Kim Mehmeti
Brinjët e trekëndëshit Tiranë-Prishtinë-Shkup nuk maten me kilometra, por me orët që duhet harxhuar për të arritur nga njëri deri te kulmi tjetër i tij. Maten me orë, e jo me kilometra, sepse çdo gjë varet nga koha që do të harxhosh në vendkalimet kufitare shqiptaro-shqiptare. Vendkalimet kufitare ku mund të ndodhë që edhe librat që i keni blerë në Tiranë apo Prishtinë, të mos mund t’i ‘importoni’ në Shkup, sepse edhe për Maqedoninë e sotme, për shembull, njësoj si në atë të dikurshmen të epokës së socializmit, më i rrezikshëm është shqiptari që lexon sesa sllavo-maqedonasi që merret me trafikimin e drogës
Dhe lidhshmërinë e ‘Shqipërive’ tona, si dhe bashkëpunimin e tyre të ndërsjellë, më së miri e shpjegojnë gropat e rrugëve që lidhin Shkupin me vendkalimet kufitare me Kosovën dhe ato me Shqipërinë. E në të cilat vendkalime ka ndodhur edhe e paimagjinueshmja: të matet pesha e saktë e librave të ardhur nga Shqipëria apo Kosova për ndonjë panair të Shkupit, vetëm për ta shmangur ‘rrezikun’ që ato të mos kthehen atje nga kanë ardhur.
Ndërkohë duhet pranuar se ne shqiptarët ende dukemi si ata që nuk e kanë kuptuar se një popull e bashkojnë rrugët që i ndërlidhin vendbanimet e tij si dhe shtrati bashkëshortor i të rinjve që martohen me njëri-tjetrin. Siç duhet pranuar se një Kosovë, me mundësitë e saj modeste, ka bërë më shumë se të gjitha ‘Shqipëritë’ tona në ndërtimin e rrugëve që do t’i lidhin shqiptarët mes veti, si parakusht që ata të mund të barazojnë kalendarin kolektiv të së sotmes së tyre. Pra, gjatë dekadave të fundit Kosova ka bërë më shumë se gjithë të tjerët që trekëndëshi Tiranë-Prishtinë-Shkup të ndërlidhet me rrugë moderne, të cilat, nëse nuk e shkurtojnë kohën e pritjes në kalimet kufitare, atëherë do ta lehtësojnë udhëtimin.
Për dallim nga sot, kur shqiptarët nuk hapin rrugë jo pse dikush këtë ua ndalon, por pse janë të zënë me grindjet ndërpartiake, dikur ky popull nuk ka mundur gjithaq t’i përkushtohet ndërtimit të rrugëve të gjera si këto të sotmet, por hapjeve të shtigjeve të ngushta, rrugicave të padukshme, që të çojnë aty ku duhet, por vetëm nëse ke fat të mos të vërejnë ata që donin që vendbanimet shqiptare të mbeten si zemra me damarë të mbyllur, si zemra të cilat nuk kanë si ta shpërndajnë gjakun nëpër trupin etnik.
Pra, në të kaluarën, shqiptarët e Shqipërisë dhe këta këndej kufirit, në vend të hartave rrugore që i kishte çdo shtet dhe çdo popull, kishin topografinë e shtigjeve të fshehta, të regjistruar në mbamendjen e tyre si sekret, që nuk duhej ta dinin të tjerët. Pra, rrjeti i shtigjeve të fshehta nga ecën me shekuj shqiptarët e shumë shteteve të Ballkanit që të takoheshin mes veti, ishte i shënuar në ëndrrën e tyre që të shëtisnin lirshëm nëpër gjithë trojet shqiptare. Andaj ato shtigje të fshehta që lidhnin shqiptarët matanë kufirit me këta këndej vijave të shumta shtetërore, e që e ndanin këtë popull nga vetvetja, kurrë nuk kanë qenë të shënuara në hartat topografike, as kanë pas shenja rrugore që të tregojnë nga duhet të shkosh që të arrish lirshëm atje ku të presin me “mirëserdhe”. Nëpër ato rrugë shqiptarët kanë ecur të heshtur dhe e kanë përcaktuar drejtimin nga duhet të shkojnë, duke e ndjekur erën e gjakut të fisit që i takojnë.
