Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj ka komentuar paketën “Anti-KÇK” që nisi punën për goditjen e krimit të organizuar ditën e sotme.
E ftuar në emisionin “Real Story” në News24, Felaj tha se ky akt nuk shkel Kushtetutën, pasi sipas saj nuk përmban asgjë të panjohur.
Sipas deputetes së PS-së, çdo veprim i policisë, në goditjen e kokave të krimit dhe pasurive të tyre të paligjshme, do të pasohet nga kërkesa te prokurori e gjyqtari.
“Akti Normativ është një instrument në duart e qeverisë, është një ligj që e ka filluar tashmë veprimin e vet. Gjithçka në thelbin e këtij akti normativ nuk është e panjohur, përkundrazi çdo gjë që shkruhet aty merr shkas nga parime. Po ta shihni Aktin Normativ, çdo veprim i policisë është i pasuar nga kërkesa te prokurori dhe më andej te gjykatësi. Edhe kur policia gjyqësore vepron me iniciativë, nuk është e panjohur. Policia gjyqësore ndalon pa pritur urdhrin e prokurorit, sekuestron, kontrollon banesën e personin, të gjitha pa urdhër prokurori, kur situata paraqitet e ngutshme. Por, të gjitha këto veprime më andej kontrollohen nga prokurori dhe gjykatësi. Policia Gjyqësore vepron me iniciativë. Këtë e përcakton edhe ligji i vjetër.
Hipoteza që dikush, që do vihet nën efektin e zbatimit të masave parandaluese, qofshin me karakter personal apo pasuror, dikush do ketë të drejtën të dëgjohet nga një gjykatës. Në rastin kur merren masa me karakter pasuror, është një lloj procedure tjetër, që është e ngjashme me atë të Anti-Mafias dhe që barra i takon personit, për të justifikuar pasurinë e tij. Akti Normativ riafirmon veprime të policisë, atribute të policisë, prokurorisë e gjykatës por në rastin konkret vendoset fokus në kryerjen e atyre veprimeve që bëjnë të mundur luftën kundër krimeve, grupeve kriminale. Pra, bëhet fjalë për një katalog krimesh të rënda. Hetimi pasuror që zhvillohet sot 11 vite, është një hetim që nuk kërkon detyrimisht që dikush të jetë i dënuar. Hetimi pasuror presupozon vendosjen e masave pasurore të sekuestrimit dhe konfiskimit, për sa kohë nuk vërtetohet ligjshmëria”, tha ajo.