E kishte parandjerë vdekjen vitet e fundit. U ankohej miqeve dhe familjarëve të tij, se ishte braktisur nga shteti, se ishte lënë në “mëshirën” e mafias. Kur miku i tij i ngushtë Giovanni Falcone u vra më 23 maj 1992 në një mega-shpëthim të telekomanduar në Capaci, e dinte se i kishte ditët e numëruara.
Dhe hakmarrja e Cosa Nostras për arrestimin e qindra pjesëtarëve të saj, nuk vonoi. 19 korriku i vitit 1992, ishte një e diel e nxehtë vere. Borsellino e nisi ditën me familjen e tij në shtëpinë e tyre verore jashtë Palermos. Pasdreke, u nis drejt Via D’Amelio në Palermo, për të takuar nënën e tij, i shoqëruar nga dy makina të policisë dhe 6 truproja.
Jashtë shtëpisë së nënës së tij, ishte parkuar një makinë tip Fiat, e ngarkuar me dhjetëra kg tritol. Ajo shpërtheu sapo Borsellino zbriti nga makina, dhe po bëhej gati të hynte në banesë. Gjyqtari gjeti vdekjen e mënjehershme, ashtu si 5 nga 6 policët që ishin atë ditë truprojat e tij: Emanuela Loi, Agostino Catalano, Vincenzo Li Muli, Walter Cosina dhe Claudio Traina.
Antonino Vullo, anëtari i gjashtë i eskortës, i mbijetoi atentatit vetëm sepse në atë moment po parkonte njërën nga makinat pak më tej. Për Borsellinon ashtu si për Falconen u përgatit një funeral shtetëror, por e veja e tij Agnese refuzoi. Ajo lëshoi akuzoi të forta ndaj qeverisë së kohës, se dështoi qëllimisht ta mbronte bashkëshortin e saj. Ajo kërkoi që asnjë politikan të mos merrte pjesë në funeralin privat, ndërsa mijëra qytetarë të thjeshtë protestuan para prefekturës së Palermos.
Po kush ishte Paolo Borsellino? Lindi në Palermo në vitin 1940, në një familje të shtresës së mesme. Pas përfundimit të gjimnazit, nisi studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Palermos, ku dhe diplomohet në vitin 1962 me rezultate maksimale.
Vitet e para i kalon në prokurori të ndryshme të rajonit të Siçilisë. Në vitin 1975 stacionohet në Palermo dhe nis të punojë përkrah Rocco Chinnici. Një nga gjyqtarët që do të shquhet në luftën mafias, dhe që do të bjerë edhe viktimë e tyre. Pas arrestimeve të para të krerëve të rëndësishëm të Cosa Nostras në vitin 1980, Paolo vihet nën mbrojtjen e rregullt të policisë.
Më 29 korrik 1983, një autobombë vret Rocco Chinnici, 2 truprojat e tij, dhe portierin e një godine aty pranë. Në vend të tij vjen Antonino Caponnetto, dhe nisin të vijnë rezultatet e para. Në vitin 1984 arrestohet Vito Ciancimino, ish-kryebashkiaku demokristian i Palermos.
Po atë vit një nga bosët e Cosa Nostra, Tommaso Buscetta, i arrestuar në Brazil, vendos të pranojë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë (të penduarit), dhe u tregon gjyqtarëve të gjithë strukturën dhe lidhjet politike dhe institucionale të Cosa Nostras.
Mbi dëshminë e tij, Falcone dhe Borsellino do të ndërtojnë të parin proces të madh gjyqësor kundër bandave mafioze. Ndërkohë kundërpërgjigja e këtyre të fundit, bëhet edhe më e egër. Në lojë hyjnë edhe zyrtarë shtetërorë të nivele të larta të implikuar me mafian. Ata nisin të lëvizin, për të shmangur dy gjyqtarët e famshëm nga hetimet e mëtejshme mbi Cosa Nostran. Për këtë qëllim, përhapin thashetheme kundër tyre, sikur po abuzojnë me truprojat, duke vënë kësisoj në rrezik jetë të pafajshmish.
