Presidenti, Bujar Nishani, ka reaguar sot, lidhur me sulmin e mbrëmshëm brenda Kuvendit të Maqedonisë, që ndodhi pasi Talat Xhaferi u zgjodh kreu i saj.
Duke uruar shërim të të lënduarve, Nishani dënon dhunën e ushtruar ndaj deputetëve, si dhe përshëndet zgjedhjen e Xhaferit në postin e kryetarit të Parlamentit.
“Presidenti Nishani dënon dhunën e ushtruar ndaj deputetëve të Maqedonisë, veçanërisht të atyre me origjinë shqiptare, dhe duke u uruar shërim sa më të shpejtë të lënduarve bën thirrje për qetësimin e situatës dhe kapërcimin e saj me maturi politike. Presidenti Nishani përshëndet zgjedhjen e zotit Talat Xhaferri në postin e Kryetarit të Parlamentit dhe e konsideron këtë akt, si një zhvillim shumë pozitiv për marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni që duhet mbështetur gjerësisht”, thuhet në njoftimin e Presidencës.