Një 27 – vjeçar i arrestuar tre ditë më parë për vjedhje me dhunë ka ndërruar jetë në Komisariatin e Korçës. Për ngjarjen ka reaguar dhe ish-kryeministri Sali Berisha i cili ngre akuza të rënda ndaj policisë dhe thotë se e kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe i kanë marrë jetën që të pranonte akuzën për vjedhje.
Berisha i shpreh ngushëllime familjes së 27-vjeçarit dhe gjithë komunitetit rom në Korçë, ndërsa iu bën thirrje qytetarëve të ngrihen për të përmbysur regjimin.
Ndërkohë policia deklaroi se i riu u gjet i pajetë në ambientet e paraburgimit.
Vdekja paraprakisht dyshohet natyrale. I riu ishte përdorues i lendeve narkotike. Ka qenë i dënuar më herët për vjedhje. Ene Ftoi u arrestua pasi vodhi me dhunë varësen e floririt të një qytetareje. Trupi i pajete ndodhet në murgun e spitalit të Korçës.
Postimi i plotë i Sali Berishës
Masakrohet barbarisht deri në vdekje nga racistët, kriminelët me uniformë babai i tre fëmijëve, Enea Ftoi! Të dashur miq, racistët e kriminelet me uniformë kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe i kanë marrë jetën si xhelat të riut 27-vjeçar rom, prind i tre fëmijëve, në qelitë e komisariatit të Korçës.
Ai ishte futur në qelitë e Komisariatit para tre ditësh me akuzë për vjedhje dhe torturuar shtazërisht gjer në vdekje për të pranuar akuzat.
Duke shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së të ndjerit Enea Ftoi dhe të gjithë komunitetit rom të Korçës dhe mbarë Shqipërisë, dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt mizor e racist që dëshmon fytyrën e vërtet të narkoshtetit të Edvin Kristaq Ramës.
Me këtë rast i bëj thirrje komunitetit rom dhe mbarë qytetarëve shqiptarë të ngrihen për të përmbysur me revoltë të fuqishme këtë regjim kriminelësh të urryer!