Mëngjesin e sotëm, pedagogët janë mbledhur tek Korpusi i Politeknikut, duke vijuar me kërkesat e tyre drejtuar qeverisë. Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi, tha se të hënën do ketë sërish një protestë kombëtare në orën 11:00. Ai pohoi se nëse nuk do të ketë rritje të pagave, atëherë pedagogët do të vijojnë me protestën. Pedagogët kanë njoftuar bojkot të mësimit pa afat, deri në plotësimin e kërkesave, ku kryesorja është ajo për rritjen e pagave dhe shtimi i buxhetit për kërkim shkencor.
“Të hënën në orën 11:00 në protestë kombëtare, ku të gjithë pedagogët dhe studentët i ftojmë të jenë këtu dhe të diskutojmë.
Le të kthehet ky peticion si një nismë për ndryshimin e situatës në universitete. I kërkojmë autoriteteve të dekanateve që të mbledhin asambletë dhe të vendosin mbi mënyrën si ata do mbajnë qëndrim ndaj peticionit.
Kërkojmë nga përfaqësuesit e studentëve të mblidhen dhe të diskutojnë për realizimin e këtij peticioni, që kërkesat të kenë impakt të përbashkët si te pedagogët, ashtu dhe tek studentët. Nëse nuk do të ketë rritje të pagave, do vijojmë me protestën”, u shpreh kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi.