Nga: Besim Ndregjoni
Çështja e hapjes së dosjeve është një problem madhor, i cili më shumë se sa një mjet për vendosjen në vend të një të drejte legjitime, atë të “dënimit” të autorëve të ushtrimit të gjenocidit, shërben si mjet për presion politik nga forca të ndryshme politike.
Odiseja e dosjeve është mjaft e gjatë, një hap konkret u bë vetëm në 1996 me komisionin “MEZINI”, vazhdoi me komisionin “BEZHANI”, por që dështoi për faj të politikës, e cila për të mbuluar njërën apo tjetrën figurë të politikës, e la në heshtje këtë problem. Duke e parë nga ana morale, ky problem është penguar për shkak të të ashtuquajturit reagim negativ social që do të sillte hapja e tyre, e vërteta u përdor më shumë për interesa të klasës politike postkomuniste, e cila ka përdorur interesat e saj të pushtetit sesa ballafaqimin me të vërtetat tragjike të një diktature që nuk kishte asgjë të përbashkët me pushtetet komuniste në Europën Juglindore, por vazhdonte gjenocidin mbi kundërshtarët e saj siç ishim ne të përndjekurit politikë shqiptare, që kaluam një kalvar vuajtjesh, traumash, përçmimesh, fyerjesh, degradimi…
Sot, e pabesueshme për shoqërinë apo edhe për miqtë e vendit tonë. Shqipëria është vendi i vetëm ish-komunist stalinist, i cili nuk ka marrë masa serioze për të pastruar jetën e politikës nga “mbeturinat” e ish-Sigurimit të Shtetit, një institucion kriminal në funksion të pushtetit diktatorial, të cilët më shumë se kurrë sot janë në funksion të politikës e pushtetit.
Do të ishte më mirë që hapja e dosjeve të kalonte fillimisht në një rrugë vetëdeklarimi për një periudhë të caktuar kohore, e pasuar kjo me një dorëheqje nga politika ose institucionet qeverisëse e kushtetuese, nëse është pjesë e saj, duke sqaruar kushtet që e detyruan për t’u bërë pjesë e makinës së gjenocidit, rolin përkatës dhe më pas të bëhej deklarimi publik i atyre që e dyfishojnë fajin ndaj popullit shqiptar me anë të heshtjes.
Pra, problemi kryesor në Shqipëri nuk qëndron te mungesa e dëshirës për t’i hapur, por te fakti se për çfarë funksioni shërben kjo hapje. Politika i mëshon me forcë hapjes së dosjeve për bashkëpunëtorët, por asnjëherë në këto 31 vjet nuk është marrë në shqyrtim seriozisht fakti se kush i krijoi dosjet. Kush ishin përgjegjësit kryesorë të zbatimit të skemës enveriste-staliniste, e ngritjes të një pushteti diktatorial komunist, që vendet e lindjes europiane e kishin dënuar që në vitin 1956.
Kush ishin ata që me zellin e madh e praktikuan këtë skemë të veçantë në llojin e vet. Kush ishin ata që injorancën e tyre e vunë në zbatim të eliminimit të klasës së intelektualëve, duke pasur si postulat shprehjen “Armik i Popullit dhe i Partisë”. Përpara se të kërkohet hapja mekanike e dosjeve të bashkëpunëtorëve, duhet hapur një herë dosja e asaj ideologjie që u injektua te këta bashkëpunëtorë, të bëhet një analizë e të gjithë përmbajtjes së saj për të arritur në një përfundim produktiv të shkakut dhe pasojës. Vetëm duke bërë një analizë të lidhjes shkak-pasojë në rrugë profesionale dhe nga njerëz që do ta realizojnë atë me objektivitet larg pasioneve dhe subjektivitetit, do arrihet që të krijohet një tablo e qartë se çfarë do të kërkohet të arrihet nga hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve.
Fillimi duhet të jetë hapja e dosjeve të punëtorëve të “Sigurimit”. Asnjëherë deri më sot nuk janë analizuar shkaqet që çuan në hartimin e skemës së stalinizmit diktatorial shqiptar si një lloj të veçantë. Analiza ka ngelur vetëm në stadin e hipotezave apo dyshimeve të shpërndara, të cilat rrallëherë kanë një lidhje kronologjike dhe logjike të ngjarjeve, gjë e cila ka ngritur një tymnajë mbi opinionin publik, i cili një ditë lexon një dokument ku X evidentohet si komunist, apo nacionalist i orëve të para, kurse të nesërmen shfaqet në kahun e kundërt.
