Informaliteti i lartë dhe trajtimi diskriminues nga Greqia i operatorëve shqiptarë të transportit ndërkombëtar të udhëtarëve ka krijuar një klimë të rëndë në biznesin e këtij sektori.Operatorët i kërkojnë qeverisë të negociojë me Greqinë për të krijuar drejtësi në treg. Ja rekomandimet për daljen nga situataTransporti Ndërkombëtar i Udhëtarëve me autobusë është duke kaluar një periudhë të vështirë të aktivitetit si pasojë e informalitetit të lartë dhe ashpërsimit të kushteve të operimit nga Greqia.
Përveç informalitetit që është gati 50% në transportin e udhëtarëve nga Shqipëria jashtë vendit, Kujtim Harshova, nga Shoqata e Transportit Ndërkombëtar, thotë se sektori po dëmtohet nga kushtet diskriminuese që pala greke ofron për biznesin shqiptar në raport me trajtimin që Shqipëria bën për bizneset greke.
Nga rreth 4 milionë pasagjerë në vit që transportohen në linjat me Greqinë, më shumë se gjysma e tyre përdorin furgonët dhe autoveturat e palicencuara. Në këtë mënyrë dëmtohen jo vetëm bizneset e rregullta, por më së shumti buxheti i shtetit, i cili humb TVSH-në, thotë Harshova.
Teksa në transportin ndërqytetës në Shqipëri dy vitet e fundit janë marrë masa të ashpra ndaj informalitetit, duke mos lejuar operatorë të tjerë, përveç linjave të licencuara për këtë qëllim, transporti ndërkombëtar po vijon të vuajë pasojat nga mungesa e fiskalizimit. Kjo problematikë vijon të jetë shqetësuese përgjatë katër viteve të fundit, teksa reforma institucionale me përqendrimin e kompetencave në pak duar po pengon së fundmi zgjidhjet përkatëse.
Trajtim diskriminues nga fqinjët
Pala greke kërkon që autobusët e shoqërive shqiptare të pajisen me bileta greke, gjë që bie në kundërshtim në VKM nr. 643/2009 “Për prodhimin, shpërndarjen dhe pajisjen e Udhëtarëve me bileta të transportit rrugor”.
Urdhëresa greke shprehet qartë: “Lëshimi i biletave brenda territorit grek do të bëhet detyrimisht nga zyrat turistike greke”.
“Duhet t’i jepet një zgjidhje definitive këtij problemi, pasi ka lidhje edhe me mënyrën e deklarimit të të ardhurave (xhiros) si për shoqëritë shqiptare ashtu dhe ato greke. Në këtë rast, Ministria e Financave duhet të komunikojë me Homologët grekë”, – thotë Harshova.
Po ashtu, në urdhëresë përcaktohet se si pikë kritike për përcaktimin e shtetit ku përfitohen të ardhurat në rastin e transportit të udhëtarëve dhe mallrave është vendi ku bëhet hipja e udhëtarëve në autobus apo ngarkesa e mallrave. Për rrjedhojë, në bazë të urdhëresës rezulton se, për shoqëritë e huaja në fjalë, të cilat realizojnë të ardhura nga transporti i udhëtarëve apo mallrave me destinacion nga Greqia në shtetin e huaj, këto të ardhura do të konsiderohen që burojnë nga “një seli e përhershme” e vendosur në shtetin grek dhe për këtë qëllim duhet të tatohen vetëm në këtë shtet.
Ndërsa në Shqipëri, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në asnjë rast nuk ka kërkuar që kompanitë greke të transportit ndërkombëtar të regjistrohen për efekte tatimore dhe t’ju kërkojnë këtyre shoqërive të lëshojnë bileta shqiptare.
Në aktin Normativ Grek të v.2013 përcaktohet në mënyrë të njëanshme dhe kategorike mbi mënyrën e operimit të operatorëve të huaj në territorin grek. “Pala greke na ka vënë para faktit të kryer, pasi shteti shqiptar është i detyruar që të përshtasë bazën tonë ligjore, konkretisht për mënyrën, vendin e prerjes dhe formatin e biletave (edhe elektronike) që do të përdoren nga kompanitë shqiptare dhe greke në territoret përkatëse dhe mënyrën dhe vendin e deklarimit të të ardhurave, që vijnë nga shitja e këtyre biletave në vendet respektive (Shqipëri apo Greqi)”, sqaron Shoqata e Transportit.
