Gjeneral Piro Ahmetaj
Në përgjigje të interesit publik, nga kapaciteti i Ekspertit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s, po paraqes një përmbledhje të përditësuar me disa mesazhe strategjike rreth dinamikës në fushëbetejën e Ukrainës, por jo vetëm:
Së pari, mobilizimi i 300 mijë rezervistëve, e çmoj si: “Konfirmim zyrtar të dështimit me turp të ofensivës neonaziste të Rusisë për të arritur objektivat strategjike, ndaj integritetit territorial të një vendi sovran (Ukrainës) duke sfiduar edhe rendin global të sigurisë”!
E thënë më qartë, mbas 7 muajsh, makineria ushtarake e Kremlinit jo vetëm ka mbetur e rraskapitur në baltën e përgjakur me rreth 80 mijë ushtarakë/qytetarë rusë të vrarë si dhe ka humbur me turp iniciativën strategjike në fushëbetejë, por përditë e më shumë po diskreditohet në përballjen me fuqinë ushtarake, vlerat demokratike, solidaritetin e botës së qytetëruar dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Transatlantike (USA/NATO/BE).
Së dyti, është mbjellë një mankth i ricikluar nga mendjet e ndryshkura: “Nëse Putini do shtypë apo jo butonin e kuq të armëve bërthamore, për t’i bërë gjëmën e madhe njerëzimit”, përgjigjja relaksuese edhe për “Putinistët e thekur dhe kokat e nxehta” mbetet një JO e fortë. Pra, kjo nuk ka për të ndodhur, pasi nëse do guxonte, Rusia do merrte shpagimin e merituar nga USA/NATO si dhe Putinistët do të ndëshkoheshin si edhe nazistët: “Për krime kundër njerëzimit” nga institucionet e botës së qytetëruar”. Po ashtu, ende besoj që elitat mendjehapura dhe gjenerata e re e Rusisë kurrsesi nuk do të lejojnë që kombi i tyre të damkoset përjetësisht si një shtet terrorist.
Në mënyrë shumë të vendosur, kjo ishte edhe përgjigjja dhe mesazhet e Presidentit të SHBA (Kampionit të lirisë dhe Gardianit të paqes në botë), gjatë fjalimit historik në OKB, drejtuar Putinit, Kim Jongut, Teheranit, si dhe kujtdo tjetër diktatori të dalldisur nga paranoja e luftërave të përgjakshme si dhe oscilacionet që u burojnë nga fuqia e mbi Pushtetit.
Së treti, ndërsa dalldisjen e Presidentit Vuçiç për sa: “Pragluftë e re Botërore për të rivendosur kufijtë shtetërore si dhe trimërimin me (mos) njohjet dhe integritetin territorial të Kosovës”, për më me tepër në realitetin aktual të prezencës së fuqisë ushtarake (KFOR) si dhe të dështimit turpërues të Rusisë në Ukrainë, i konsideroj në mos qesharake, si thikë mbas shpine për marrëveshjet dhe negociatat si dhe oscilacione të këshilltarit të Mollosheviçit famëkeq, të cilat jo vetëm nuk trembin kurrkënd, aq më pak fuqinë e sprovuar (1999!) të NATO-s dhe nuk i shërbejnë kurrkujt, por e minojnë rëndë axhendën e udhëtimit të Serbisë drejt BE dhe vlerave euroatlantike!
Së katërti, e përsëris edhe më fort se bashkë me dështimin turpërues për pushtimin e Ukrainës, Rusia po/do të humbasë edhe peshën gjeopolitike në mbarë Botën, Detin e Zi, në Ballkan, Mesdhe, etj.
Për pasojë, (me/pa Vuçiçin e sëmurë dhe kapur nga paranojat e luftërave të përgjakshme), edhe roli i Serbisë do të ulet në Rajon, çka do të shërbejë si një rrethanë e fortë gjeostrategjike për 4 vendet (Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia) për ta njohur zyrtarisht dhe për t’i hapur rrugë procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO por edhe si një kambanë alarmi për të zhvilluar Masat e Mirëbesimit Reciprok (CSBM) mes vendeve te Rajonit në dobi të stabilitetit demokratik, mirëqenies dhe besimit të qytetarëve në axhendën e integrimit në BE.
Në shtesë, si ekspert i fushës, do t’i këshilloja faktorët shtetërorë dhe politikë të Tiranës dhe Prishtinës Zyrtare që: “humbja e luftës dhe kolapsi i “Rusisë si Superfuqi”, për pasojë edhe e peshës së Serbisë në Rajon e çmoj si një rrethanë të artë gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSh në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha (me SHBA & UN/ NATO/BE) për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat mbarëkombëtare në Rajon, Mesdhe etj., si dhe në dobi të paqes, stabilitetit dhe axhendën e integrimit Euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Ndërsa si mesazh të fundit, sigurisht jo nga rëndësia: “Asnjë grosh fare nuk vlejnë privatizimi politik dhe propaganda bolshevike e të gjithepushtetshmëve”, por vetëm dashuria, nderimi dhe përulësia ndaj vendit, vizion afatgjatë dhe përkushtimi dhe përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave kombëtare; “besimi dhe bekimi” ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO-n, etj.
*Senior Expert për SK,
Rajonin dhe NATO-n,
Zv.President i Këshillit të Atlantikut,
Ish: Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh,
Zv/SHSHPFA & Përfaqësues në SHAPE/NATO