Akademiku Artan Fuga ka paralajmëruar një tronditje tjetër në arsim, teksa ka deklaruar se do të flasë me emra mbi personat që sipas tij e kanë marrë peng Akademinë e Shkencave.
Në një postim në Facebook, Fuga shkruan se sot do të publikohet një artikull ku do të nxjerrë emrat në fjalë, ndërsa shkruan se “do të publikojë edhe 33 pikat ndarëse të projektit të tij për reformimin e plotë nëpërmjet themelimit të Akademisë së Shkencave, nga projekti i dështuar i grupit të Ministrisë të Arsimit të përfaqësuar nga Skënder Gjinushi”, vijon Fuga.
Postimi i Fugës:
Të dashur miq,
universitarë,
studentë,
studjues,
intelektualë!
Nesër
te Gazeta Panorama,
ju tregoj përfundimisht se ku ndahem prej vitesh
e nuk dëgjohem
nga Akademia e Shkencave ekzistuese,
që vegjeton,
e marrë peng prej vitesh nga disa individë, të cilët do t’i tregoj se kush janë në vazhdim,
Janë shfaqur vetë pak ditë më parë në këto kohë të turbullta kur menduan se u bë deti kos!
Do t’ju rrëfej edhe 33 pikat ndarëse të projektit tim për reformimin e plotë nëpërmjet rithemelimit të Akademisë të Shkencave,
nga projekti i dështuar i grupit të Ministrisë të Arsimit të përfaqësuar nga Skënder Gjinushi !
Sikur të kishte pasur studentë në Akademinë e Shkencave ata do të ishin prej vitesh në revoltë atje !
Disa individë nuk mund të uzurpojnë Akademinë e Shkencave që u takon studiuesve të ndershëm shqiptarë, rinisë, kombit,
Ata nuk mund të vazhdojnë të keqpërdorin taksat e shqiptarëve,
të bëjnë show në vend të jenë në shërbim të shkencës kombëtare,
të paguhen pa punë, pa strategji, dhe pa matje të rezultateve të punës,
të mos drejtojnë kërkim shkencor,
një pjesë prej dekadash pa artikuj shkencorë jashtë vendit,
të shpërndajnë paranë publike me metoda me konflikti të pastër interesi,
pa funksion,
të zenë vende pune dhe të bëhen akademikë për shkenca për të cilat nuk kanë as diplomë universitare!
me botime pa lexues,
me bibliotekë pa të abonuar,
me revista pa akses në platformat shkencore europiane,
pa platforma bashkëpunimi funksionale me akademi europiane perëndimore ose universitete perëndimore,
me një platformë ideologjike që është antishkencë!