Liria e medias në kohën e rrjeteve sociale dhe lajmeve të rreme që prodhohen përmes tyre është një rrezik për shoqërinë dhe vetë ekzistencën dhe besueshmërinë e medias.
Universiteti i Tiranës organizoi një seminar për të diskutuar kërcënimin e fjalës së lirë, ku Drejtori për Euroazinë në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj, renditi presionin e politikës dhe intimidimet ndaj gazetarëve që shkaktojnë dhe vetëcensurën, si më të rëndësishmet prej tyre.
Qeveritë përpiqen të ndikojnë rrjedhjen e lajmeve duke kontrolluar mediat kryesore. Gazetarët e pavarur përballen me kërcënime dhe ndonjëherë dhe me sulme fizike që pastaj i detyrojnë ata që të ushtrojnë vetëcensurë.
Edhe për pedagogun Mark Marku, ndërhyrja e politikës për të rregulluar median rrezikon lirinë e shprehjes.
Rreziku është i përhershëm që nën pretekstin e disa rregullimeve mund të shkojmë drejt kufizimit të lirisë së shtypit.
Shefi i seksionit për Shqipërinë të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, nënvizoi mënyrën e financimit të medias si një problematikë që duhet zgjidhur.
Problemet e mëdha janë tek mënyra e financimit të shtypit.
Përfaqësuesit e Zërit të Amerikës garantuan se kjo dritare e mediave do mundohet të jetë modeli i profesionalizimit dhe i gazetarisë parimore.