”Po jetojmë përmes shpatës”/ Pendesa e djalit të themeluesit të Izraelit

Nga: Sarah Helm “Middle East Eye”

Në një intervistë të gjatë, Jakov Sharet, djali i njërit prej etërve themelues të Izraelit, thotë se është penduar që u vendos në Negev në vitet 1940, dhe për të gjithë projektin sionist. “Quhem Jakov Sharet. Jam 92 vjeç. Ndodh të jem djali i një babai, për aktet e të cilit unë nuk jam përgjegjës”.

Jakov buzëqesh teksa sheh foton e babait të tij të varur në murin e dhomës së tij studimit

në Tel Aviv. Moshe Sharet ishte babai themelues i Izraelit, ministri i tij i parë i Jashtëm dhe kryeministri i dytë i vendit në vitet 1954-55.

Por unë nuk kisha shkuar të flisja për babanë e Jakovit. Me vete kisha foton e një pusi që dikur ndodhej në një fshat arab të quajtur Abu Jahja, të vendosur në rajonin e Negev, aty ku sot gjendet Izraeli i Jugut. Duke studiuar për një libër, gjeta foton e atij pusi dhe mësova diçka nga historia e fshatit Abu Jahja.

Unë kisha dëgjuar se si palestinezët që jetonin dikur atje u dëbuan gjatë luftës së vitit 1948, e cila çoi në krijimin e Izraelit. Kisha dëgjuar gjithashtu që rojet kufitare izraelite, që ngritën një postë afër fshatit para luftës së vitit 1948, nxirrnin ujë nga pusi i arabëve.

Midis tyre ishte një ushtar i ri hebre, i quajtur Jakov Sharet. Ndaj unë kisha shkuar ta takoja me shpresën se ai mund më të tregonte kujtimet e tij mbi pusin, fshatarët dhe ngjarjet e vitit 1948. Në vitin 1946, 2 vjet para luftës arabo-izraelite, Jakov dhe një grup shokësh u zhvendosën në zonën e Abu Jahja.

Synimi ishte që të sigurohej një territor prej nga ku Izraeli mund ta pushtonte zonën strategjike kur të vinte lufta. Projekt-planet e ndarjes së kufijve ia kishin caktuar zonën Negevin arabëve pasi ata ishin më të shumtë në numër se sa hebrenjtë. Por strategët e

shtetit të ri hebre, ishin të vendosur ta merrnin atë si të tyrin.

Operacioni i ashtuquajtur “11 pikat” ishte një sukses i madh, dhe gjatë luftës arabët u dëbuan pothuajse të gjithë, dhe Negev u shpall pjesë e Izraelit. “Çfarë ndodhi me fshatarët?”- e pyes. Jakov bën një pauzë. “Kur erdhi lufta, arabët ikën u dëbuan. Nuk më kujtohet mirë”-thotë ai, duke heshtur sërish.

“Jam penduar shumë për të gjitha. E çfarë mund të them tjetër?”- shton ai. Pas luftës së vitit 1948 dhe zgjerimit të Izraelit me Negev, Jakov studioi gjuhën ruse në SHBA, dhe më pas u dërgua si diplomat në ambasadën izraelite në Moskë, për t’u dëbuar disa kohë më vonë duke u akuzuar si “propagandues sionist dhe spiun i CIA-s”.

Kur u rikthye në Izrael, punoi si gazetar, dhe pas daljes në pension ia kushtoi vitet e tij të fundit themelimit të Shoqërisë së Trashëgimisë Moshe Sharet, kushtuar botimit të letrave dhe ditarëve të të atit. Këto ditarë janë vlerësuar shumë dhe cilësohen si “ndër ditaret politike më të mira të botuara ndonjëherë”.

Gjyshi i tij, Jakob Shertok – emri origjinal i familjes – ishte një nga sionistët e parë që shkoi në Palestinë, duke braktisur shtëpinë e tij në Kerson të Ukrainës në vitin 1882 pas masakrave ruse kundër hebrenjve të zonës.

“Ai e kishte këtë ëndërr të punonte tokën. Ideja e madhe sioniste ishte rikthimi tek toka e të parëve dhe largimi i hebrenjve nga aktivitetet sipërfaqësore”-thotë ai. E pyes veten se çfarë mund të ketë menduar në atë kohë gjyshi i tij mbi fatin e arabëve, të cilët në atë kohë përbënin rreth 97 për qind të popullsisë, dhe hebrenjtë rreth 2-3 për qind.

