Kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Ervin Bushati në intervistën e dhënë për Tirana Today ka thënë se shteti është për të mbështetur kemi një bazë të re për ta çuar përpara gjithë punën e fermerëve kur është pyetur se a mundet që TVSH-ja e produkteve bujqësore të jetë 0%. Ai tha se për sektorin e bujqësisë janë ndërmarre shumë reforma të cilat janë ndërmarrë për herë të parë. Por Bushati bëri një saktësim kur tha se fermerët tanimë e kanë kuptuar shumë qartë se shteti është për të mbështetur, jo për të të tërhequr për dore dhe për të të çuar përpara.
Gjithashtu, Bushati, tha se kjo qeveri krijoi mbështetjen e drejtpërdrejtë për fermerët, duke e bërë TVSH-në e rimbursueshme për fermerët nga 6% në 20%, atë mbështetje ku shumë produkte bazë bujqësore dhe blegtorale u liruan nga të gjitha taksat doganore dhe nga TVSH-ja. Pra, fermeri prej 2014 ka detyrimin të pajiset me NIPT, të shesë produktet e tij e të përfitojë 20% kompensim TVSH-në mbrapsht.
INTERVISTA E PLOTË:
- A mund të bëhet ulja e tatim fitimit nga 15% që është aktualisht në 5% për të gjitha bizneset e vogla që kanë xhiro vjetore deri në 20 milion lekë dhe në 8 % për bizneset që kanë xhiro vjetore deri në 100 milion lekë?
Jetojmë në një botë ku budallallëqet duken se s`kanë fund. Po pse Bashën dëgjoni që shkon nëpër takime me bizneset e thotë që do e bëj taksën e biznesit të vogël zero. Po kë do bëjë zero ai, taksa për biznesin e vogël është zero. Të gjithë prej çerekshekulli përsërisin që do heqim taksat e do rrisin shpenzimet. E njëjta farsë, e njëjta gënjeshtër. Ndërsa ne ju themi diçka tjetër. Ne e morëm këtë vend në kushtet kur ata që paguanin taksa ishin budallenjtë, ndërkohë që ata që nuk i paguanin ishin të fortët e të mençurit. Koha e të fortëve dhe e të mençurve në kurriz të budallenjve mbaroi. Nuk ka më budallenj në Shqipëri që të paguajnë edhe për ata që nuk duan të paguajnë.
44 muaj më parë ekonomia e këtij vendi lëngonte, ky vend ishte i zhytur në borxhe. Rritja ekonomike ishte thuajse zero. Vitin e shkuar, ekonomia u rrit me 3.5%, por kjo nuk mjafton dhe ne duam që së bashku të rrisim ekonominë mbi 5% në katër vitet e ardhshme. Vetëm rritja ekonomike mbi 5% do të bëjë që për çdo familje rritja ekonomike mos jetë një shifër, por të jetë një fakt. Ekonomia rritet duke bërë shtetin. Ekonomia rritet duke paguar të gjithë sipas detyrimeve që kanë, jo gjysma duke e vjedhur energjinë dhe gjysma tjetër duke e paguar dyfish. Ekonomia rritet duke bërë që kush fiton më shumë, të paguajë më shumë, kush fiton më pak, të paguajë më pak.
2. Kemi mundësi të heqim fare TVSH-në për produktet baze të shportës (bazike) të cilat mund të çonin në lehtësim të barrës familjare?
Po është e vërtetë. Kjo do të ishte gjëja më e mirë por e rithem edhe njëherë, ne nuk kemi premtuar mrekulli, s’kemi thënë në asnjë moment që do ta bëjmë Shqipërinë fuqinë e dytë pas Gjermanisë ashtu siç thoshte Partia Demokratike.
Ne e dimë që ka ende shumë për të bërë, por ashtu siç ne e morëm vendin ishte e pamundur t`i mbanim të gjitha ato çka premtuam. Duhet të dini diçka, jo të gjitha gjërat që zotohen përpara se të fillojë qeverisja zbatohen 100 %, kjo nuk ndodh në shtetet më të zhvilluara jo më në Shqipëri një vend që para katër vitesh ishte në prag humnere.
- Cila është politika juaj për rritjen e pagës minimale deri në 30 mijë lekë. Si do ta realizoni këtë; duke hequr taksat ndaj bizneseve që ofrojnë punë apo diferenca për të shkuar 30 mijë lekë do të paguhet nga buxheti i shtetit?
