Nga: Rexhep Tajip Erdogan “Bloomberg”
Rreth një vit më parë, ushtria turke goditi pozicionet e regjimit sirian, për të ndaluar sulmin tij të fundit mbi Idlib, bastioni i fundit i opozitës, dhe për të parandaluar zhvendosjen apo vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Gjatë 8 ditëve, ne shpëtuam miliona jetë.
Vendet që e lavdëruan Turqinë në atë kohë, e harruan shpejt krizën humanitare në Siri, pjesërisht për shkak të pandemisë së koronavirusit. Lufta civile u shndërrua në një lajm të vjetër, deri në krizën e ardhshme të ndërgjegjes së Perëndimit.
Aktualisht ndërsa bisedat mbi demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut janë sërish në modë, operacionet humanitare në Siri do të jenë masa përfundimtare e sinqeritetit tonë. Unë besoj se rivendosja e paqes dhe stabilitetit në rajon, varet nga mbështetja e vërtetë dhe e fortë perëndimore për Turqinë.
Në 10 vjetorin e kryengritjes në Siri, ne duhet të kujtojmë qindra mijëra njerëz të vrarë dhe të torturuar dhe miliona të tjerë të zhvendosur -që të gjithë pasi kërkuan demokraci, liri dhe të drejtat e njeriut.
Përpjekjet e regjimit të Bashar Al-Asadit dhe mbështetësve të tij për t’i shtypur ato kërkesa legjitime çuan në rezultate të tmerrshme, përfshirë terrorizmin dhe emigrimin ilegal nëpër vende të ndryshme. Shumë vende u përfshinë në konfliktin sirian, për arsye të ndryshme apo për justifikime të ndryshme, por ata e humbën origjinën e kësaj tragjedie.
Në fund, një nga vendet më të rëndësishme të Lindjes së Mesme, është braktisur në mesin e një masakre në dukje të pafundme. Unë jam krenar të them se pozicioni i Turqisë ka mbetur i qëndrueshëm që kur filloi lufta civile siriane.
Populli turk beson se krijimi i një sistemi politik të aftë për të përfaqësuar të gjithë sirianët, është thelbësor për rivendosjen e paqes dhe stabilitetit. Ne refuzojmë çdo plan që nuk adreson kërkesat e qytetarëve sirianë për dinjitet njerëzor. Opsione të tilla vetëm sa do ta thellojnë krizën.
Njëherazi, ne theksojmë se një zgjidhje paqësore dhe e qëndrueshme, do të jetë e pamundur në mungesë të respektimit të integritetit territorial dhe unitetit politik të Sirisë. Gjatë dekadës së kaluar, qeveria ime ka mbështetur deklaratat e saj me veprime konkrete.
Përveç pritjes së miliona refugjatëve, Turqia ishte vendi i parë që vendosi trupa luftarake në terren kundër grupeve terroriste në Siri, duke filluar me ISIS-in. Ne krijuam zona të sigurta në zonat e çliruara nga organizatat terroriste, dhe ndërmorëm me durim dhe vendosmëritë gjitha hapat e nevojshëm, për të krijuar shpresë të re në këtë vend.
Fatkeqësisht, rebelët e moderuar, partnerët tanë lokalë, janë bërë shënjestër e një fushate të bashkërenduar të shpifjeve, pavarësisht nga puna dhe sakrifica e tyre për të mposhtur ISIS-in dhe Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, një tjetër organizatë terroriste.
Zonat e sigurta, të cilat krijoi Turqia në bashkëpunim me partnerët e saj vendas, janë prova e angazhimit tonë për të ardhmen e Sirisë. Këto zona janë bërë ishuj të paqes dhe stabilitetit, si dhe ekosisteme të vetë-qëndrueshme.
Ne kemi zbatuar aty programe themelore për krijimin dhe zbatimit të ligjit; kemi përmirësuar infrastrukturën civile, përfshirë energjinë dhe ujin e pijshëm; kemi rihapur shkollat dhe spitalet.