“Unë mendoj se ai besonte se sa më shumë hebrenj që të vinin këtu, aq më shumë ata do të sillnin zhvillim, dhe arabët do të ishin të lumtur. Por ata nuk e kuptuan se njerëzit nuk jetojnë vetëm me para. Pra ne do të duhej të ishim fuqia dominuese, dhe arabët do të duhej të mësoheshin me këtë gjë.

Brezi i gjyshit tim ishte ëndërrimtar. Nëse do të kishin qenë realistë, ata nuk do të kishin kurrë një Palestinë. Asnjëherë nuk është e mundur që një pakicë të zëvendësojë një shumicë që ka jetuar prej qindra vjetësh në këtë tokë. Nuk mund të funksionojë kurrë”- thotë ai.

Katër vjet më vonë, Jakobi u pendua dhe u rikthye në Rusi, jo për shkak të armiqësisë së palestinezëve, por sepse e kishte të pamundur të siguronte jetesën. Shumë nga kolonët e hershëm hebrenj në Palestinë, zbuluan se jetesa përmes punimit të tokës ishte shumë më e vështirë sesa e kishin imagjinuar.

Ndaj ata u rikthyer në Rusi të dëshpëruar. Por në vitin 1902, pas masakrave të tjera nga rusët, Jakob Sharet u kthye sërish në Palestinë, këtë herë me një familje përfshirë djalin Moshe, 8 vjeçar. Palestinezët ishin ende në pjesën më të madhe mikpritës të hebrenjtë, pasi për ta kërcënimi i sionizmit ishte ende i paqartë.

Madje një anëtar i familjes së pasur Husein, i ofroi gjyshit të Jakovit shtëpinë e tij me qira në fshatin Ein Sinja, që sot gjendet në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Për dy vjet, gjyshi Shertok jetoi atje si një gjysh arab, ndërsa fëmijët e tij ndiqnin një kopsht palestinez.

“Babai im kulloste delet, mësoi arabisht dhe përgjithësisht jetoi si një arab”-thotë Jakov.

Por plani sionist ishte të jetonin si hebrenj. Ndaj familja u zhvendos në qendrën hebraike në Tel Aviv që po zgjerohej me shpejtësi, ndërsa Moshe po përvetësonte çdo aftësi, përfshirë studimin e ligjit osman në Stamboll, që të çonte përpara projektin sionist.

Falë Deklaratës së Balfurit të vitit 1917, e cila premtoi krijimin e një shteti hebre në Palestinë dhe shënoi fillimin e sundimit kolonial britanik, planet për një shtet hebre u dukën më të mundshme, dhe gjatë 2 dekadave të ardhshme, Moshe Sharet ndihmoi në krijimin e këtij shtetit, duke u bërë një figurë kryesore në Agjencinë Hebraike, që ishte qeveria provizore e shtetit që pritej të ngrihej.

Thelbësore për projektin ishte krijimi i një shumice hebreje, dhe marrja nën kontroll e sa më shumë tokave që të ishte e mundur. Për këtë gjë Sharet punoi ngushtë me aleatin e tij David Ben-Gurion. Emigracioni u shtua me shpejtësi dhe toka u ble zakonisht nga pronarët arabë që kishin migruar vetë.

Ritmi i ndryshimit demografik në rajon, provokoi revoltën palestineze të vitit 1936, e cila u shtyp brutalisht nga britanikët. Pas saj, a pyeti ndonjëherë kryeministri i ardhshëm nëse mund të funksiononte shteti hebre?

“Jo. Babai im dhe të tjerët mendonin ende se shumica e arabëve do ta shisnin nderin e tyre kombëtar për ushqimin që do t’u jepnim. Ishte një ëndërr e bukur, por me koston e të tjerëve. Dhe kushdo që nuk ishte dakord ishte tradhtar”- thotë Jakov.

Si një adoleshent në fillim të viteve 1940, Jakov nuk vuri në dyshim pikëpamjen e babait të tij. Përkundrazi.“Kur isha në Lëvizjen Rinore Zioniste, ne rrethonim fshatrat arabe, dhe unë shihja një fshat arab, dhe mësoja emrin e tij hebraik si në Bibël.

Dhe në atë kohë ndjeja që koha nuk ishte ndarë mes neve dhe atyre. Unë kurrë nuk kam qenë njëfetar, por kështu ndihesha”- shprehet ai. Pas Luftës së Dytë Botërore, në moshën 19 vjeçare, Jakov u zgjodh si një mukhtar hebre, ose drejtues i fshatit, në një zonë gjysmë ushtarake në Negev.

