Ditën që Presidenti Vladimir Putin u regjistrua zyrtarisht si kandidat për t’u rizgjedhur, udhëheqësi i opozitës Alexei Navalny bëri thirrje për protesta në të gjithë Rusinë. Ai bëri thirrje që më 28 janar rusët të dalin në protesta për të mbështetur një bojkot të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Sondazhet tregojnë se zoti Putin ka të ngjarë të fitojë një mandat tjetër gjashtë-vjeçar në zgjedhjet e 18 marsit.
Zoti Navalny është ndaluar të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të një dënimi me burg që ai thotë se ishte i fabrikuar. Dënimi i tij është pezulluar.
Ai thotë se zoti Putin, i cili 17 vitet e fundit ka qenë ose president ose kryeministër, ka qenë në pushtet për një kohë tepër të gjatë. Sipas udhëheqësit të opozitës, popullariteti i zotit Putin ka ardhur kryesisht për shkak të mediave shtetërore të njëanshme dhe një sistemi zgjedhor që përjashton kundërshtarët legjitimë.
Zoti Putin, ish-oficer i KGB-së, kandidon në zgjedhje si i pavarur, vendim që disa vëzhgues besojnë se do ta rriste imazhin e tij si udhëheqës kombëtar në vend që të dilte në rolin e një figure politike partiake, shkruan voa.
Aleatët e kanë lavdëruar presidentin Putin për rikthimin e krenarisë kombëtare dhe forcimin e pozitës së Rusisë si udhëheqëse globale me ndërhyrjet ushtarake në Siri dhe Ukrainë.