Që prej 1 Marsit të 2017 paga minimale është rritur. Paga e ulët, nga 220 mijë lekë të vjetra që ishte, tashmë është 375 mijë lekë të vjetra. A është mjaft, jo nuk është. Është hera e parë që bëhet një rritje nominale e rrogave dhe pensioneve, por nuk është hera e parë që lihen më shumë para në xhep për ju, për qytetarët, sepse ne e filluam mandatin duke ulur taksat. Qeveria ka hequr nga buxheti i shtetit për rritjen e pagave dhe pensioneve 100 milionë dollar, por duhet të theksoj se kjo nuk ka rritur borxhin publik, ndërsa ndryshe ka ndodhur me qeverisjen demokrate ku në 8 vite ndanë për pagat dhe pensionet 124 milionë dollarë.
Prej marsit të 2017-ës kanë përfituar rritje page prej më shumë se 10% e mësuesve e pedagogëve, mjekët e infermierët më shumë se 13%, policët 10% dhe punonjësit me pagë minimale më shumë se 36%. Pra duke parë atë çka është bërë në këtë qeverisje në këtë mandat mund të them se të ardhurat e disponueshme për banor kanë arritur në 580 mijë lekë ose më shumë se 16% krahasuar me vitin 2013. A janë të mjaftueshme të gjitha këto? Ne nuk kemi thënë që kemi bërë mrekulli, por ama një gjë është e sigurt, sot qytetarët jetojnë më mirë.
Rishpërndarja e të ardhurave dhe mbrojtja e të drejtave të të punësuarve më vulnerabël në tregun e punës, mbeten qëllime parësore të forcës sonë politike. Por ajo që dua të nënvizoj është se në mandatin tonë të dytë nga rritja e pagës minimale do përfitojnë 315 mijë qytetarë dhe fondi për këtë rritje do jetë rreth 22.5 miliardë lekë.
- Keni premtuar që të gjitha pagat për katër vitet e ardhshme do të rriten deri në 40% por nuk keni argumentuar asnjë strategji, mënyrë apo rrugë se si mund ta arrini këtë. Si do e bëni realitet këtë premtim?
Fondi i pagave në sektorin publik do të rritet me 68 miliardë lekë. Rritja e prodhimit vendas, rritja e punësimit, rritja e produktivitetit të punës si dhe lufta kundër informalitetit, do të mundësojnë që njerëzit të fitojnë më shumë dhe të përfitojnë paga më të larta. Ne do të lehtësojmë barrën fiskale në 18%, për të ardhurat nga pagat e niveleve të larta. Lufta kundër informalitetit është luftë kundër pabarazisë dhe kundër varfërisë.
Ne jemi të vendosur për përmirësimin e shërbimeve publike dhe si një masë të rëndësishme në këtë drejtim, konsiderojmë edhe rritjen e pagave në të. Deri në fund të mandatit ne kemi thënë që do të rrisim deri në 40% pagat, ku prioritet do të kenë sektorët e arsimit dhe shëndetësisë. Jemi të bindur se rritja e kapaciteteve njerëzore me profesionalizëm mbetet thelbësore për mirë-qeverisjen e vendit.
- është e mundur që TVSH-ja e produkteve bujqësore të jetë 0% që do të çonte në uljen e çmimit të produkteve vendase?
Unë mund të rendis mjaft gjëra të mira që janë bërë për bujqësinë, reforma këto të ndërmarra për herë të parë në këtë sektor. Nga ana tjetër, ne sot kemi një bazë të re për ta çuar përpara gjithë punën e fermerëve, që tanimë e kanë kuptuar shumë qartë se shteti është për të mbështetur, jo për të të tërhequr për dore dhe për të të çuar përpara.
- Sa janë mundësitë që të këtë një ‘pagesë direkte me para kesh në sportele’ për subvencionimin e fermerëve shqiptarë dhe jo me karburant dhe dieta të tjera që ishin jashtë nevojave të tyre?
Në katër vite është e pamundur që ne të bënim realitet ëndrrat e të gjithë shqiptarëve, pasi në e morëm shtetin pa themele, e nëse do fillonim nga çatia ajo do të rrëzohej menjëherë. Ne për bujqësinë kemi bërë shumë, madje më shumë se në gjithë këto vite. Në këto vite u rrit me 40% kapaciteti i skemave mbështetëse për fermerët dhe u rrit me 60% numri i fermerëve përfitues, në mbështetje të zhvillimit bujqësor dhe transformimit të bujqësisë në burim real rritjeje e mirëqenieje. 44 muaj më parë Shqipëria importonte 7% dhe eksportonte 1%, raporti sot është 3,9 me 1, çka tregon se fshati prodhon më shumë se katër vjet më parë dhe nevoja për import është ulur ndjeshëm. Ne u premtojmë fermerëve se në katër vitet e ardhshme e majta do të punojë më shumë për qytetarët që jetojnë në zonat rurale me më shumë projekte për bujqësinë.