“Në atë kohë nuk mendoja shumë për politikën. Ëndrra jonë ishte ta nderonim atë vendbanim”-kujton ai. Moshe Sharet, tashmë një figurë kryesore politike, njihej si një i moderuar, dhe si i tillë u pa me dyshim nga disa izraelitë të linjës së ashpër.

Vendbanimet e reja në shkretëtirën Negev, ishin planifikuar të funksiononin si qendra për mbledhjen e inteligjencës në lidhje me arabët. Në atë kohë Jakov njohu shumë fshatra të

tjerë arabë, si Burajr “që ishte gjithnjë armiqësor”, sidomos një fshat i quajtur Huxh.

“Unë kam shkuar shpesh në Huxh dhe e njihja mirë atë”-shtoi ai. Gjatë luftës së vitit 1948, banorët e Huxh arritën një marrëveshje me shkrim me autoritetet hebraike që të lejoheshin të qëndronin, por gjithsesi në fund u dëbuan ashtu si banorët e 247 fshatrave të tjerë të kësaj zone, kryesisht drejt Gazës.

Palestinezët i quajtën dëbimet si Nakba(katastrofa e tyre). Vetë Jakov kujton disa nga mizoritë e saj kohe, përfshirë ngjarjet në Burajr, ku në maj 1948 ndodhi një masakër,

me 70 deri në 100 fshatarë të vrarë, sipas të mbijetuarve dhe historianëve palestinezë.

“Një nga djemtë tanë ndihmoi në pushtimin e Burajr. Mbaj mend që na tha se kur arriti atje arabët kryesisht kishin ikur. Ai hapi derën e një shtëpie dhe pa brenda një plak, të cilin e  qëlloi për vdekje. Ai kënaqej duke e qëlluar”-deklaron ai.

Në kohën kur u pushtua Beersheba në tetor 1948, Jakov hipi bashkë me shokët e tij në një kamion për të bërë një inspektim në zonë. Ishte krejtësisht bosh. E gjithë popullsia prej rreth 5.000 palestinezësh ishte dëbuar dhe çuar me kamionë në Gaza.

Kisha dëgjuar se kishte pasur edhe shumë plaçkitje. “Po,ne morëm gjëra nga disa shtëpi të boshatisura. Morëm atë çka mundëm, orendi, radio, enë kuzhine. Jo për veten tonë, por për të ndihmuar kibucin (fermën). Tek e fundit, Beersheva ishte bosh dhe tanimë nuk i përkiste askujt”- thotë ai.

E pyes se çfarë keni menduar për këtë më vonë? Ai bën një pauzë. “Atëherë nuk e kemi menduar. Babai im ishte njeri me moral. Unë nuk mendoj se ai ishte palë në urdhrat për të dëbuar arabët. Ben-Gurion po. Por im atë e pranoi si një fakt. Mendoj se ai e dinte që diçka po shkonte keq, por nuk e kundërshtoi”- shton Jakov.

Por shumë më mizor se Sharet ishte Moshe Dajan. I emëruar pas luftës si shef i shtabit të ushtrisë nga David Ben-Gurion, kryeministri i parë i Izraelit, Dajan kishte për detyrë të mbante larg refugjatët nga Negev.

Në vitin 1956, një refugjat nga Gaza vrau një kolon izraelit, Roi Rotberg, dhe në varrimin e tij, Dajan i nxiti izraelitët të pranonin një herë e përgjithmonë, se arabët nuk do të jetonin kurrë në paqe pranë tyre. Ky fjalim i bëri shumë përshtypje Jakov Sharret.

“Unë thashë që ai ishte një fjalim fashist. U thoshte njerëzve që të jetonin me shpatë në dorë”-thotë ai. Moshe Sharet, që në atë kohë ishte Ministër i Jashtëm, kishte kërkuar kompromis përmes diplomacisë, dhe për këtë arsye ai u quajt “i dobët”.

Por vetëm në vitin 1967, kur nisi të punonte si gazetar për gazetën kryesore izraelite “Maariv”, Jakov nisi ta humbë besimin e tij tek Sionizmi. Në luftën arabo-izraelite të vitit 1967, Izraeli pushtoi territore të reja këtë herë në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës.

Duke vizituar Bregun Perëndimor, Sharet pa fytyrat e shtangura por sfiduese të arabëve, dhe u ndje sërish “i shqetësuar”, sidomos kur vizitoi fshatin e tij të vjetër familjar Ein Sinja, për të cilin babai i tij, që tani më kishte vdekur, i kishte folur me shumëdashuri.