Paolo Borsellino largohet nga Palermo, ndërsa Falcone vendos të pranojë një detyrë të re në Romë, si drejtor i çështjeve penale. Kthehet në vitin 1991 në qytetin e tij të lindjes, i inkurajuar nga premtimi i Falcones për krijimin e një superprokurorie të antimafias. “Superprokuroria” ishte gati të ngrihej, dhe një nga 2 kandidaturat kryesore ishte Falcone.
Ai do të vritet pak ditë më pas. Borsellino shokohet nga vrasja e mikut të tij. Në Romë i ofrojnë kandidaturën e Falcones së ndjerë, por e refuzon. Dëshiron të qëndrojë në Palermo, dhe të japë kontributin e tij për të zbuluar vrasësit e Falcones. Borsellino ishte i vetëdijshëm, se e kishte kryer gjithnjë deri në fund detyrën e tij.
Gjëja e vetme që e shqetësonte vërtet, dhe e fuste në ankth, ishte dëshpërimi që do të binte mbi familjarët e tij. Përpara atentatit kishte shkruar:“Unë nuk jam as hero dhe as kamikaz, jam thjesht një njeri si shumë të tjerë. I trembem fundit, sepse e shoh si një gjë të mistershme, nuk e di se ç’do të ndodhë në botën e përtejme. Por e rëndësishme është që mbi ndjenjat e tjera të fitojë guximi… Po të mos ishte për dhimbjen që më jep largimi nga familja ime, mund edhe të vdisja i qetë”.
Edhe sot, shumë pikëpyeje mbi vrasjen e tij mbeten pa përgjigje. Hetimi është penguar nga dëshmitë e pabesueshme të vetë ish-mafiozëve. Përmes një letre të hapur botuar këtë javë në gazetën “La Reppublica”, vajza e Paolo Borsellinos, Fiammetta parashtroi 13 pyetje në lidhje me vdekjen e babait të saj. Duke përfshirë çështjen e bllokut të tij me shënime, që u zhduk në mënyrë misterioze nga vendngjarja, dhe për faktin se përse mbrojtja policore ndaj tij, nuk u forcua pas vrasjeve të ngjashme.
Pak javë para vrasjes, Borsellino akuzoi edhe biznesmenin e njohur Silvio Berluskonin për lidhje me Cosa Nostran. Në një intervistë dhënë 2 gazetarëve francezë të televizioit “Canal+” më 21 maj 1992. Borsellino tha ndër të tjera se që në fillim të viteve 1970, mafia nisi të kishte interesa të mëdha në sektorin e ndërtimit. Dhe në fakt nisi të operojë vetë si një “kompani ndërtimi”, duke bashkëpunuar me biznesmenë që ushtronin një veprimtari të ligjshme në këtë fushë.
“Është normale që ata që kanë sasi të mëdha parash, të kërkojnë mjete për t’i vënë në lëvizje ato para. Si nga pikëpamja e pastrimit, ashtu edhe shumëfishimit të këtyre parave, kjo ia vlente. Ndaj nuk është çudi që në një pikë të caktuar të historisë së saj, Cosa Nostra, nisi të kontaktojë me këta biznesmenë”- deklaroi Borsellino.
Dy vite më vonë, në vitin 1994 Berlusconi hyri zyrtarisht në politikë. Partia e tij, Forza Italia, fitoi zgjedhjet parlamentare të atij viti, dhe ai u bë kryeministër, për të dhënë dorëheqjen në vitin 1996, pas një skandali korruptiv. Pesë muaj pas vrasjes së Borsellinos, u duk sikur gjërat nisën të ndryshojnë. Rinisën hetimet dhe arrestimet. Më 15 janar 1993, arrestohet kreu i Cosa Nostras, Toto Riina. Por mafia nuk u gjunjëzua:një seri atentatesh mes majit dhe korrikut të po atij viti, u kujtuan italianëve se rruga për mposhtjen e mafias do të jetë e gjatë.
Që atëherë ka kaluar shumë kohë. Mafia ka ndryshuar strategji. Ajo mban sot një profil më të ulët, duke e mbyllur epokën e atentateve të bujshme. Cosa Nostra vijon që të punojë në heshtje, por s’ka dyshim se ende nuk është mundur./ TIRANA TODAY