Nga Adam Serwer “The Atlantic”/ Jeff Sessions, ishte i papërshtatshëm për të shërbyer si Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara. Ai kishte gënjyer për të dhënat e tij mbi respektimin e të drejtave civile, duke pretenduar se kishte de-segreguar shkollat në Alabama, kur nuk e kishte bërë në fakt këtë, ashtu siç e pranoi më vonë nën betim.
Ai dhe njerëzit e tij e mashtruan publikun, duke këmbëngulur se e kishte nisur jetën e tij politike, duke luftuar kundër segregacionistes Lurleen Wallace, pa përmendur faktin se kundërshtari i saj republikan, ishte gjithashtu një segregacionist. Ai e hiperbolizoi rolin e tij, në ndjekjen penale të anëtarëve të Ku Klux Klan, që linçuan Michael Donald.
Ai gjithashtu e mashtroi Senatin edhe pse ishte nën betim, për kontaktet e tij me zyrtarët rusë gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, dhe pastaj gënjeu kur tha se nuk kishte gënjyer. Nëse rekordi i tij në kundërshtimin e të drejtat themelore kushtetuese për grupet e margjinalizuara nuk ishte skualifikues, pandershmëria e rangut të tij, duhet të kishte qenë.
Si Prokuror i Përgjithshëm, Sessions hoqi dorë nga zbatimi i të drejtave civile, duke dështuar të paraqiste edhe një rast të vetëm për heqjen abuzive të së drejtës së votës, në një vend ku Partia Republikane e përdori heqjen e të drejtës së votës për shumë qytetarë në zonat rivale, si një taktikë për fitimin e zgjedhjeve.
Ai dështoi në detyrën e tij, për të parandaluar presidentin Trump në përpjekjet e tij për të ndikuar në hetimin e FBI-së ndaj ndërhyrjes së Rusisë në presidencialet e 2016-s, dhe më pas e ndihmoi presidentin në paraqitjen e një justifikimi të rremë për shkarkimin e ish-drejtorit të FBI-së James Comey mbi atë hetim. Sessions, duket se do të mbetet në histori si një nga kryeprokurorët më të këqij të Amerikës.
E megjithatë, largimi i detyruar i Sessions është alarmues. Pavarësisht gjithë të metave të tij, ai e pa pozitën e prokurorit të përgjithshëm si një post, që duhet t’i rezistojë presionit politik nga Shtëpia e Bardhë, dhe me një besnikëri përfundimtare ndaj Kushtetutës. Ishte ajo pikëpamje që bëri që Sessions, i vënë nën presion, të binte dakord të tërhiqej nga hetimi mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhejt amerikane.
Kjo ishte në kundërshtim me parimin qendror të Trumpizmit, i cili thotë se besnikëria më madhore nuk duhet të jetë ndaj publikut, kombit apo Kushtetutën, por ndaj Donald Trumpit.
Presidenti u zemërua nga fakti që tërheqja e Sessions, nënkuptonte se ai nuk mund të kontrollojë dot hetimin ndaj tij.
Ai nuk do ta bëjë atë gabim me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Humbjet e Trumpit në zgjedhjet e mesit të mandatit, nuk do ta bëjnë atë më të kujdesshëm; ato vetëm sa do ta bëjnë atë më të rrezikshëm. Përkushtimi i vetëm i vërtetë ideologjik i Trumpit, është vizioni i tij racor dhe përjashtues i shtetësisë amerikane.
Autoritarizmi i tij është më instiktiv se sa ideologjik, i lidhur ngushtë me dëshirën e tij për të pasuruar veten dhe aleatët e tij, pa pasur pasoja ligjore. Nëse mënyra e vetme që presidenti mund të shpëtojë lëkurën e tij ose të të tjerëve të implikuar në korrupsionin e tij, është shkelja e sundimit të ligjit, atëherë ai nuk e ka problem ta bëjë këtë.
Me demokratët që kanë shtënë tashmë në dorë kontrollin e Kongresit, presidenti është pa asnjë dyshim i bindur se mund ta shkelë ligjin, dhe ende t’i bindë mbështetësit e tij, përmes një propagande të shfrenuar pro-Trumpiane, se ai nuk e ka bërë diçka gjë të tillë.
Barra e mbrojtjes së sundimit të ligjit, do të bjerë mbi shumicën republikane në Senat, gatishmëria e të cilës ndaj saj, është thellësisht e dyshimtë. Në fakt, presidenti tha shumëçka gjatë konferencës së tij për shtyp mëngjesin e së mërkurës, duke paralajmëruar se nëse demokratët në Kongres, do të tentonin të hetonin fushatën presidenciale apo financat e tij, ai do të hakmerrej.
“Ata mund të na shohin ne, ne mund t’i shohim ata, dhe do të shkojmë sa para-prapa, dhe ndoshta do të jetë shumë mirë për mua në rrafshin politik. Pasi mendoj se jam më i mirë se
ata në atë lojë”- tha Trump. Elementi racor i Trumpizmit është thelbësor, por po kështu edhe kjo:Trump beson se ai dhe miqtë e tij dhe aleatët, qëndrojnë mbi ligjin.
Nuk ka asnjë veprim që ata mund të kryejnë, dhe që do të justifikonte ndjekjen penale. Njëherazi, nuk ka asnjë veprim të kryer nga kritikët apo rivalët e tij, që nuk mund t’i nënshtrohet ndjekjes penale, nëse ai do të zgjedhë këtë. Problemi nuk është se presidenti nuk beson tek sundimi i ligjit.
Problemi, është se ai beson se ligji është një mburojë që e mbron atë, dhe një shpatë që mund të përdoret për të goditur armiqtë e tij. Asgjë nuk e ka bërë këtë më qartë këtë, sesa kërkesat e tij të vazhdueshme për ndjekjen penale të kritikëve të tij, dhe vendimin e tij për falur njerëz si Dinesh D’Souza dhe Joe Arpaio, shkeljet e të cilëve ai e konsideron të parëndësishme, pasi ata janë psikopatë pro-Trumpianë.
Kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojnë gjërat në një demokraci, dhe sigurisht jo në Shtetet e Bashkuara. Por me largimin e Sessions, Trump do të kërkojë një zëvendësues i cili e sheh ligjin ashtu si edhe presidenti:si një mori rregullash që vlejnë për armiqtë e tij, por jo për vete apo miqtë e tij. Rreziku ndaj demokracisë amerikane, nuk u zhduk me humbjen e Kongresit nga republikanët në zgjedhjet e mesit të mandatit. Ai vetëm sa është rritur.
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce