhe banuese në Shkodër, më 16 Dhjetor 1977. Mesi ka përfunduar suksesshëm në 2009 Masterin Ekzekutiv në Frankfurt, Gjermani, për Financë dhe Bankë. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Administrim-Biznes, në vitin 2000.
Në vitin 2013 certifikohet Kontabël i Miratuar dhe në 2016 certifikohet në lidership dhe qeverisje nga Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike, financuar nga BE. Ajo ka hyrë në politikë në vitin 2015, kur edhe u bë Anëtare e Këshillit Bashkiak Shkodër. Ka një eksperiencë 17 vjeçare si drejtuese në sistemin bankar dhe është eksperte në fushën e ekonomisë dhe financës, njëkohësisht lektore e jashtme në Fakultetin Ekonomik.
Një konsulente biznesi, e cila eksperiencën e saj ia ka kushtuar zhvillimit të biznesit. Aktualisht administratore në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Është trajnuar në fusha të ndryshme, si ato bankingut, burimeve njerëzore, administrimit, manaxhimit të riskut, kredidhënies, zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, sipërmarrjes, lidershipit, financave publike, qeverisjes vendore dhe zhvillimit ekonomik lokal.
Folëse në Konferencen Ndërkombëtare të EFSE (Fondi Europian për Europën Juglindore për Zhvillimin e SME-ve) dhe pjesëmarrëse në Forumin Botëror për Demokraci në Strasburg. Znj. Mesi zotëron gjuhën angleze dhe italiane.
Pandeli Majko- Ministër i Diasporës
Pandeli Majko ka lindur në vitin 1967 në Tiranë është një nga politikanët më të njohur shqiptar. Ka mbaruar Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike. Gjithashtu është diplomuar edhe në Fakultetin e Drejtësisë.
Ka qenë deputet në Legjislaturën e XIII të Kuvendit Popullor, në Legjislaturën XV dhe anëtar i Komisionit për Çështjet Kushtetuese dhe Ligjore, anëtar i Komisionit për Hartimin e Projektkushtetutës, kryetar i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së si dhe anëtar i Komisionit të Posaçëm për Paktin e Stabilitetit.
Gjatë viteve 1997-1998 ishte sekretar i përgjithshëm i PS-së dhe kryetar i grupit parlamentar të PS-së. Nga shtatori vitit 1998 deri ne tetor të vitit 1999 ishte Kryeministër, si dhe për disa muaj në vitin 2002. Pandeli Majko ka qenë Ministër i Mbrojtjes nga korriku vitit 2002 deri në shtator të vitit 2005.
Ditmir Bushati- Ministër i Jashtëm
Ditmir Bushati, është politikan shqiptar i angazhuar me Partinë Socialiste të Shqipërisë, i cili ka shërbyer për Qeverinë e Shtetit shqiptar si Ministër i Punëve të Jashtme, që nga viti 2013. Paraprakisht, ka kryesuar Komisionin Parlamentar për çështjet e Bashkimit Evropian. Bushati është zgjedhur deputet në Qarkun e Tiranës në 2009-n dhe u rizgjodh sërish në të njëjtin qark në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Ditmir Bushati ka shërbyer si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian (2011-2013) dhe anëtar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Shqipëri (2009-2013). Prej 2011, ai është zgjedhur Anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ai u zgjodh deputet në Shkodër në zgjedhjet 2017 dhe është riemëruar Ministër i Jashtëm.
Fatmir Xhafaj – Ministër i Brendshëm
Fatmir Xhafaj ka lindur me 17 maj 1959. Është deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Ai është diplomuar për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, dhe ka ushtruar profesionin e juristit dhe avokatit. Ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, dhe Ministër i Drejtësisë. Fatmir Xhafaj mban postin e Sekretarit për Çështjet e Koordinimit në Partinë Socialiste dhe është anëtar i Kryesisë së Partisë. Ai shërben po ashtu si Kryetar i Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Mes shumë polemikave Rama nuk ka ngurruar ta emërojë si Ministër të Brendshëm, pavarësisht se e kaluara e mundshme pranë sistemit komunist përbën një çështje shumë delikate.
Olta Xhaçka – Ministre e Mbrojtjes
Olta Xhaçka është deputete e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Ka mbajtur poste të rëndësishme, si kryetare e Forumit të Gruas. Është martuar para pak kohësh me Artan Gaçin, gjithashtu pjesë e Partisë Socialiste. Më 23 mars 2017 Olta Xhaçka është emëruar Ministre e Mirëqenies Sociale dhe e Rinisë me 79 Vota në Parlament. Sot kryeministri Rama e emëroi Olta Xhaçkën Ministre të Mbrojtjes, duke i besuar një detyrë të vështirë.
