Koalicioni parazgjedhor PAN ka arritur të sigurojë votat për ndërtimin e Qeverisë së re dhe përzgjedhjen e Ramush Haradinajt Kryeministër.
PDK-AAK-NISMA kanë siguruar votat e mjaftueshme për të formuar Qeverinë menjëherë pasi të certifikohen zgjedhjet dhe të nxirret dekreti nga Presidenti për dekretimin e të mandatuarit, raporton gazeta expres.
“Numrat janë siguruar”, ka thënë një zyrtar i koalicionit PAN pa përmendur nëse mbështetësit e Haradinajt janë nga koalicioni LAA apo Vetëvendosje.
Në zgjedhjet e fundit koalicioni PAN arriti t’i fitojë 39 deputetë derisa Vetëvendosje doli e dyta me 31 deputetë. Ndërkohë, koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka fituar 30 mandate në Parlamentin e ardhshëm.
Bazuar në rezultatet preliminare AAK ka siguruar 10 vende në Parlament, NISMA tetë, ndërsa PDK vetëm 21 apo 16 më pak se në zgjedhjet e fundit.
Ndërkohë, pakicat, përfshirë serbët, boshnjakët, goranët, ashkalinjtë, turqit, kanë 20 vende në Parlament.