Drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato u justifikua se mosinformimi i opinionit publik mbi gjetjen e dy patentave të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në makinën e biznesmenit Orestës Sota, ka të bëjë me faktin se ato nuk përbëjnë vepër penale.
Përveç dy patentave të Tahirit dhe të bashkëshortes së tij, biznesmenit Sota iu gjetën edhe 800 mijë euro të pashoqëruara me faturë ndërsa udhëtonte me makinën e tij.
Në një deklaratë për mediat, drejtori Policisë së Elbasanit, Altin Qato theksoi se posedimi i patentave nuk përbën vepër penale dhe për këtë arsye nuk iu komunikua opinionit publik ndryshe nga shuma e parave që u gjet me shkelje për shkak të mungesës së faturës.
“Në makinën e Orest Sotës janë gjetur dy leje drejtimit të ish-ministrit Tahiri. Ne nuk e bëmë publike gjetjen e patentave të ish-ministrit Tahiri, pasi nuk përbën vepër penale”, deklaroi Qato.
Megjithatë, Qato theksoi se në materialet që iu depozituan prokurorisë së rrethit të Elbasanit u përfshinë edhe dy patentat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Biznesmeni ka lidhje me ish-ministrin e Brendshëm, pasi kompania të cilën drejtonte Sota ka rikonstruktuar komisariatin numër 6 në kryeqytet. Ndërs janë hedhur akuza nga opozita se shuma e parave ishte e vetë Tahirit.
Ky është lakimi i radhës i shoqëruar me akuzat ndaj ish-ministrit Tahiri pas dyshimeve për përfshirjen në trafikun e drogës midis Shqipërisë dhe Italisë ku i gjithë trafiku drejtohej nga kushërinjtë e tij Habilaj.
Ndërkohë njëri është në arrati, Moisi Habilaj është lënë në burg nga Gjykata e Katanias. Ndërkaq, ish-ministri Tahiri vijon të jetë nën hetim nga prokuroria. Ndërsa Kuvendi vendosi që të mos lejonte autorizimin e organit të akuzës për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, i cili tashmë po përballet edhe me dyshime të reja, siç janë ato mbi gjetjen e patentave të tij në makinën e biznesmenit Orest Sota.