AKADEMIK PROF. ANASTAS ANGJELI
Ishte e pritshme. Megjithëse masat shtrënguese kundër pandemisë vazhdojnë, thuajse në shumicën e vendeve në shkallë europiane dhe globale, ato, për të mos iu rikthyer mbylljes së ekonomive të tyre, e cila po jep shenjat e ringritjes, po vazhdojnë të zbatojnë instrumente monetare dhe financiare antikrizë. Ndërkohë, ekonomia e këtyre vendeve po ndeshet në këtë fazë me shenja të rikthimit të situatave inflacioniste të ndikuara këto edhe nga financimet e nevojshme për “revolucionin teknologjik”, tranzicionin ekologjik etj. Shenjat inflacioniste mund të kenë efekte jo vetëm në aktivitetin ekonomik të këtyre vendeve, por gjithashtu edhe mbi konfigurimin e çmimeve të lëndëve të para (kriza energjetike) dhe të konsumit, kostove të shërbimit të borxhit publik dhe fenomeneve të tjera makroekonomike. Është kjo një arsye, që implikimet e këtyre ndryshimeve duhet të konsiderohen me kujdes dhe të vlerësohen në të gjitha drejtimet nga qeverisësit e politikës monetare dhe financiare të çdo vendi dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Po çfarë po ndodh? A po shndërrohet inflacioni në një problem postpandemik? Këta dy-tre muajt e fundit, niveli i inflacionit në shumë vende ka pësuar një rritje të konsiderueshme (Gjermania kapi nivelin prej 6% gjatë muajit tetor dhe në SHBA e kaloi atë që në muajin shtator, Britania e Madhe 5.7 % dhe po shtrihet në të gjitha vendet e zhvilluara) po cenon stabilitetin makroekonomik e financiar si të Evropës, ashtu edhe të SHBAsë. Fenomen ky që së paku 10-15 vitet e fundit (e në disa shtete deri në 20-30) ishte i “përgjumur”. Edhe në ekonominë tonë po ndihet një goditje e lehtë inflacioniste (3.1%), pavarësisht se ajo është kryesisht si efekt domino nga jashtë (por ka dhe elemente të brendshme). “Zgjimi” postpandemik nga “gjumi letargjik” i fenomenit të inflacionit ka tërhequr vëmendjen dhe ka hapur diskutime e debate të mëdha në mendimin dhe literaturën ekonomike veçanërisht për karakterin e inflacionit aktual në vendet e zhvilluara, por edhe në vendet në zhvillim për pasoje të integrimit ekonomik ndërkombëtar.
Shumë e konsiderojnë inflacionin aktual si fenomen të përkohshëm që lidhet me kërkesën në rritje të lëndëve të para, energjisë etj. dhe mendojnë se pas 3 apo 4 muajsh (deri në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2022) do të kemi një rënie të ndjeshme të tij. Këta bëjnë pjesë në optimistët e zhvillimit ekonomik dhe mendojnë se nuk duhet të ngatërrohet një zhurmë e rastësishme me një sinjal të pastër që ekonomia reale jep për këtë fenomen. Sipas tyre, është normale që kur një vend kalon nga deflacioni në rritje shumë të shpejtë, inflacioni është pasojë e kësaj rritjeje. Në teori të gjitha rritjet ekonomike karakterizohen edhe nga rritja e çmimeve.
Disa të tjerë e konsiderojnë një fenomen patologjik, të pritshëm dhe që lidhet me politikën e përballimit të pandemisë dhe emetimeve kolosale të parave gjatë gjithë kësaj periudhe. Këta, që shumë i quajnë “ruajtësit e liberalizmit ekstrem ekonomik”, kërkojnë ndërhyrje të bankave qendrore me politika shtrënguese dhe rritje të normave të interesit. Janë ata që krijojnë lidhjen organike të inflacionit, me % e interesit, nivelin e pagave, koston e shërbimit të borxhit dhe ritmet e zhvillimit afatgjatë. Janë ata që parashikojnë që pas krizës së pandemisë do të vijë një krizë e madhe ekonomike që do të ristrukturojë botën për 50 vitet e ardhshme në tregje, profesione, infrastrukturë dhe institucione financiare.