Pas shumë shekujsh dhe, ndoshta për herë të parë, shqiptarët matanë kufirit dhe këta që jetojnë jashtë Shqipërisë, ndërtojnë rrugë që janë të dukshme dhe aq të gjera, sa nëpër to mund të shkosh drejt ardhmërisë. Pra, pas shumë shekujve, shqiptarët ndërtojnë rrugë të cilave me të vërtetë shpejt u harxhohet asfalti – shkaku se ndonjë shtresë të tij e ‘hanë’ politikanët – por që ndërlidhin zemrat shqiptare dhe të çojnë më tej, drejt botës së paskajshme. Andaj rrugët që nisën të ndërtohen në Shqipëri dhe ato që zgjerohen në Kosovë, nuk kanë vetëm simbolikën e damarëve të tokës që lidhin hapësirën gjeografike të një populli, por ato rrugë thurin edhe rrëfimin e ri të shqiptarisë, rrëfimin ku nuk do ketë vend për damarë të padukshëm tokësorë nga rrjedh gjaku i një populli.
Dhe jo vetëm rrugët, por edhe vlerat të tjera që krijojnë Shqipëria e Kosova, janë shenjë me të cilën identifikohen edhe shqiptarët kudo që janë. Andaj shqiptarët e Maqedonisë, ata të Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi, me interes të veçantë i kanë përcjellë edhe debatet e dikurshme rreth ndërtimit të autostradës Durrës-Morinë. Dhe duke i përcjellë ato debate, ata shpeshherë kanë mbetur të habitur nga debatuesit të cilët sa nuk i hynin në gojë njëri-tjetrit për të dëshmuar nëse kjo rrugë është ngjyrë “blu” apo “rozë”. Me çka linin përshtypje se nuk e dinë se asfalti ka ngjyrë të zezë dhe si i tillë ai mirë duket pranë së kuqes sonë kombëtare.
Pra, shqiptarët e përtej kufijve të mëmëdheut, e që kurrë nuk mund ta paramendonin se përpos trarëve në kufijtë shqiptaro-shqiptarë do të paguajnë edhe taksën rrugore të shqiptarisë, vazhdojnë të ëndërrojnë një Shqipëri e Kosovë pa gropa mendore politike, dhe me rrugë ku asfalti nuk do të harxhohet brenda një mandati qeveritar.
Po, pra, nuk ka dyshim se shumë nga rrugët që shqiptarët i ndërtuan në të kaluarën, ishin projektuar nga të tjerët. Andaj edhe ngjanin si shtigje që kanë drejtim të gabuar, që nuk të çonin më larg se aty nga je nisur. Sot, mbase për herë të parë, shqiptarët vetë i projektojnë rrugët e tyre. Dhe i ndërtojnë ashtu që ato të jenë damarë nga do të rrjedhë gjaku i një populli. Ku ta dish, ndoshta ka mes nesh edhe shumë nga ata që dyshojnë në aftësitë e këtij populli që vetë t’i projektojë e t’i ndërtojë rrugët që i nevojiten. Andaj, për shembull, shumë nga akuzat që u drejtoheshin atyre që iniciuan ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë edhe sot jehojnë si britma të pakuptimësisë, të duken si orvatje për të bërë tatuazh mbi asfalt. Nuk ka dyshim se mbi asfaltin e rrugës Durrës-Morinë do të mbetet një tatuazh i pashlyeshëm. Edhe atë ose si nënshkrimi i atyre që ishin nismëtarë të ndërtimit të kësaj rruge që bashkon një popull, ose si portret i atyre që i kritikonin ndërtuesit e rrugëve mbarëshqiptare.