Etilda Gjonaj – Ministre e Drejtësisë
Etilda Gjonaj ka lindur në datë 6.05.1981. Ka ndjekur studimet e shkollës së mesme Qemal Stafa, Tiranë. Kreu studimet e larta për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës për periudhën 1999 – 2003. Në vitin 2004 ka fituar titullin Avokate nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Gjatë periudhës 2009-2011 ka ndjekur ciklin e studimeve pasuniversitare në shkenca penale në Fakuletin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranë, duke marrë diplomën Master shkencor në Shkenca penale. Me vendim të Këshillit të Ministrave, Etilda Gjonaj ka mbajtur postin e zv/ministres së Drejtësisë duke zëvendësuar në këtë detyrë Eridian Salianji. Sot kryeministri Rama zyrtarisht e emëroi si Ministre të Drejtësisë.
Mirela Kumbaro- Ministre e Kulturës
Mirela Kumbaro ka lindur në Tiranë, në vitin 1966. Ajo mban titullin Profesore e Asociuar, të fituar në vitin 2012 në Universitetin e Tiranës, në fushën e gjuhësisë. Në vitin 2009 ka mbrojtur titullin Doktor i Shkencave në fushën e Studimeve Përkthimore pranë Universitetit të Tiranës. Ka mbrojtur Diplomën për Master në Përkthim dhe Komunikim Ndërkulturor në vitin 1994, në E.S.I.T – Paris III, Universiteti i Sorbonne – Nouvelle, në Paris, Francë.
Kjo ministre nuk vjen nga radhët e politikës, por nga karriera akademike dhe nga një angazhim i gjatë e aktiv në shoqërinë civile ku ka kontribuar në fushat e kulturës, arsimit dhe problemeve sociale. Në vitin 2013 zgjidhet Ministre e Kulturës e Shqipërisë, dhe sot kryeministri e ka rizgjedhur në të njëjtin pozicion .
Arben Ahmetaj – Ministër i Ekonomisë e Punës
Arben Ahmetaj ka lindur në qytetin e Gjirokastrës më 28 qershor 1969. Ai është i martuar me Albina Mançka, dhe ka dy vajza, Livia dhe Kejsi. Në vitin 1991 Ahmetaj është diplomuar në Universitetin e Tiranës për Gjuhë Angleze, Specializuar në Literaturë Amerikane dhe Angleze. Në vitin 2016 merr përsipër postin e Ministrit te Financave, në qeverinë Rama-Meta. Është zgjedhur deputet i qarkut Gjirokastër, dhe do të jetë ministër i bashkimit të Ministrive të Financave dhe Ekonomisë.
Lindita Nikolla – Ministre e Arsimit
Lindita Nikolla lindi në Tiranë, më 22 tetor 1965. Ka kryer studimet Master në Administrim Publik në 2010, drejtimi Pushtet Ekzekutiv pranë Albanian University dhe në vitin 1989 ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, dega Matematikë, Universiteti i Tiranës.
Nikolla ka hyrë në politikë në vitin 2003. Nga shtatori i vitit 2007 ajo është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Lindita Nikolla në vitin 2013 emërohet nga Kryeministri Edi Rama si Ministre e Arsimit dhe Sportit në kabinetin qeveritar Rama-Meta. Gjithashtu në 4 vitet e ardhshme do të mbajë postin e ministres së Arsimit, për të çuar deri në fund reformën e thellë në arsim.
Ogerta Manastirliu – Ministre e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social
Ogerta Manastirliu ka lindur në Tiranë në 31 dhjetor 1978. Ajo mban titullin “Doktor i Shkencave”, në Kimi Analitike dhe Mjedis. Më herët, ajo ka kryer studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, ku është diplomuar dhe ka marrë titullin “Master në Shkencë” në degën e Kimisë së Përgjithshme.
Ka shërbyer në Bashkinë e Tiranës, fillimisht në vitin 2004, në Drejtorinë e Koordinimit të Projekteve. Gjatë viteve 2005-2011, ka drejtuar Drejtorinë e Strehimit dhe Shërbimit Social, ku ka qenë një nga kontribuueset kryesore në hartimin dhe vënien në zbatim të Strategjisë Lokale të Strehimit Social. Prej shtatorit 2013 deri në mars 2017 Manastirliu drejtonte Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Në marsi 2017 u bë Ministre e Shëndetësisë e Republikës së Shqipërisë. Sot kryeministri Rama e ka kthyer në të njëjtin pozicion, pas largimit si rrjedhim i marrëveshjes Rama-Basha.
