Nga: Ilir Demalia
Rastësisht, në orën 8 të mëngjesit, të 19 majit, sekretarit amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i vjedhin telefonin kur po shkonte në punë me autobuzin e linjës. Ende nuk është marrë vesh nëse ishte një veprim i mirëorganizuar nga agjenturat e huaja, sepse dihet se CIA nuk ka tagër që të kryejë aksione në tokë amerikane. Deri më tani, nga sa qarkullon në shtypin ndërkombëtar dhe shqiptar, flitet se kanë qenë disa njerëz që duan të hedhin në erë krejt trashëgiminë demokratike të Ballkanit perëndimor. Pasi e grabitën telefonin, një person shkroi këto radhë:
“Aktet e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, kanë minuar demokracinë në Shqipëri. Unë shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ne qëndrojmë se bashku me partnerët tanë në Shqipëri kundër korrupsionit”.
Ky mesazh me pak rreshta mori menjëherë vëmendjen e të gjitha medieve në Shqipëri. Kurora e lavdisë së hedhjes së komunizmit, sapo i ishte hequr ish-presidentit Berisha, pikërisht nga ata që ndihmuan në rrëzimin e komunizmit në mbarë botën, amerikanët.
Zgjedhjet e fundit në tokën amerikane morën vëmendjen e qytetarëve dhe analistëve të shumtë anekënd botës për shkak të garës së fortë dhe akuzave për dyshimet mbi ndërhyrjen ruse në ato zgjedhje. Në një dokument të bërë publik nga mediet amerikane, një raport i komunitetit amerikan të inteligjencës hodhi dritë mbi këto akuza duke sjellë edhe fakte se si kishte ndikuar ndërhyrja ruse te zgjedhësit amerikanë.
Në mediet amerikan u shfaq gjithashtu një lajm i rëndësishëm se si më shumë se 50 ish-zyrtarë të lartë të inteligjencës kishin nënshkruar një letër, duke përshkruar se djali I presidentit Joe Biden, Hunter Biden “ka të gjitha premisat klasike me qenë shënjestra klasike e një operacioni keqinformimi rus”.
Le të vijmë te zgjedhjet në Shqipëri. Brenda pak ditësh ka një inflacion akuzash ndaj dy kryediplomatëve amerikanë: Rex Tillerson, ish – Sekretar Shteti dhe Anthony Blinken, sekretar aktual i Shtetit.
Po të bashkosh akuzat e forta ndaj tyre, me akuzat që janë bërë ndaj ish-ambasadorëve amerikanë, shto dhe ato të Bashkimit Europian, logjika të thotë se Perëndimi paskesh vite që punon kundër interesave të Shqipërisë, por liderët shqiptarë duke qenë ithtar të demokracisë i kanë penguar ata që ta shkatërrojnë vendin.
Ndërkohë, del në pah krejt e kundërta, që liderët politik shqiptarë e kanë reduktuar demokracinë në pluralizëm, ku alternimi i subjekteve politike ka prodhuar veccse stanjacion dhe korrupsion masiv.
A e ka fajin Amerika se pse Shqipëria, një vend në zemër të Europës, të ngjajë politikisht si me qenë ndonjë vend satelit i Rusisë?
Le të vijmë te intervista e mbrëmjes të së hënës, e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, për “Syri” Televizion.
- Kush e shtyu zotin Llalla që të bënte një intervistë ku të sillte në vëmendje zotin Tillerson?
- Pse ishte aq i interesuar drejtuesi i emisionit, zoti Peka, për të bërë pyetje në formë hetimi ndaj zotit Llalla?
- A përkon përplasja me zotin Llalla me ish-ambasadorin Lu, me përplasjen që ka zoti Berisha me zotin Lu?
- A e ka shtyrë Berisha, Llallën që të dal te “Syri” Televizion?
Shqiptarët duhet që të kuptojnë se përballja e politikanëve shqiptarë me disa zyrtarë amerikanë, të cilët mund të jenë edhe të korruptuar, nuk është përballje e interesave të tyre me ato amerikane. Diversioni për ta devijuar përplasjen Berisha, Meta me DASh-in, si përplasje të interesave shqiptare me ato amerikane, është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet shqiptarëve në arealin ballkanik.
