Qeveria pritet të prezantojë në shtator një plan të ri masash, që vjen si ndihmë ekonomike ndaj shtresave në nevojë për përballimin e rritjes së çmimeve. Kjo është konfirmuar sot nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në një konferencë për mediat, por pa dhënë detaje të tjera specifike.
“Ne do të vijojmë të kemi një politikë mbështetëse ndaj shtresave në nevojë, që do të ndikojë si në ecurinë e konsumit ashtu dhe në ecurinë e mirëqënies së ekonomisë shqiptare.
Në fund të muajit korrik ne kemi bërë një akt normativ për rishikimin e buxhitit, që parashikon të gjitha ndërhyrjet që qeveria shqiptare do të ndërmarrë me qëllim stimulimin e ekonomisë dhe frenimin e efekteve negative që vijnë në ekonomi nga konjukturat ndërkombëtare.
Këtë paketë të plotë masash do ta bëjmë publike. Paraprakisht mund t’iu them se ajo përfshin ato masa që janë marrë deri tani, dhe reflektimin e vijimësisë që janë marrë, qoftë për mbështetjen e bizneseve, qoftë për mbështetjen e konsumit”, tha ajo.