Kryeministri i Kosovës në largim, Ramush Haradinaj do të mbledhë ditën e nesërme kabinetin qeveritar, ku do të parashtrojë 12 pika.
Në pikat e rendit të ditës përfshihen edhe emërimi i anëtarëve të Bordit të Autoritetit Civil, bartja e një prone nga KEK-u në Komunën e Obiliqit, si dhe vendimi për shpronësime të tokave për pikën kufitare të re mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut.
Po ashtu, është përgatitur edhe një opinion nga Zyra Ligjore e zyrës së kryeministrit, para kësaj mbledhjeje, ku konstatohet se kjo është hera e parë që ndodh një dorëheqje e tillë, që prej hyrjes në fuqi të Kushtetutës, në vitin 2008 kur Kosova u shpall shtet i pavarur.
Zyra Ligjore i referohet kuadrit kushtetuese, teksa parashikon se me gjithë dorëheqjen, Haradinaj luan rolin e kryeministrit të përkohshëm deri në zgjedhjen e Kryeministrit të ri.
Për ta sqaruar situatën merren krahasimet me kushtetutat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Kroacisë.
Zyra Ligjore e Kryeministrit konsideron se supozimi i mosekzistimit të qeverisë bie në kundërshtim logjik me nenin 4 të Kushtetutës, që flet për ekzistimin e institucioneve të rendit kushtetues.
Sipas saj Qeveria duhet të bazohet në kompetencat e saj të dhëna me Kushtetutë e legjislacionin në qeveri dhe se Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar për interpretim të Kushtetutës.
Ndër të tjera, zyra ligjore i ka kërkuar kryeministrit Haradinaj të ketë parasysh se opinionet juridike nuk kanë fuqi obligative juridike, pasi Kushtetutën e interpreton vetëm Gjykata Kushtetuese.