Dua të sjell në vëmendje një pjesë të fjalës të ish-kryeministrit Fiqri Dine në korrik të vitit 1944:
“Mbi gjithshka Zotin deputetë, qëndron ideali kombëtar: Kombi Shqiptar, tansija ethnike shqiptare, vllaznimi shqiptar n’emnin e Atdheut, rendi publik dhe përparimi.
Asht detyrë e gjithsecilit prej nesh dhe e të gjithëve së bashku t’i a përshtasim metodikisht veprimet t’ona këtij ideali të përbashkët që për ne asht Shqipnija ethnike.
Tue pasë gjithnjë këtë qëllim, neve do të qëndrojmë besnikë vehtes t’onë e njani tjetrit, e tërthorazi do të qëndrojmë besnikë kushteve të pushteteve të mëdhaja ndërluftuese dhe do të jemi korektë me fqinjët t’onë.”
Kjo është një pjesë nga fjalimi i Fiqiri Dines mbajtur në Kuvend, në korrik 1944, me rastin e votëbesimit të qeverisë. Shqipëria kishte shpallur kursin e asnjëanësisë, ndaj dhe kryeministri i kohës thotë se “do t’i qëndrojmë besnikë kushteve të pushteteve të mëdhaja ndërluftuese”. Vlen të sillet në vëmendje se me kontributin e atdhetarëve si Fiqiri Dine, Mustafa Kruja dhe shumë klerëikë, u mundën të shpëtoheshin nga kampet naziste mbi 2000 hebrenj në Shqipëri. Johanna Nuemann, një hebreje që ka shpëtuar në Shqipëri, thotë se asnjëherë nuk e ka harruar mikpritjen që iu bë asaj dhe familjes së saj, kur iu desh të largoheshin nga Hamburgu për t’u strehuar në Shqipëri. Në gjashtë vitet e fshehjes, familja Neumann ndërroi 17 vende qëndrimi në përpjekje të vazhdueshme për të mbijetuar.
Kjo ka qenë tema kryesore e debatit në politikën shqiptare që me shpalljen e pavarësisë në vitin 1912.
Ndërkohë, pas vitit ’45 nis një formë tjetër e ligjërimit. Për lehtësi po e quajmë “Rreziku anglo-amerikan”. Amerika ka shumë për t’u kritikuar, dhe unë jam një ndër ata që kam mësuar se demokracia dhe kritika janë binom. Por në Shqipëri ndodh që kritikat janë sipas mideve të liderit të radhës. Nëse fillojmë dhe e identifikojmë liderin me kombin, ngjan ka disa probleme në këtë mes. Sepse Enveri identifikonte veten me kombin, populli e identifikonte me Shqipërinë, dhe goditja e Enverit ishte goditje ndaj interesave kombëtare shqiptare. Berisha e identifikon veten me demokracinë, demokracia është rendi i ri i pas viteve ’90, dhe me këtë logjikë enveriste, goditja e Berishës nga amerikanët është goditje për interesat e shqiptarëve. Si përfundim, Berisha është enverist, as shqiptarët, as amerikanët.
Ish-kryeministri S. Berisha shkruan në një reagim të tijin në faqen sociale Facebook se ka folur kundër copëtimit të Kosovës, dhe kjo është një nga arsyet se pse ka marrë atë “fletë rrufe”.
Të gjithë e dinë se shteti flet me letra dhe njeh letrat. Publicistika është një mënyrë për të shpërfaqur problematika dhe opinione të ndryshme për publikun. Andaj, menjëherë, pyetja e çdo mendjeje të kthjellët është: në cilat tavolina diplomatike e ka mbrojtur Kosovën nga copëtimi ish-kryeministri? Nëse copëtimin e paskesh dashur një filial brenda Amerikës, dhe këtë e paskesh ndalur Berisha, pyetja është po fuqia e kartës kundër të Merkelit ku është?
Pra, Berisha dhe Merkeli janë binom në Ballkan, dhe amerikanët ua kanë me të hedhur. Marshalli sheh ëndrra me kancelarë.
KLIKA EKONOMIKE
Me ardhjen e pluralizmit në Shqipëri, qytetarët shqiptarë prisnin që të ndërtoheshin të gjitha institucionet dhe proceset që të mbërrinte edhe demokracia. “Kapitalizmi dhe Liria” është vepra e një autori të rëndësishëm amerikan, që pak a shumë thotë se tregu është i rëndësishëm në rritjen e mirëqenies së qytetarëve, dhe demokracia institucionale e ndihmon këtë treg të lirë.
