Kryeministri Edi Rama mblodhi ditën e sotme Kryesinë e Partisë Socialiste, ku u caktua edhe data kur do të mblidhet Asambleja e PS-së.
Në përfundim të mbledhjes, në një prononcim për mediat, Rama u shpreh se kanë diskutuar mbi pasqyrën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
“Meqë ishit në diell po ju përgjigjem. Kemi bërë një diskutim mbi gjithë pasqyrën e 30 qershorit. Kemi parë me kujdes çdo qark, çdo bashki, kemi diskutuar për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku do të flasim për ç’ka është bërë dhe për ç’ka do të bëjmë në vijim pas pushimeve dhe gjëja më e rëndësishme është që kemi hapur një diskutim për ta çuar në një nivel tjetër organizimin tërësor të PS, në funksion të marrëdhënieve më të hapura, më efektive në çdo komunitet”, deklaroi Rama.
Kujtojmë se në datën 22 korrik socialistët do të mbledhin Asamblenë Kombëtare. Data kjo e vendosur në mbledhjen që u zhvillua sot në orën 10:00.