Tre persona janë shpallur në kërkim, pasi akuzohen për plagosjen me armë zjarri të 28-vjeçarit Elson Murataj. Ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme (21 prill) në Fushë Mëzes.
Policia thotë se autori i plagosjes është 26-vjeçari i identifikuar me iniciale M.G, ndërsa dy persona të tjerë kanë bashkëpunuar.
“Mbasditen e djeshme në Fushë Mëzez, Kashar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit E. M., i cili mbeti i plagosur dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se në mjetin që drejtonte autori i dyshuar shtetasi M. G., ndodheshin dhe shtetasit A. M., 29 vjeç dhe F. Gj., 35 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahje e autorit në krim”, sqaron policia.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Murataj është një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2012 ai ka plagosur me armë zjarri shtetasin A.Harokun, plagosje e cila kishte ndodhur padashje.
Ai u arrestua një vit më vonë dhe u dënua vetëm për armë mbajtje pa leje pasi rasti u konsiderua aksidental.
Ndërkohë edhe në 2014 është arrestuar, pasi ka qenë duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.