Ishte pikërisht kur Moshe si fëmije kulloste delet, dhe kur mësoi se “arabët ishin njerëz”, siç do të thoshte vetë Moshe Sharet në një fjalim të mëvonshëm. “Fshatarët ishin nën tronditjen e parë të pushtimit. Ata e dinin që hebrenjtë ishin tani fuqia dominuese, por nuk shfaqën ndjenja urrejtjeje. Ata ishin njerëz të thjeshtë.

Dhe mbaj mend që disa banorë erdhën dhe më thanë duke buzëqeshur se e mbanin mend familjen time dhe shtëpinë në të cilën jetonte familja jonë. Ne i buzëqeshëm njëri-tjetrit dhe unë ika. Nuk u ktheva më atje. Nuk më pëlqente as profesioni i gazetarit, dhe nuk doja të shkoja atje si një padron”- shprehet ai.

Tani në moshën 92 vjeçare, Jakov thotë se historia që filloi me vetë idenë e Sionizmit, e cila ishte një ide utopike. “Ajo synonte të shpëtonte jetën e hebrenjve, por me koston e krijimit të një kombi pushtues që banon në Palestinë. Konflikti ishte i pashmangshëm që nga fillimi”- gjykon ai.

E pyes nëse ai e quan veten një anti-sionist. “Unë nuk jam një anti-sionist, por unë nuk jam një sionist”- përgjigjet ai. Në mur pranë fotos së babait të tij, janë të varura fotot e fëmijëve dhe nipërve të tij. Dy nga mbesat e Jakov kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara. “Nuk

kam frikë të them se jam i lumtur që ato janë atje dhe jo këtu”- thekson ai.

Me pikëpamjet e tij, vetë Jakov është tani një pakicë e vogël, që jeton mes një shumice hebrenjsh të krahut të djathtë këtu në Izrael. Dhe ata janë të“rrethuar”jo vetëm ideologjikisht por edhe fizikisht. Ai tregon se sot mezi mundet të lëvizë nëpër Izrael.

Jakov nuk pranon që të shkojë në Jerusalem, për të cilin thotë se është pushtuar nga

hebrenjtë fetarë ultra-ortodoksë.“Kjo është një nga katastrofat më të tmerrshme. Kur

ishim të rinj ne mendonim se feja do të zhdukej”- deklaron ai.

92-vjeçari thotë se po mendon të largohet. Nëse anëtarët e tjerë të familjes së tij do të bashkoheshin me të, ai do të ikte. “Tashmë mijëra njerëz po largohen, shumica kanë nga2 pasaporta. Me Netanjahun kemi qeverinë më të keqe që kemi pasur ndonjëherë”-thotë ai.

“Ne po jetojmë përmes shpatës, siç tha dikur Moshe Dajan. A thua se jemi të detyruar ta bëjmë Izraelin një lloj kështjelle kundër pushtuesve. Por unë nuk mendoj se është e mundur të jetohet përgjithmonë me shpatë”-shprehet Jakov.

E pyes se si e sheh ai të ardhmen e palestinezëve?“E çfarë mund te them? Ndihem shumë keq për ta. Dhe nuk kam frikë të them se trajtimi i palestinezëve sot është një trajtim nazist. Sigurisht që nuk kemi dhoma gazi, por mentaliteti është i njëjtë. Ka urrejtje rracore. Ata trajtohen si qenie nën-njerëzore”-thotë ai.

Jakov është i vetëdijshëm se do të akuzohet për “antisemitizëm”për shkak se thotë gjëra të tilla, por thotë se Izraeli është “një shtet kriminal”.“Dhe mos harroni se vetë qëllimi i sionizmit ishte të çlironte hebrenjtë nga mallkimi i antisemitizmit, duke u dhënë shtetin e tyre. Por sot, me sjelljen e tij kriminale, shteti hebre është një nga shkaqet më serioze për këtë mallkim”-deklaron ai.

Po cili është parashikimi i tij për shtetin hebre? “Do t’ju tregoj se cili është parashikimi im. Nuk kam frikë që ta them. Kur të vijë koha, mund të jetë edhe nesër, do të ketë një luftë, ndoshta me Hezbollahun …

Një katastrofë e madhe e një lloji që do të shkatërrojë mijëra shtëpi hebreje. Ndaj njerëzit nuk do të shohin asnjë arsye për të qëndruar më këtu. Të gjithë izraelitët e arsyeshëm do të duan të largohen”-përfundon ai.

Burimi i lajmit: https://www.middleeasteye.net/big-story/yaakov-sharett-zionism-israel-palestinians-nakba-negev

Përshtatur nga TIRANA TODAY