Gjithashtu, pala shqiptare duhet të përshtasë mënyrën e ndarjes së shpenzimeve të njohura që vijnë nga ky aktivitet që kryhet midis dy shteteve (naftë, taksat doganore, qiratë, komisionet etj.), sugjeron Harshova.
Nuk respektohet partneriteti
Marrëveshjet përkatëse për transportin ndërkombëtar përcaktojnë që të punohet me partnerët grekë, në kushte barazie (në raportin 50% me 50%) dhe me rregulla të përcaktuara me udhëzime dhe akte të tjera ligjore. Ekspertët e sektorit pohojnë se duhet të saktësohet periudha kohore për të cilën verifikohet respektimi i udhëtimeve të azhurnuara në raport. Bizneset e sektorit kërkojnë se rishikimi të jetë 1-vjeçar ose të paktën 6-mujor.
Operatorët pohojnë se ka pasur shumë probleme midis partnerëve të shkaktuara kryesisht nga pala greke, të cilët për motive të ndryshme, kryesisht financiare, tërhiqen nga bashkëpunimi. Duke qenë se investimi kryesor në të gjitha rastet bëhet nga partneri shqiptar, ky fakt pasohet nga një dëm i madh financiar.
Përveç kësaj nuk është e qartë dhe e saktësuar me ligj se si veprohet në një rast të tillë nga partneri tjetër.
Por zgjidhja më e favorshme dhe më e arsyeshme do të ishte heqja e kushtit të partneritetit të detyruar.
Operatorët e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve sugjerojnë eliminimin e programit “Cross border”. Me vendimin e Ministrisë Greke të Transportit, të botuar në Gazetën Zyrtare të datës 28 gusht 2013, një sërë linjash dhe stacionesh janë eliminuar për t’u zëvendësuar me disa të tjera të përfshira në një program të bashkëpunimit ndërkufitar (“Cross Border”). Operatorët tanë mendojnë se programi “Cross Border”, i paraqitur në protokollin e përbashkët të vitit 2012, në praktikë është i pazbatueshëm.
Zgjidhja më e arsyeshme, sipas Shoqatës, do të ishte liberalizimi i origjinës së nisjes dhe stacionet duke i lënë ato në kompetencë të autoriteteve shtetërore përkatëse në territorin nacional.
Të saktësohen stacionet
Shoqata e Transportit Ndërkombëtar rekomandon se gjatë boshtit Greqi-Shqipëri, është e nevojshme të saktësohet definicioni i termit Parking, pasi është i lidhur ngushtë me sasinë e investimeve të nevojshme dhe kohën që duhet për ngritjen e tyre për çështjen e stacioneve të ndërmjetme për hipjen dhe zbritjen e Udhëtarëve.
Pala greke ka kufizuar marrjen e udhëtarëve në disa qytete si: Përmet, Gjirokastër, Sarandë, Ersekë, Bilisht dhe Korçë, etj., si dhe ndalohet qëndrimi në disa pika të qyteteve në territorin grek, si në hipje ashtu edhe në zbritje, të Udhëtarëve.
Operatorët pohojnë se nuk ka sens që të imponohen pasagjerët se cilën linjë do të zgjedhin dhe është fyes dhe i jashtëligjshëm kontrolli që u bëhet atyre për këtë qëllim nga organet policore.
Të ndryshojë trajtimi për shoferët shqiptarë
Kohët e fundit, organet kufitare greke po ushtrojnë kontroll ndaj drejtuesve të autobusëve (shoferëve) të linjave të rregullta ndërkombëtare me autobus Shqipëri – Greqi, duke bërë shënime në pasaporta, duke bllokuar kalimin e radhës tjetër si edhe në ndonjë rast duke i paralajmëruar dhe gjobitur ata që kanë kaluar 90 ditëshin në territorin grek.