Pa marrë parasysh sa rrugë janë ndërtuar dhe cila është gjendja e rrugëve që lidhin trekëndëshin tonë etnik, Tirana, Prishtina e Shkupi në çdo rrugicë kanë aq kafene sa ka vendi parti, por në tërë qytetin vështirë se mund të gjesh librari apo bibliotekë. Nëpër gjitha lagjet e kryeqendrave shqiptare ka edhe fitnes klube, ku mirëmbahet trupi, me çka e kupton se vendbanimet shqiptare i mbisundon vetëdija se është e turpshme të jesh trup ‘trashë’, por jo edhe tru ‘trashë’.
Kuptohet kryeqendrat e ‘Shqipërive’ tona kanë edhe administratë shtetërore partiake, kanë shkrimtarë e opinionistë partiakë, kanë media partiake. Ajo që u mungon është zëri i mekur i popullit, zë që do të kumtojë se në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni nuk u bë vetëm privatizimi i pronës së patundshme shoqërore, por edhe ajo e popullit. Andaj “Shqipëritë” tona ngjajnë në hapësira ku veprojnë “sekte” sekrete, të cilat nuk durojnë askënd që nuk i nënshtrohet besimit të tyre. Pra, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, dëgjohet vetëm jehona e zërave të prijësve të “popullit opozitarë” dhe atij “pushtetarë”. Nga britma e pronarëve të këtyre dy “popujve” nuk dëgjohet asgjëkund zëri i popullit shqiptar. Që do të thotë se në “Shqipëritë” tona demokratike u realizua ajo që synonin sistemet e dikurshme socialiste: u bë barazimi i popullit me partitë. Madje u shkua edhe më larg se kaq: popullin e çuan të harrojë emrin e vet të vërtetë, e bënë të mos mendojë lirshëm për të ardhmen e vet kolektive, duke e bindur se demokracia nuk kërkon të mendosh lirshëm, po të dëgjosh e të nënshtrohesh vullnetshëm.
Por sidoqoftë, fundshekulli i njëzetë ua realizoi shqiptarëve ëndrrën më madhore që kishin ëndërruar me shekuj – çlirimin e Kosovës. Me çka u kompletua kaptina e historisë ku do të mbeten të shënuara të gjitha orvatjet e kësaj pjese të popullit tonë, që një herë e përgjithmonë të shpëtojë nga thundra sunduese serbe, e të cilën kaptinë do ta stolisin shkronjat e mburrjes sonë – ato të UÇK-së.
Dhe ku ta dish, mbase nga shkaku i dehjes prej realizimit të shumë ëndrrave kolektive, shqiptarët thuajse nuk e vërejtën se ëndrrat e tyre shpejt u partizuan, u bënë pronë e kryesuesve partiakë. Se deri në ç’përmasa ka arritur partizimi i ëndrrave të shqiptarisë, deri në ç‘përmasa është përhapur bindja se të tërat që ka vendi e populli i takojnë vetëm partisë në pushtet, shihet qartë në cilëndo nga ‘Shqipëritë’ tona.
Po pra, fundshekulli i njëzetë Kosovës ia solli lirinë e ëndërruar me shekuj. Dhe fillimshekulli i njëzetenjë shqiptarët i shpërfaqi të atillë siç ishin: si ëndërrues të denjë që nuk e tradhtojnë ëndrrën e tyre. Por njëkohësisht, dekadat e para të shekullit që jetojmë shqiptarët i portretoi si të pakujdesshëm ndaj mirëmbajtjes së ëndrrave të tyre të jetësuara. Dhe këtë fytyrë të shëmtuar të shqiptarisë e portretuan udhëheqësit partiakë të këtij populli, e të cilët nuk u kënaqën vetëm me partizimin e institucioneve të shteteve që drejtonin, por i partizuan edhe ëndrrat tona kolektive. Me çka u pa qartë se udhëhiqeshin nga mendësia “bajraktarokrate”, se burrështetasit tanë nuk kishin për qëllim të ndërtonin shtete për popullin, por pushtet për vetveten. Dhe me çka na njollosën të gjithëve si njerëz që më shumë e duan pushtetin sesa shtetin.
Dhe se shqiptarët e duan pushtetin edhe kur nuk kanë shtet më së miri e dëshmuan politikanët shqiptarë të Maqedonisë, të cilët ia hanë kokën njëri-tjetrit për t’u bërë pjesë e koalicioneve qeverisëse, e ku ata shërbejnë vetëm si zbukurim i demokracisë shumetnike të këtij shteti. Duke qenë njerëz që duan pushtet e nuk kanë nevojë për shtet, atyre u ndodh të mos u pengojë roli i vasalit as atëherë kur burgoset edhe pafajësia shqiptare, si edhe as atëherë kur shihet qartë se ajo që i takon sunduesit, nuk i takon vasalit.
Politikanët shqiptarë, pra, kudo që veprojnë, kanë diçka të përbashkët: më shumë e duan pushtetin sesa shtetin që drejtojnë. Andaj edhe ke përshtypjen se “Shqipëritë” tona janë në duart e atyre që më parë do të lejonin të shkatërrohej shteti, sesa të rrëzohej qeveria që ata drejtojnë. E kjo ndodh për shkak se të gjithë ne bëmë një gabim: u mundësuam politikanëve të besojnë se politika është mjeshtëria e të gënjyerit, se ajo sjell privilegje, por jo edhe përgjegjësi. Dhe shkaku se lejuam të jemi një popull, por që ndryshe e jeton të sotmen dhe e ëndërron të ardhmen. Me çka edhe mbetën peng i “tenderokratëve” që mësojnë ngadalë, por ngutshëm pasurohen. Mbetëm peng edhe i pasanikëve që mendojnë se paraja të bën të pavdekshëm dhe president shteti.
Nuk ka dyshim se e sotmja jonë, si edhe ajo e gjithë botës, shenjë njohëse ka pandeminë dhe frikën nga virusi Covid19. Dhe në Tiranë, njësoj si në Prishtinë e Shkup, janë ngritur muret e lartë të frikës nga vdekja, muret të cilat nuk na lejojnë të shohim se jo vetëm sot kur na rrezikon ky virus, por gjithmonë, duhet të jetojmë duke e ndërmendur gjithmonë vdekjen dhe duke u munduar sa më madhërishëm ta kremtojnë jetën. Gjë të cilën më së miri duhet ta dinë njerëzit që i janë përkushtuar religjionit, ata që njerëzimin e shohin si një kope të madhe e cila duhet drejtuar rrugës së drejtë, e jo udhës që mund të jetë më e lezetshme, por që mbahet si më mëkatare. Këtë, pra, më së miri do të duhej ta dinin prijësit religjiozë, të cilët i udhëzojnë njerëzit sa më shpesh të kalojnë pranë varrezave, që të ndërmendin se banesat e të gjallëve janë më të ngrohta dhe të ndryshueshme, por ato të të vdekurve janë më të paprekshme. Me çka ata më lehtë do ta kuptojnë se pronarë të tokës janë të gjallët dhe se të vdekurit janë pronë e dheut. Apo më lehtë do ta zbërthejnë të vërtetën se vetëm të vdekurit dhe të palindurit janë me të gjitha të barabartë mes veti dhe se vetëm atyre nuk u mungon as hapësirë, as kohë dhe vetëm ata nuk i pengojnë as rrugët me gropa, as burrështetasit e paudhë.