Kjo është një tymnajë ideologjike e demagogjike që përdoret me fortë se kurrë nga politika aktuale shqiptare, e cila si pjellë e atij regjimi e përdor këtë ideologji për pushtet dhe jo për t’i shërbyer së vërtetës dhe demokracisë, për të cilën ka nevojë shoqëria jonë. Çfarë kanë dosjet e ish Sigurimit? Studime jo të plota tregojnë se çdo tri ditë, një shqiptar ekzekutohej me ose pa gjyqe për motive politike. Çdo javë, një i burgosur politik vdiste në burg nga torturat. Çdo dy ditë internoheshin tre persona për motive politike.
Çdo 2 muaj një i burgosur politik pësonte gjymtime trupore për shkak të keqtrajtimit në hetuesi, burg ose kamp përqendrimi. Ndërsa 3 milionë shqiptarë jetonin me frikën e përhershme të persekucionit pa ligje. Lista është e gjatë… Në diktaturë veprohej dhe mbahej në këmbë kjo skemë sundimi: Diktator – Institut Marksist & Leninist – Sigurim i Shtetit. Jo pa qëllim, në krye të institutit diktatori kishte bashkëshorten e tij, e cila, përveç besnikërisë, kishte të drejtën edhe të kontrollit të materialeve që prodhoheshin dhe shpërndaheshin nga ky institut. Mijëra leksione udhëzonin sesi të shtypej mendimi i lirë, ekonomia e tregut dhe si të përgatiteshin kuadro për të mbajtur politikisht diktaturën. Nga ky institut do të shpërndaheshin volume të tëra si brenda dhe jashtë vendit, literaturë për sofistikimin e mekanizmit të funksionimit të diktaturës.
A u dënua ky institucion i krimit në pluralizmin politik? Jo, me keqardhje konstatojmë se lektorë të këtij instituti janë pjesë përbërëse themelore e politikës tridhjetëvjeçare pluraliste dhe janë të shpërndarë me funksionet e tyre si në parti politike, në drejtim të shoqërisë civile, diplomaci apo institucione kushtetuese. Strategjia e këtij institucioni synoi dhe realizoi depersonalizimin e individit dhe shkatërrimin e familjeve fisnike që kishin dhënë gjithçka për kombin, por që ishin kundërshtarë të regjimit. Stacionimi i strukturës u përqendrua në veprime psikologjike, fizike dhe ekonomike.
Ambienti ku jetonin dhe punonin këta qytetarë ushtrohej dhunë psikologjike ndaj intelektit dhe përçmohej personaliteti publikisht, qytetarët kundërshtarë të këtij regjimi, pavarësisht nga dija, arsimimi apo qytetaria që kishin, ata ishin të detyruar të provonin këto trauma, përçmime psikologjike e fizike. Organizoheshin të ashtuquajturat mbledhje popullore, në të cilat çdo qytetar kundërshtar, atakohej psikologjikisht, ose do të etiketohej me nofkën armik dhe bashkëpunëtor i imperializmit. Një pjese të mirë të popullsisë do t’i imponohej me ligj të xhunglës dhe votimi. Në aspektin fizik, individi dënohej me punët më të rënda, nuk lejohej që të punonte në bazë të aftësive, reklamohej me etiketën “dembel”, pavarësisht nga aftësitë që kishte.
Individët ishin të detyruar që të mos kundërshtonin asnjë dhunë fizike dhe t’i nënshtroheshin asaj. Në planin ekonomik, sado aftësi të kishte për të përmirësuar gjendjen ekonomike, individit i konfiskohej pasuria dhe nuk lejohej të zhvillonte mirëqenien. Metoda e depersonalizimit do të ishte bashkudhëtare e epokës diktatoriale dhe sa përmendëm më sipër këto trauma dhe tortura, ishin të përgatitura po nga ai institut.
Dhe zbatoheshin nga ish-Sigurimi i Shtetit. Së bashku me masat që përmendëm më sipër, do të përgatiteshin edhe ligje diskriminuese të aprovuara kundër kundërshtarëve politikë. Si neni 55 e disa të tjerë. Policia sekrete e quajtur ‘Sigurimi i Shtetit’ në fillimet e pluralizmit do të deklarohej publikisht sikur u dënua, por strukturat e tij ishin dhe janë ende të pacenuara. Çdo dënim në sistemin demokratik bëhet me ligj. Shtojmë se dhe sot ata që kanë mbaruar atë shkollë, janë deputetë në Parlamentin aktual. Pra, kjo strukturë kriminale ish-Sigurimi nuk u dënua me ligj. Kërkesa e shoqërisë shqiptare insiston në hapjen e dosjeve për të zgjedhur politikanë të pastër moralisht dhe politikisht apo qeveritarë të pastër e të devotshëm për të qeverisur, por kjo gjë te ne nuk ndodh. Stalinizmi-enverist nuk e lejon, e anashkalon këtë problem madhor të pastërtisë së politikanëve.
Dhe këtu, në mënyrë të fshehtë apo të hapur, u përmenden dosjet e atyre që kërkojnë dekomunistizimin e politikës aktuale, që të ndërtojmë shtet të së drejtës. Shteti i së drejtës dënon kriminelin që është punëtori i sigurimit, e ka krijuar dosjen dhe bashkëpunëtorin që i ka shërbyer kësaj dosje. Por PS dhe PD kërkojnë dënimin e bashkëpunëtorit në krim duke mbrojtur kriminelin që organizoi dhe kreu krimin. Pa u dënuar strukturat e Sigurimit të Shtetit, “Institutit marksist-leninist”, Komiteti Qendror i Partisë dhe të rretheve” që kanë përgatitur dosjet, nuk mund të shkëputen politikanët nga stalinizmi i tyre dhe të hapen dosjet. Të drejtat dhe liritë e njeriut gjatë këtij 31-vjeçari nuk u zbatuan për ish-të përndjekurit politikë, të cilët luftuan një gjysmë shekulli për to. Politika e komunistizuar luan rolin më negativ në këtë drejtim.
Ajo dezinformon komunitetin ndërkombëtar për këtë shtresë, që është 1/3 e popullsisë dhe i sjell asaj dëme të pallogaritshme në integrimin e shoqërisë. Kjo analizë nuk mund të realizohet me shkrime sporadike gazetash apo botime kujtimesh bruto nga “kaviet e eksperimentit” komunist apo eksperimentuesit, të cilët sot shfaqen në shtyp me “lëkurën e qengjit”, por me anë të asaj analize që u përmend më sipër. Për t’u theksuar është se duhet bërë një kategorizim dhe një vlerësim real i pozicionit të gjithsecilit, pavarësisht se numri i bashkëpunëtorëve është i madh, por i punëtorëve është më i vogël, dhe kjo do të kërkojë një pune kolosale.
Ky proces do të shërbejë për të krijuar një tablo të plotë se kush u bë pjesë e mekanizmit totalitar, (se anëtarët e partisë komuniste ishin pjesa e këtyre strukturave kriminale) dhe drejtojnë politikën aktuale dhe sot, sepse e ndiente si pjesë të jetës apo për të arritur një qëllim të caktuar dhe kush u bë pjesë e tij, sepse gjate kohës që ai vetë ndodhej nën trysninë e dhunës fizike dhe psikike, shihte që prindi, motra, vëllai, fëmija apo një i afërm tjetër ndodheshin në një pozitë më të rëndë se ai vetëm se këtij të fundit i kërkohej që të bëhej pjesë e mekanizmit të eksperimentit. “Spiunët në çdo moment janë të dëmshëm, por spiunët e burgut janë më të poshtrit”. (Referenca e përgatitur nga krijuesit e dosjeve, nga Sigurimi i Shtetit).
Për sa i përket kësaj shprehjeje, ekzistojnë rezerva sepse ka individë që e kanë bërë këtë poshtërsi, sepse me të vërtetë kanë qenë të tillë, por ka pasur edhe nga ata që e kanë nënshkruar “kontratën e njëanshme të spiunit” me Sigurimin e Shtetit për të mos parë fëmijën apo çdo të afërm duke u torturuar nga xhelatët me veshje moderne, por me teknika mesjetare. Ka më shume se 16 vite që A.K. P. Europës ka aprovuar rezolutën për dënimin e krimeve të komunizmit dhe Shqipëria që vuajti ma shumë se çdo shtet tjetër në Europë hesht ndaj dënimit të këtyre krimeve monstruoze dhe çnjerëzore, ndaj gjenocidit të shkatërrimit të 30-40% të popullsisë që u masakrua nga këto krime.
Megjithëse ka dhe një rezolutë të Parlamentit shqiptar të vitit 2006 e pluhurosur në sirtarët e këtij institucioni që të dënohej krimi komunist si vazhdim i rezolutës europiane. Dhe ky Kryeministër e kjo maxhorancë, në atë kohë opozitë, nuk e votuan rezolutën e dënimit të krimeve të komunizmit. Sot, në pushtet pretendojnë të hapin dosjet. Dosjet hapen kur diktatori, institucionet e krijimit të dosjeve, janë dënuar moralisht dhe ligjërisht e kur të arrihet kjo, nuk do të lejohet pingpongu i politikës aktuale, hapen apo nuk hapen dosjet.