Këshilli i Ministrave ka marrë disa vendime. Një prej tyre u njoftua para gazetarëve nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Ajo tha se nga 1 tetori do të dyfishohet ndihma ekonomike për familjet me dy fëmijë, ku gratë janë kryefamiljare. Ndërkohë për të gjitha familjet e tjera që përfitojnë ndihmë ekonomike, ajo do të rritet me 10%. Po ashtu është vendosur që të dyfishohet pagesa e ndihmës ekonomike për të moshuarit që janë pa pension pleqërie apo pension social. Qeveria ka vendosur ndër të tjera që të rrisë edhe kompensimin e masës së ndihmës për energjinë elektrike për personat me aftësi të kufizuar.
“Nga data 1 tetor, dyfishojmë masën e pagesës për ndihmën ekonomike për gratë kryefamiljare që kanë dy fëmijë. 5700 gra kryefamiljare që do të përfitojnë dyfishimin e pagesës ekonomike. Për familjet me më shumë, tre fëmijë, rritja do të fillojë nga 1 janari.
Dyfishojmë pagesën e ndihmës ekonomike për të moshuarit që janë pa pension pleqërie, më shumë se 65 vjeç. Janë më shumë se 5300 të moshuar që do të përfitojnë. Mbi 64 mijë familje që do të përfitojnë nga paketa e ndihmës ekonomike. Është një mbështetje që do të vijojë të jepet për një kohë të gjatë.
Pas indeksimimit me 7.5% për mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar, një tjetër vendim është marrë nga qeveria për energjinë elektrike, për personat të cilat kanë status të aftësisë së kufizuar, të cilëve u rritet masa e mbështetje për kompensimin e energjisë elektrike. Ata që e kanë këtë masë mbështetje nga statusi shkon nga 2 mijë lekë të reja në 3 mijë lekë të reja”, tha Manastirliu.