Dhe sot, kur edhe ‘Shqipëritë’ tona i ka pllakosur pandemia, bëhemi gjithnjë e më besimtarë. Me çka shihet edhe më qartë se fetë, e jo vetëm politika, kanë qenë ato që kanë përcaktuar marrëdhëniet mes njerëzve dhe popujve. Dhe me çka shpërfaqet më dukshëm se jemi popull që në këtë Ballkan e jeton shumësinë e vet fetare dhe vetminë e vet etnike. E sa u përket feve të këtyre hapësirave, ato në masë të madhe i kanë përcaktuar marrëdhëniet mes banorëve të këtij Ballkani, e ku shekuj me radhë popujt kanë lëvizur si valët e detit, me çka edhe harta e nëntokës së këtyre hapësirave është vizatuar nga përkatësia etnike dhe religjioze e të vdekurve.
Dhe kjo hartë e nëntokës së Ballkanit, si edhe e të gjitha hapësirave të tjera, shpeshherë nuk përputhet me relievin etnik dhe religjioz të atyre që sot jetojnë mbi të. Pra, në barkun e tokës ballkanike prehen eshtrat e popujve të lashtë, si për shembull ato të ilirëve, si edhe të atyre të ardhur gjatë shekujve të mëvonshëm, si për shembull i sllavëve të jugut. Nëntoka e kësaj hapësira ballkanike përgjithmonë i ka tretur edhe kufomat e ushtarëve të ardhur nga larg, me urdhrin që të zgjerojnë hapësirën jetësore për popujt e tyre. Kështu që Ballkani nuk është vetëm një përzierje etnike e atyre që sot jetojnë në këto treva, por edhe tollovi varrezash të atyre që kanë ardhur e shkuar, që kanë jetuar e kanë vdekur, duke bërë atë që gjithmonë e kanë bërë popujt e tërë botës: luftëra për të zgjeruar kufijtë e pronës së tyre mbi këtë tokë, duke harruar se ata janë pronë e nëntokës.
Duke qenë Ballkani me shekuj vend ku vdiset për tokën, por edhe tokë që nuk e ushqen gjithaq lehtë jetën, edhe sot e kësaj dite, kjo hapësirë ka mbetur atdhe ku jetojnë popuj të cilët sa herë që e ngatërrojnë kalendarin e së sotmes së tyre, prehjen e shpirtërore e kërkojnë atje ku tjetërkush është pronar i jetës. Me çka dëshmojnë se në këto hapësira ka diçka që është rrënjosur aq thellë në vetëdijen e disa njerëzve, sa ata i çon të besojnë se nuk duhet ta kremtojnë jetën me të gjallët që kanë pranë tyre, por me mosdurimin ndaj të tjerëve. Pra, ka diçka që disa njerëz të këtyre trojeve i çon të besojnë se mbi varrin e atij që nuk i takon etnisë dhe religjionit të tyre, mund të mbijë bima e lumturia që u mungon.
Duke qenë Ballkani vend ku gjithnjë e më vështirë jetohet, e ku shumë lehtë mund të vdesësh, këtu ende ka përfaqësues popujsh dhe religjionesh që nuk e kuptojnë se kur tokës dhe qiellit u vishet përkatësi religjioze, njerëzit e humbin arsyen dhe harrojnë se toka u takon atyre që shkelin mbi të, e qielli të gjithëve që shikojnë drejt tij. Andaj, sikur njerëzimi dhe popujt t’u ishin përmbajtur, për shembull, parimeve serbe, se u takon e gjitha ku ka një varr të vetëm serb, apo një kishë të vetme ortodokse serbe, atëherë shqiptarët prej moti do të duhej të kërkonin t’u kthehej, në mos gjysma e Ballkanit, atëherë gjithsesi pjesa e Serbisë deri në Nish.