Por, që në krye të herës kur na u tha nga sekretari amerikan “Liria jep fryte”, nisi implementimi i Doktrinës së Shokut. Shqipëria një treg i mbyllur për 50 vjet, brenda natës u hap. Amerika është përtej oqeanit, por të interesuar për të mbushur boshllëqet në tregun shqiptar kush janë? Sigurisht që fqinjët. Dhe shohim ditë pas dite se si nuk ka politika për të sjellë projekte investimi në bujqësi dhe industri amerikane apo gjermane, por shkatërrimin e çdo industrie sepse ai që ka në dorë traun e doganës pasurohet brenda një muaji.
Traun e doganës për ta kthyer vendin në një konsumator të mallrave fqinje, e kishte Presidenti, apo amerikanët?
KLIKA E TERRORIT
Komunizmi është parti me krah ushtarak në Shqipëri.
Mënyra më e mirë që një pakicë të qeverisë një vend është që të bëjë terror. Dhe mjaft të shohësh historinë e pas vitit 1945 në Shqipëri hypën. Në krye të vendit erdhën ata që përgjatë historisë nuk kishin hedhur një pushkë për atdhe, por menjëherë krijuan aparatin e frikshëm të Sigurimit të Shtetit për të kontrolluar, frikësuar dhe linçuar kundërshtarin.
A nuk ka ndodhur po e njëjta gjë edhe pas viteve ’90, sepse ai që dilte nga linja e liderit do të linçohej si tradhëtar i partisë dhe liderit?
KLIKA E SIGURIMIT
Te vepra e tij për Zhozef Fushenë, Stefan Cvajku ka një pasazh interesant ku thotë se Napoleoni kishte “spiunët” e tij, edhe pse Fusheja ishte ministër i Policisë. Kjo tregon mekanizmin që ndërtojnë liderët autoritarë në një shtet. Edhe Stalini kishte KGB brenda KGB-së, edhe Enveri kishte Sigurim brenda Sigurimit, edhe Berisha ka Shtet brenda shtetit. Këtë e tregon qytetari digjital. Berisha, Meta dhe Rama janë e njëjta klikë që kanë në dorë një shtet paralel në Shqipëri, ku përfshihen vrasës, banda, gjykatës, prokurorë, policë etj. Kësaj fryme dhe kësaj klike i duhen dhënë duart.
ALIBIA E SOROSIT
Berisha shkruan për Sorosin, por përdorimi i Sorosit si alibi është një narracion mbizotërues në radhët e të djathtëve, sepse ai shihet si princi i errësirës që kudo që shkel mbjell Sodomë e Gomorrë. Por nëse Sorosi me 8.6 miliard dollarë blen kaq shumë influencë në Departamentin e Shtetit, pse nuk e bën dot të njëjtën gjë Putini që e akuzojnë se ka 400 miliard dollarë. Fakti se dikush ka para dhe blen shumë influencë, dhe madje ndikon në politikën e jashtme amerikane, tregon se ne duam ta shohim mikun si veten. Shkruan një psikoanalist se nëse ka Zot në botën e kuajve, ai ka pamjen e një kali. Pra, Sorosi është për konsum të brendshëm, dhe të gjithë e dinë këtë. Sepse asnjë organizatë joqeveritare nuk mund të jetë me e fuqishme se një shtet që ka ushtri, polici dhe shërbim sekret. Por ka një rast kur një organizatë joqeveritare është më e fuqishme se një shtet, kur politikanët e atij shteti me zor presin të raportojnë ku të mundin në dyer ambasadash, për çekun e radhës. Kush e ka fajin? Sorosi apo spiunët e ambasadave? Sorosi, apo ai që mban afër spiunët e ambasadave? Sorosi, apo ai që përçan diasporën e vet dhe s’ka lobim në ShBA? Pra, më e logjikshme është se nuk është Sorosi që ua bën të keqen, por të qenit pranë linjave ruse të mendimit dhe veprimit.
Sepse, të gjithë shqiptarët e dinë se të jesh pjesë e UDB-së nuk ka ndonjë dallim nga të qenit në shërbim edhe të FSB-së ruse.