Ajo që dua të rikujtoj është që në vitin 2014 në vazhdën e paketës për bujqësinë arritëm të krijonim mbështetjen e drejtpërdrejtë për fermerët, duke e bërë TVSH-në e rimbursueshme për fermerët nga 6% në 20%, atë mbështetje ku shumë produkte bazë bujqësore dhe blegtorale u liruan nga të gjitha taksat doganore dhe nga TVSH-ja, duke mundësuar kështu një stimul të drejtpërdrejtë për fermerët shqiptarë në funksion të zgjerimit të veprimtarisë së tyre prodhuese, bujqësore dhe blegtorale. Kjo skemë është konceptuar e tillë që të mos ngarkojë fermerët me barrën administrative të lëshimit të faturave, të deklarimit, të mbajtjes dhe përdorimit të kasës fiskale. Pra, fermeri prej 2014 ka detyrimin të pajiset me NIPT, të shesë produktet e tij e të përfitojë 20% kompensim TVSH-në mbrapsht.
- Kryeministri Rama ka deklaruar që nuk ka mundur të vendos kontroll mbi inputet bujqësore, si farërat, plehrat dhe pesticidet. A keni ndonjë strategji për të vënë në kontroll tregun e inputeve bujqësore?
Sa i takon bujqësisë, Partia Socialiste premton se do të mbështetë bujqësinë duke hequr TVSH për inputet bujqësore, plehrat kimike, pesticidet, farat, fidanët. Kjo do të jetë një ndihmesë prej 2.2 miliardë lekë në vit për fermerët, ndërkohë financimi i programuar për bujqësinë do të jetë 232 milionë dollarë.
Ne sot jemi në gjendje t`u themi në sy të gjithë fermerëve se, pasi vumë rend në financat e shtetit, pasi shlyem malin me borxhe që trashëguam nga PD-ja, tani mund të heqim komplet Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për të gjitha inputet bujqësore. Duhet theksuar se financimet e katër viteve të ardhshme nuk do bëhen me tesera partie, por do të bëhen duke respektuar punën e çdo fermeri.
- Banka e Shqipërisë për 5 muajt e parë të vitit 2017 tha që është rritur numri i grave që marrin hua, por nuk sqaron më tej nëse këto hua janë për biznese. Por sot në Shqipëri 32% e bizneseve janë iniciuar nga gratë dhe vajzat, cila është strategjia juaj ekonomike që kjo shifër të rritet?
Ne do të vijojmë procesin e nisur për fuqizimin ekonomik të grave, nëpërmjet përmirësimit të legjislacionit, nxitjes së kreditimit dhe sipërmarrjeve të grave e vajzave, nxitjes përparësore të punësimit e formimit profesional të tyre dhe buxhetimit gjinor në politikëbërje e vendimmarrje.
Ashtu siç edhe bëmë në fillimet e qeverisjes sonë, në do të vijojmë të ruajmë nivelin e përfaqësimit të grave me të paktën 40% në vendimmarrje në proceset publike në nivel drejtues dhe proceset ligjvënëse, politikëbërëse dhe planifikuese në nivel qendror. Ne do të ulim me 10% punën e papaguar të grave, duke rritur aksesin në shërbimet sociale si çerdhe, kopshte, shërbime për moshën e tretë, shërbime për gratë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, shërbime për gratë rome, egjyptiane, etj.
Ndryshimet gjinore në Shqipëri janë të theksuara, por qëllimi i kësaj qeverie është që të heqë këto barriera e të reduktojmë hendekun gjinor në paga. Ne zotohemi të garantojmë pagë të njëjtë për gratë dhe burrat që kryejnë punë të njëjtë. Sot kemi rreth 50 mijë më shumë gra dhe vajza që punojnë në krahasim me katër vjet më parë.
- Cilët janë sektorët që ju i shikoni prioritarë për të investuar që të ulet numrin e papunësisë? Ju lutem më përshkruani sektorët dhe sa persona mund të punësohen në këto sektorë. Do të doja që shuma e sektorëve të arrinte në 220 mijë vende të reja pune.
Përshpejtimi i qëndrueshëm i rritjes ekonomike, zbatimi i reformës në drejtësi, konsolidimi i mëtejshëm i institucioneve shtetërore, forcimi i shtetit ligjor, shtimi i investimeve në ekonomi, aplikimi i politikave nxitëse në sektorët prioritarë si dhe ndërhyrjet për të siguruar një ofertë më cilësore në tregun e punës, do të jenë faktorët kryesorë që do të mundësojnë krijimin e 220 mijë vendeve të reja të punës në mandatin e dytë. Gjatë katër viteve të ardhshme ekonomia jonë do të krijojë mundësi që norma e papunësisë të ulet për herë të parë nën nivelin dyshifror (8.2 për qind) pas më shumë se dy dekadash.
Intervistoi: Laert Miraku