Një grup i tretë ekonomistësh e vlerësojnë inflacionin si levën kryesore të ndryshimeve epokale në funksionet e parasë dhe e quajnë atë si faktor kryesor “vetëshkatërrues” i sistemit monetar. Paraja do të fillojë një rol të ri, i cili do të ndryshojë: konceptimin klasik të rritjes ekonomike, konceptin e riskut global dhe ekonomik, raportin e kohës së punës me kohën e pushimit dhe mbi të gjitha raportin e njeriut me paranë dhe pasurinë. Të nxitur edhe nga një rritje shumë e madhe e vëllimit të transaksioneve me kriptomonedha, ata mendojnë se inflacioni do të jetë shkaku kryesor i kalimit nga një sistem monetar analog me banka qendrore në një sistem monetar dixhital pa banka qendrore. Kjo do të sjellë revolucionin më të madh që ka ndodhur ndonjëherë në konceptin e pasurisë dhe për pasojë një ristrukturim shoqëror të botës së zhvilluar.
Po cilat nga këto pretendime janë më të besueshme?
IMPAKTI REAL I PANDEMISË NË AKTIVITETIN PRODHUES, RENDIMENTIN DHE INFLACIONIN
Po të bëjmë një analizë të kujdesshme të efekteve që pandemia pati në ekonominë europiane, por edhe atë botërore, mund të evidentojmë këto elemente pas muajve të parë të vitit 2020. Më konkretisht:
- a) Ecuria ekonomike e vendeve të zhvilluara europiane, pas muajve të parë të mbylljes nga pandemia, sidomos në vitin e fundit, demonstron një rritje me ritme shumë të shpejta të industrisë dhe manifakturës. Degët e prodhimit si bujqësia, industria dhe ndërtimi patën një rritje të konsiderueshme dhe parashikohet që deri në fund të vitit 2021 kjo rritje do të arrijë mesatarisht në vendet e BE-së deri në 7%. Kjo solli një rritje shumë të madhe të kërkesës për lëndë të para, por, në muajt e fundit dhe të rritjes së çmimeve të energjisë, gjë që frikësoi qeverisjen europiane për tendenca të fuqishme inflacioniste. Pra, pas gushtit të vitit 2021, kemi një rritje shumë të madhe të kërkesës së lëndëve të para, energjisë dhe materialeve industriale që solli nga njëra anë rritjen e çmimeve ne treg dhe nga ana tjetër vonesën në dorëzimin e produkteve që kishin në përdorim këto elemente. Markat më të dëgjuara të makinave shtyn kohën e dorëzimit të porosive nga 15 ditë në 4 muaj, ndërsa çmimet e gazit të lëngshëm u dyfishin dhe tek E/E u rritën me 50%.
- b) Në po këto vende nuk ndodhi e njëjta gjë me konsumin privat të popullsisë, të cilat përveç ushqimeve pak konsuamuan në shërbime. Vete vëzhgimet e Bankës Qendrore Europiane evidentuan faktin se konsumi familjar i shërbimeve mbeti në vend si pasojë e frikës së infeksionit. Kështu, shpenzimet për udhëtime, turizëm, kulturë, restoranteri etj., parashikohet që për vitin 2021 të kenë një rënie mesatare në krahasim me vitin 2019 nga 17-19%. Pra, në konsumin privat të popullsisë nëse çmimet e mallrave industrial dhe një pjesë të mallrave ushqimore kishin presione në rritje, çmimet e shërbimeve ishin në rënie dhe kompensonin deri diku suficitin e buxhetit familjar. Në fakt, në të gjitha vendet europiane edhe gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2021 kishin një rritje të ndjeshme të depozitave bankare.
- c) Pandemia nuk solli presion në rritjen e pagave në tregun e punës, për faktin se ky treg shoqëroi tendencën e pandemisë dhe u kushtëzua nga ajo. Kështu, tregu i punës rritej në aspektin sasior dhe kjo amortizonte kërkesat për rritje të pagave. Specialistët mendojnë se për dy vitet e ardhshme nuk parashikohen presione për rritjen e pagave në tregun e punës dhe kjo për shkak të thithjes së papunësisë. Ky është një faktor që indirekt eliminon një nga shkaqet kryesore inflacionist në zonën euro.