Damian Gjiknuri – Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës
Damjan Gjiknuri lindi më 25 maj 1972, në qytetin e Tiranës. Ai është i diplomuar në Drejtësi në vitin 1994, në Universitetin e Tiranës dhe zotëron gradën Master në Politikat Publike dhe Ligj të lëshuar nga “NPS School” të Monterey, Kaliforni, SHBA (2004) dhe Kolegji i Ligjit Londër, Britani e Madhe (1996). Ai ka kryer edhe disa studime pasuniversitare në Qendrën për Politikat e Sigurisë në Gjenevë (2000) dhe të Drejtë Ndërkombëtare në Universitetin e Leidenit, Holandë (1994).
Gjiknuri ka punuar si drejtues i një zyre ligjore dhe këshilltar ligjor për reformat rregullatore ekonomike në vend dhe rajon. Deri ne vitin 2005, Z. Gjiknuri ka ushtruar funksione të ndryshme publike si: Drejtor i Kabinetit të Ministrit të Rendit Publik (2005), Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes (2001 – 2005), Drejtor i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Marrëveshjeve në Ministrinë e Rendit Publik dhe koordinator kombëtar për çështjet e drejtësisë dhe ato të brendshme, për negocimin e hapjes së negociatave me KE (1999 – 2001), Drejtues i Planizim – Drejtimit në SHISH (1998), Gjyqtar i Shkallës së Parë (1995-1996), jurist në institucione të ndryshme (1994-1995).
Damian Gjiknuri në vitin 2013 zgjidhet Ministër i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë. Ndërkohë kryeministri Rama i ka besuar pozicionin e Ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës.
Niko Peleshi- Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Niko Peleshi ka lindur në Korçë, më 11 nëntor 1970. Ka kryer studimet e larta për Inxhinieri Elektronike në Universitetin Politeknik të Tiranës. Peleshi ka pasur një angazhim të gjatë në fushën e biznesit privat në qytetin e Korçës dhe ka drejtuar me sukses Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Korçë.
Karriera politike e Z. Peleshi fillon në tetor të 2004-ës, kur emërohet Prefekt i Qarkut Korçë dhe e ushtron këtë funksion për rreth një vit. Në vitin 2005, zgjidhet Kryetar i Partisë Socialiste të qytetit të Korçës. Në zgjedhjet lokale të shkurtit 2007 zgjidhet Kryetar Bashkie i Korçës, për t’u rikonfirmuar edhe njëherë si Kryetar Bashkie në zgjedhjet lokale të 2011-s.
Niko Peleshi në vitin 2013 zgjidhet Zëvendëskryeministër i Republikës së Shqipërisë në qeverinë Rama-Meta. Sot kryeministri Rama e emëroi Ministër të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Blendi Klosi- Ministër i Turizmit dhe Mjedisit
Blendi Klosi lindi në Tiranë më 17.01.1971. Z. Klosi është diplomuar në fushën e Inxhinierisë Elektronike, në Fakultetin e Inxhinierisë, pranë Universitetit të Tiranës, ku më pas u angazhua si pedagog. Gjatë viteve 1994-1996 ka mbajtur detyrën e Përgjegjësit të Sektorit në Qendrën e Studimeve të Projektimeve Elektronike.
Në vitin 1996 ka shërbyer në Këshillin e Ministrave fillimisht pranë DAP dhe më tej si asistent i Kryeministrit. Veprimtaria politike e Z. Klosi është e mjaft e pasur me angazhime të rëndësishme si Zëvendësministër i Pushtetit Lokal, Kryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Ministër i Shtetit gjatë periudhës 2002-2004 dhe Ministër i Rinisë, Kulturës dhe Sporteve në vitin 2004-2005.
Në vitin 2015-2017 ka mbajtur postin e Ministrit te Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Gjithashtu, Z. Klosi është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste dhe që nga viti 2005 mbanë pozicionin e Sekretarit Organizativ në këtë parti.
Blendi Klosi ka një angazhim të gjatë si deputet, përfaqësues i Grupi Parlamentar të Partisë Sociale në 4 legjislatura, aktualisht është Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.