Në të njëjtën kohë, Turqia po mbikëqyr ndërtimin e mjediseve të përhershme të akomodimit për të adresuar problemin e kahershëm të strehimit në Siri, pjesë e një plani që unë e prezantova në vitin 2019 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Duke marrë që të gjitha këto masa, Turqia e ka mbrojtur Evropën nga migrimi ilegal dhe terrorizmi, dhe ka siguruar kufirin juglindor të NATO-s. Veprimet tona, të cilat pasqyrojnë vlerat tona, mbështesin pretendimin tonë se Turqia është shpresa e popujve të shtypur, mbrojtësja e të pafajshmëve dhe çelësi i një zgjidhje të këtij konflikti.
Perëndimi ka sot në dispozicion tre opsione për të zgjedhur. I pari është të kthejë kokën nga ana tjetër, teksa akoma më shumë njerëz të pafajshëm po humbin jetën në Siri. Kjo sjellje jo vetëm që do të minojë pretendimet morale të Perëndimit, por gjithashtu do të shkaktojë kërcënime të reja, terrorizëm dhe emigrim të parregullt, duke dëmtuar sigurinë ndërkombëtare dhe stabilitetin politik të Evropës.
Opsioni i dytë është marrja e masave ushtarake, ekonomike dhe diplomatike të nevojshme për zhvillimin e një zgjidhje të qëndrueshme. Ne nuk kemi asnjë arsye të besojmë se udhëheqësit perëndimorë kanë synime të tilla, pasi ata nuk kanë bërë ndonjë përpjekje serioze në këtë drejtim gjatë 10 viteve të konfliktit.
Opsioni i tretë dhe më i arsyeshëm, është që Perëndimi të mbështesë Turqinë dhe të bëhet pjesë e zgjidhjes në Siri, me kosto minimale por dhe me ndikim maksimal. Pritjet tona specifike janë të dukshme.
Ne presim që Perëndimi të ketë një pozicion të qartë kundër YPG, degës siriane të PKK, e cila po sulmon zonat e sigurta dhe po bën lojën e regjimit të Damaskut. Në vend të kësaj, mbështetja e duhur duhet të shkojë për opozitën legjitime të Sirisë si një investim për paqen dhe stabilitetin.
Për më tepër, ne u bëjmë thirrje kombeve perëndimore që të respektojnë përgjegjësitë e tyre për t’i dhënë fund krizës humanitare, pasi dështimi për të ndarë barrën që ka aktualisht Turqia me valën e refugjatëve sirianë, mund të sjellë valë të reja migrimi drejt Evropës.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ne kërkojmë që Perëndimi të investojë në krijimin e zonave të sigurta brenda Sirisë, dhe të mbështesë pa mëdyshje këtë projekt paqeje.
Ne duhet t’i tregojmë botës se ekziston një alternativë demokratike dhe e begatë për të ardhmen e Sirisë. Turqia provoi se është i vetmi vend, që mund ta bëjë atë që është e nevojshme në Siri, duke udhëhequr përpjekjet e ndihmës humanitare, duke qenë në vijën e frontit kundër grupeve terroriste, dhe duke marrë pjesë në mënyrë aktive në proceset diplomatike.
Administrata e presidentit të ri të SHBA-së Xho Bajden, duhet t’i qëndrojë besnike premtimeve të dhëna gjatë fushatës, dhe të punojë me ne për t’i dhënë fund tragjedisë në Siri dhe për të mbrojtur demokracinë. Populli turk, është i përgatitur të mbështesë çdo iniciativë që do t’i shërbejë interesave të fqinjëve tanë sirianë, dhe do të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin rajonal.
Burimi i lajmit: https://www.bloomberg.com/opinion/articles/2021-03-15/erdogan-the-west-should-help-turkey-end-syria-s-civil-war?srnd=opinion
Përshtatur nga TIRANA TODAY