- d) Indikacione të ngjashme (jo inflacioniste) vijnë nga kuotimet e aktiveve financiare të indeksuara me çmimet e konsumit. Prirjet për inflacionin në fund të shtatorit, për zonën e euros, nga “inflation swaps” parashikoheshin të qëndrueshme në kuotën rreth 2.8%, ndërsa në parashikimet me horizont dyvjeçar janë për një normë inflacioni rreth 1.8%. Gjithashtu, sipas vetë vëzhgimeve të BQE, në bazë të regresionit të çmimeve, probabiliteti i një inflacioni më të madh se 2.5% është rreth 25%. Me këtë metodë vëzhgimet e specialistëve të Bankës Qendrore Europiane parashikojnë që për 5 vitet e ardhshme norma mesatare e inflacionit në zonën euro të jetë rreth 1.8%1 . Po të pranojmë këtë analizë, konkluzionet se inflacioni aktual është një fenomen i përkohshëm dhe i kushtëzuar nga faktorë me ndikim afatshkurtër, për momentin, duket i pranueshëm dhe logjikisht ai nuk do të vërë në vështirësi rritjen e ekonomisë globale. Por, ekspertë të ndryshëm evidentojnë faktin se ka vende që janë shumë më të ndjeshme karshi këtij fenomeni dhe rreshtojnë në to shtetet që kanë një borxh të lartë publik dhe sisteme të pakonsoliduara për të eliminuar ekonominë informale.
Edhe në mbledhjen e bordit të BQE, të realizuar në korrik të këtij viti, për t’i dhënë fund gjendjes deflacioniste në disa vende të Eurozonës u vendos të realizohet një politikë monetare që garanton një nivel inflacioni për dy vitet e ardhshme në nivel pak më të lartë 2% në vit. Pra, vetë institucioni monetar më i rëndësishëm europian pranon se inflacioni aktual i dy muajve të fundit është një fenomen i përkohshëm.
SFIDAT E REJA TE POLITIKES MONETARE DHE FINANCIARE POSTPANDEMIKE
Ndikimi i pandemisë në dinamikën e çmimeve është vetëm një nga sfidat, me të cilat përballen Bankat Qendrore sot. Ndërkohë kemi dhe një sërë fenomenesh ekonomike jashtë ndikimit të pandemisë, si prirjet demografike, lëvizjet në shpërndarjen e të ardhurave, tranzicionin ekologjik, nivelet e larta të borxheve publike dhe private etj. Këta faktorë ose më mirë variabla ekonomikë, të përfshira në modelet e zhvillimit të sistemit të përqindjeve “natyrore” të interesit (prezantuar nga Wicksell), japin në shumicën e rasteve vlerësime të drejta të simulimit të zhvillimit ekonomik. Në këto modele janë mbështetur Bankat Qendrore që të përcaktojmë nevojën për të luftuar tendencat deflacioniste që u shfaqën vitet e fundit me masa shumë ekspansive të politikës monetare ose inflacioniste, që u përdorën për kapërcimin e efekteve negative të pandemisë. Këtu lindin diskutimet e dy grupeve të tjera të ekonomistëve që mbrojnë teorinë e “inflacionit patologjik” apo inflacionit si element “vetëshkatërrues i sistemit monetar”.
Përkrahësit e “inflacionit patologjik” mbështesin idenë se shkaku i inflacionit të pritshëm në vitet e ardhshme janë pasojë e emetimeve të monedhës së bere nga Bankat Qendrore në gjithë vendet e zhvilluara, përfshire dhe Kinën. Në fazën e parë kjo monedhë nuk kaloi në kanalet e konsumit, sepse konsumi ishte i kufizuar nga vetë pandemia, por kaloi në tregjet financiare. Pasi bëri një xhiro në to dhe u shtua, filloi dalëngadalë të ndihet te lëndët e para dhe energjia, pastaj në ushqime dhe më vonë edhe në shërbime. Sipas tyre, tregu i lëndëve të para dhe i energjisë do të funksionojnë si multiaplikatori financiar, duke çuar në rritjen e çmimeve kudo dhe në çdo gjë. Është e pamundur, thonë ata, që ky presion të mos kalojë edhe në tregun e punës dhe inflacioni mos ketë efekte edhe në nivelin e pagës. Kështu, pas verës së vitit 2022, ata mendojnë se do të hymë në një spirale të rrezikshme së rritjes së çmimeve dhe rritjes së pagave që do të ndalojë dhe kontraktojë rritjen e vërtetë ekonomike. Në këtë mënyrë, sipas modeleve makroekonomike të tyre në momentin që rritmi i rritjes së inflacionit do të kapërceje ritmin e rritjes ekonomike bota do të hyjë në recesion dhe do të shfaqen përsëri sëmundjet kronike të falimentimeve, plasja e flluskave financiare, rritja e kostos së shërbimit të borxhit publik dhe rritja e kredive të këqija. Të gjitha këto fenomene do të kthehen në problem themelor të ekonomisë reale. Këto modele të përdorura sot më shumë për të vlerësuar riskun e investimit financiar në kohë mbështeten në një raport kyç atë të ritmit të rritjes ekonomike dhe ritmit të rritjes së inflacionit. Ne momentin që ky raport do të jetë më i vogël se 1 për ta fillon kriza, ndërsa kur është më i madh se 1 ajo shtyhet në kohë. E vetmja gjë që partizanët e kësaj rryme ekonomike nuk thonë është fakti se probabiliteti që inflacioni të rritet më shpejt se rritja ekonomike në kushtet aktuale është shumë i vogël.
Politika ekspansioniste e Bankave Qendrore, që synon të mbulojë sistemin ekonomik me likuiditet për të përballuar krizën (paketat mbështetëse) ka ulur yieldet e obligacioneve në nivelet më të ulëta historike dhe i ka bindur investitorët që të fokusohen në aksionet për të marrë një fitim më të madh. Nëse inflacioni alarmon Bankat Qendrore, ekziston perspektiva e një ndryshimi të hershëm që do të bëjë investitorët t’i kthejë sytë përsëri në tregun e obligacioneve, siç ka ndodhur tashmë javët e fundit, me yield-et e obligacioneve amerikane të thesarit2 . Është pikërisht ky fakt që balancon situatën dhe nuk lejon rritjen e inflacionit më shume se ritmi i rritjes ekonomike.
Përkrahësit e inflacionit si faktori kryesor “vetëshkatërrues i sistemit monetar” janë njëkohësisht edhe përkrahësit e tregut të kriptomonedhave. Ata shtrojnë pyetjen: Vlera e kriptomonedhave nuk ka qenë kurrë kaq e lartë, mos ka të bëjë kjo me sasinë e madhe të likuiditeteve të hedhura në treg?
Elon Musk “u çmend” duke investuar një miliardë e gjysmë dollar ne kriptomonedha dhe ka premtuar se do t’i pranonte ato si mjet pagese për Teslën e tij. Themeluesi i “Twitter”, Jack Dorsey, vendosi në një çip një shumë prej 170 milionë dollarësh. Edhe kjo një tjetër çmenduri? Po flasim për instrumentin financiar më përçarës të momentit: bitcoin. Bitcoins-at janë një lloj monedhe dixhitale që sot është në buzët e të gjithëve për udhëtimin e jashtëzakonshëm në rritje të vitit të fundit. Ajo, përveç njerëzve më të pasur, është duke joshur jo vetëm tregtarët me përvojë të bursës, por edhe kursimtarët e vegjël. Kjo është aq shumë e vërtetë që Coinbase3 , platforma e parë e dedikuar tregtare, u rendit në Nasdaq, bazuar në ritmet e larta të rritjes në këtë periudhë, në të njëjtin nivel me kapitalin e përbindëshave të shenjtë si Goldman Sachs. A janë këto ndryshime epokale në sistemin financiar? Për shkak se ethet e rrezikshme të bitcoin-it dhe kriptomonedhave të tjera (ditët e fundit edhe Amazon Coin) janë një nga efektet anësore të pandemisë, përkrahësit e tyre mundohen te argumentojnë se ato do të ndryshojnë gjithë sistemin financiar dhe bankar të botes duke filluar pas mbarimit të saj. Le t’i kthehemi pak historisë dhe efektit të krizës se mbiçmimeve të vitit 2007. Aty u pa qartë se kur Bankat Qendrore në mbarë botën, ndalojnë së dopuari tregjet, vlerat financiare bien dhe bien shumë fort. Njerëzit jo vetëm humbën shtëpitë dhe pasuritë, por në shumë raste dhe perspektivën për të ardhmen. E njëjta gjë mund të ndodhë dhe me kriptomonedhat që në momentin që BQ nuk do të emetojnë më para vlera e kriptomonedhave ka të ngjarë të kthehet në nivelet e 5 viteve më parë.
KONKLUZION:
Inflacioni për momentin duket si një shfaqje e përkohshme dhe në fund të vitit të ardhshëm do ta drejtojë trajektoren e vet drejt rënies. Ndërkaq, të gjitha bankat qendrore në vendet kryesore në botë po orientohen drejt politikave monetare që të sigurojnë stabilitetin e çmimeve të konsumit, pra, për të arritur një normë inflacioni të tillë që të mos ndikojë në vendimet ekonomike të familjeve dhe bizneseve. Njëhershmi përpjekjet e tyre janë për ruajtjen e stabilitetit financiar. Kjo është edhe vëmendja e Bankës së Shqipërisë, duke orientuar drejt kahjen e politikës monetare.