Në këtë rast, ata trajtohen me rregullin e 90 ditëshit si turistë apo si qytetarë të zakonshëm, kur realisht janë drejtues mjetesh që operojnë me linja të rregullta ndërkombëtare dhe zotërojnë kontrata të rregullta (me siguracione të rregullta shëndetësore dhe shoqërore) definitive një ose shumëvjeçare, me Shoqërinë e licencuar për Transport Ndërkombëtar Udhëtarësh.
Duke aplikuar rregullin e 90 ditëshit, Shoqëritë janë të detyruara që për çdo 6 muaj të pezullojnë shoferët që kanë dhe të marrin shoferë të rinj, gjë që pengon mbarëvajtjen e punës dhe rrit artificialisht koston e transportit.
Rekomandime për zgjidhjen e problematikës
Shoqata e Transportit Ndërkombëtar rendit disa propozime të cilat do të përmirësonin cilësinë dhe efektivitetin e këtij biznesi dhe rrjedhimisht, edhe shërbimin ndaj pasagjerëve.
Sipas tyre, ky fenomen mund të eliminohet duke organizuar grupe të përbashkëta të përbëra nga policia dhe përfaqësues të luftës kundër krimit ekonomik, të cilët do të kenë si objektiv:
Së pari, ushtrimin e një kontrolli të rreptë në transportin e udhëtarëve, që kryhet me automjete të paautorizuara si furgona dhe autovetura personale, pasi janë kthyer në taksi kontrabandë. Ministria e Financave dhe ajo e Transporteve, në bashkëpunim me Shoqatën, të realizojnë një kontratë tip që duhet të lidhin të dy partnerët me njëri-tjetrin, sepse sidomos me Greqinë lindin probleme të paparashikuara në marrëveshjen aktuale.
Gjithashtu duhet të rishikohen procedurat dhe të përcaktohen dokumentet që duhen për marrjen e autorizimit, duke vënë në kushte të barabarta shoqëritë shqiptare dhe ato të huaja në marrjen e licencave. Një pjesë e këtyre procedurave mund të realizohen me sistemin online.
Së dyti, lëshimi i biletave dhe raportimi i të ardhurave duhet të bëhet në zbatim të marrëveshjes për eliminimin e taksimit të dyfishtë. Modifikimi i VKM 643 dhe implementimi i sistemit të biletimit elektronik kanë zgjidhur pjesërisht problemin e vjetër të detyrimit të pajisjes me bileta shqiptare në territorin shqiptar.
Së treti, targat e automjeteve të shoqërive të mos shënohen në autorizimin e lëshuar nga Ministria e Transporteve, por në një aneks të veçantë, mbasi kjo diktohet nga shtimi i autobusëve, zëvendësimi i tyre me të rinj dhe nevoja për vënien në linjë të autobusëve me qira në periudhë fluksi. Në qoftë se kjo është e pamundur duhet të lehtësohet shumë procedura e regjistrimit dhe certifikimit të tyre me certifikatë për transportin ndërkombëtar të udhëtarëve.
Së katërti, kolaudimi i mjeteve tona sipas marrëveshjes që Ministria e Transportit ka bërë me Kompaninë private SGS, bëhet 2 herë në vit, në ndryshim nga vendet e tjera të Europës, 1 herë në vit. Kjo sjell përfitime për kompaninë por rrit në mënyrë fiktive jo vetëm shpenzimet, por dhe kohën e konsiderueshme që zë ky proces.
Së pesti, bileta elektronike sipas vendimit të fundit është e mirëpritur nga kompanitë. Kërkohet finalizimi i shpejtë i procesit në lidhje me transferimin e të dhënave në autoritetin kompetent dhe komunikimin online, veçanërisht me policinë dhe organet kufitare.
Që nga shkurti i vitit 2012, Ministria e Transportit të Greqisë, në mënyrë të vazhdueshme ka nxjerrë herë pas here ligje, vendime dhe urdhëresa për transportin ndërkombëtar të udhëtarëve, të cilat shpesh kanë qenë të njëanshme, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ndaj operatorëve shqiptarë në transportin ndërkombëtar me Greqinë, ndërsa përkushtimi i palës shqiptare ka munguar/Monitor.al.