Universiteti Politeknik i Tiranës hap dyert për 1960 studentë të rinj për vitin e ardhshëm akademik.
Andrea Maliqari, rektor i këtij universiteti, bën me dije se bën të ditur se pas 3 vitesh pezullimi nga Ministria e Arsimit, janë propozuar kuota dhe për studimet e doktoraturës.
Gjithashtu, për herë të parë, këtë vit pranë Fakultetit të Arkitekturës do të hapet një program i ri studimi Arkitekturë në interier dhe dizajn.
Sipas Maliqarit, kriteret e pranimit në Arkitekturë do të jenë të njëjta me programet e tjera, ndërkohë që vitin e ardhshëm do të rikthehet testimi i veçantë.
“Ne kemi respektuar atë numër kuotash që kemi pasur edhe vitin e kaluar rreth 1960 kuota. Pas një ndërprerje kemi përcaktuar edhe kuota që i takojnë studimeve të nivelit të tretë të doktoraturës. Tarifat e studimit në të gjitha programet e studimit nuk kanë ndryshuar”, shprehet Maliqari.
Hapet për herë të parë bachelori në Arkitekturë interieri dhe në dizajn me një numër 31 kuotash në total. Për Arkitekturën në programin e integruar master i shkencave 117 kuota dhe master i integruar i Urbanistikës 64 kuota. Vitin tjetër do të organizohet më ndryshe programi i studimeve të Arkitekturës në masterin e integruar duke tentuar në një test më të veçantë në raport me programet e tjera të studimit, por sivjet do të qëndrojmë përsëri në ato kritere që kanë qenë vitin e kaluar”, sqaron rektori i Politeknikut për Ora News.