Ndërkohë, shqiptarët që në këto troje janë të vjetër aq sa edhe malet dhe fushat e këtushme, gjithmonë janë tkurrur dhe jo rrallëherë certifikatën e vdekjes ua ka dhënë jo ajo mbretëri apo ai shtet që ua ka vulosë atë të lindjes. Andaj edhe kanë mbetur në pesë shtete të Ballkanit duke u kufizuar me vetveten. Dhe kështu për shembull, për Kosovën, Bujanoci ndodhet në lindje, e për shqiptarët e Maqedonisë në veri. Për Shqipërinë, Bujanoci është në verilindjen e saj. Por për të gjithë së bashku, dhe ngado që ta shikosh, Bujanoci mbetet një nga ato pikat e skajshme që shënojnë vendin deri ku shtrihen vendbanimet shqiptare, pika që ndërlidhet me ato të tjerat që mbyllin kufirin deri ku ka arritur gjatë shekujve tkurrja e trojeve shqiptare. Kështu që, malet në veri të Bujanocit shënojnë kufirin matanë të cilit fillon deti i sllavëve, e këndej shtrirja e viseve ku bukës i thuhet bukë e ujit ujë, e që shtrihet deri te brigjet e detit Adriatik.
Të mbetur në këtë pikë të skajshme, shqiptarët e këtij vendbanimi i ngjajnë notuesit të cilin edhe vala që e shtyn, edhe ajo që e tërheq, e çojnë në të njëjtin drejtim: drejt brendisë së detit të shqiptarisë. Pra, vala e pushtetit serb banorët e këtushëm i shtyn të largohen nga aty ku janë, e ajo e shqiptarisë i tërheq, i josh t’i marrin plaçkat dhe të nisen drejt vendbanimeve më të sigurta në brendinë e trojeve shqiptare. Dhe të rrahur nga këto dy valë të ndryshme, por që i çojnë në të njëjtin drejtim, banorët e komunës së Bujanocit të duken paksa më të veçantë se gjithë shqiptarët e viseve të tjera, e ku merret frymë më lirshëm dhe nuk ke hallin si të mbrohesh nga i huaji, por si të shpëtosh nga “maunokratët” e tu: ata janë nacionalromantikë të këndshëm, ata e dinë në cilin shtet jetojnë, por ndihen edhe banorë të atdheut të tyre imagjinar, që shtrihet deri atje ku jetojnë bashkëkombësit e tyre. Duke qenë të tillë, ata nuk i gëzon gjithaq pasaporta e shteti serb me të cilin mund të bredhin lirshëm nëpër Evropë, por i lumturon çdo veprim që mund të mbrojë letërnjoftimin e tyre etnik të vulosur me gjuhën, kulturën dhe me çdo gjë që i identifikon shqiptarët.
Dhe Bujanoci me Luginën e Preshevës është një nga ato vendbanime shqiptare që ndërlidhin unazën e jashtme të popullit tonë në këtë Ballkan, janë një nga shtyllat e murit që mbron brendinë e “kalasë” kombëtare. E të jesh pika e skajshme e popullit tënd në këtë Ballkan do të thotë të mbijetosh me vështirësi dhe pandërprerë të ndiesh mbi ty përplasjen e valëve të urrejtjes së tjetrit ndaj etnisë sate. Aq më shumë kur ke punë me një Serbi e cila mbase edhe shumë vite nuk do të çlirohet nga prangat e vetëdijes se ka qenë, e duhet të mbetet, “pandur” i Ballkanit, andaj edhe nuk të ndërton as biblioteka e as shkolla, por pranë pragut të derës t’i sjell kazermat ushtarake.
Pra Bujanoci, si edhe shumë vendbanime të tjera që shënojnë kufirin e vërtetë të shqiptarisë, janë peshore e saktë që pagabueshëm e mat sasinë e nevojshme të vuajtjes që duhet ta përballësh për të jetuar e mbijetuar në shtetet të cilave u pengon ekzistenca fizike e shqiptarëve, në shtete që bëjnë çmos që shqiptarin sa më shpejt ta detyrojnë t’i shkulë rrënjët nga vatrat shekullore dhe të vazhdojë tkurrjen e trevave shqiptare. Dhe mbase kjo barrë e rëndë ata i ka bërë edhe më të durueshëm, i ka kalitur në rojtarë të pathyeshëm të “atdheut” të vetëm, pa të cilin një popull zhduket edhe atëherë kur ka shtetin dhe administratën e vet shtetërore: gjuhën dhe kulturën kombëtare.
