Vendet skandinave prodhojnë surpriza dhe ngjarje të pazakonta, ndërsa gabimet e kryera kanë shenja pendese nga më të ndryshmet. Të konsideruara si vendet e para në botë për standardin e jetesës, qytetarët dhe politikanët shfaqin ndjenja përgjegjësie dhe qytetarie shumë të larta.
Ministrja norvegjeze e Drejtësisë, Sylvi Listhaug të martën ka dhënë dorëheqje për shkak të një postimi të publikuar në Facebook ku ka shkruar se “Partia opozitare Laburiste është më shumë e interesuar për mbrojtjen e të drejtave të terroristëve se sa të popullit norvegjez”.
Komenti i Listhaug ka prekur plagët ende të freskëta të kombit, i cili ende ruan kujtimet e dhimbshme nga sulmi i korrikut të vitit 2011 nga terroristi i krahut të djathtë Anders Behring Breivik. Ai duke aktruar si një oficer policie, më 22 korrik 2011, arriti në ishullin Utoy, ku po mbahej një kamp veror i të rinjve të Partisë Laburiste.
Në të shtënat e pakontrolluara, ai vrau 69 njerëz, kryesisht të rinj. Dy orë më parë ai aktivizoi “një autobombë” në Oslo, ku la 8 persona të vrarë.
Me partitë opozitare kundër saj, kryeministrja norvegjeze Erna Solberg u përball me mundësinë e prishjes së koalicionit nën udhëheqjen e konservatorëve ose largimin e Listhaug, e cila publikoi postimin në fillim të marsit. Listhaug pas kësaj kërkoi falje dhe fshiu postimin nga Facebook ndërsa sot dha edhe dorëheqje.