Dhe banorët e këtyre trevave i bënë të fortë vetëm bindja se mund të jetosh kudo, por duhet të vdesësh aty ku ke lindur. Duke jetuar me këtë bindje, ata bëjnë të pamundur që të ndërtojnë edhe rrugën e gjerë të mirëkuptimit mes popujve të Ballkanit, me çka edhe tregojnë sa janë lodhur duke ecur vetëm nëpër dy rrugët që tani për tani ua ka shtruar fati i mbijetesës: atë të qëndresës dhe rrugën e ikjes nga vendlindja. Pra, duke jetuar me atë bindje, më mirë se çdokush tjetër ata e kanë kuptuar se rruga e parë ecet mundimshëm, e dyta ngutshëm. Dhe duke e kuptuar këtë, banorët e vendbanimeve që ndërthurin kufirin e jashtëm etnik të shqiptarisë e dinë se cilëndo të ecësh nga ato dy rrugë, do të duhet të ngopesh me të njëjtin ushqim – mallin. Duke ecur rrugës së qëndresës, me mall do të ëndërrosh ditën kur do të mund të jetosh lirshëm i tillë siç je, e nëse nisesh rrugës së çrrënjosjesh nga vendlindja, tërë jetën do të përtypësh mallin për t’u kthyer atje nga ke ikur.
E në ndërkohë mbetet e vërteta se matanë çdo kufiri shtetëror ka edhe një kufi tjetër që do të donte ta legalizonte thuajse çdo popull i këtyre hapësirave të Ballkanit, ku si askund tjetër etnitë e këtushme nuk jetojnë brenda kufijve të shënuar në hartat gjeografike të shteteve të tyre, por brenda kufijve që i kanë të vulosur në imagjinatë si troje të tyre etnike. Andaj, sikur në hartat e Ballkanit të shënoheshin edhe kufijtë e shteteve të “nacionalromantikëve” të popujve të këtushëm, kjo hapësirë do të mbulohej me vija shumëngjyrëshe, ku do të gërshetohej e kaluara me të sotmen dhe ku nuk do të mbetej vend për ta vendosur të ardhmen. Dhe më në fund, do të dilte se këtu nuk jetojnë popuj që kanë kuptuar se shtetet janë bashkësi që ofrojnë zgjidhje të mundshme për realizimin e aspiratave individuale, por fise të cilat assesi nuk ta zbërthejnë se toka nuk sillet rreth diellit pse kështu kanë vendosur njerëzit, por që të mund të sigurojë dritë për të gjitha gjallesat që jetojnë mbi të.
Pra, nuk ka kufij shtetërorë që do t’i kënaqte pretendimet e një populli. Por ka popuj që e kanë kuptuar se vijat kufitare janë gjurmë të marrëveshjeve nga e kaluara dhe e sotmja mes të gjallëve, për të ndërtuar të ardhmen. Andaj tokës i duhen shtuar ‘damarët’ e saj – rrugët që do t’ua mundësojnë njerëzve që lirshëm të bredhin nëpër ato rrugë. Andaj, pra, shqiptaria duhet të ndërlidhet brenda vetvetes me udhë që të çojnë kudo nga ka shqiptarë, e me çka shqiptarët nuk do të ndihen ngushtë edhe kur jetojnë në më shumë shtete, edhe atëherë kur e dinë se kufiri i tyre etnik është matanë kufijve që sot përcaktojnë Kosovën e Shqipërinë. Pra, edhe atëherë kur do t’u mbetet vetëm ëndrra se do të vijë dita kur kufiri që do t’i ndajë nga të tjerët do të jetë matanë kufirit të sotëm që i ndan nga vetvetja.
Marrë nga revista “Medius” nr.13