Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, është shprehur se arritja e një zgjidhjeje politike për Kosovën, mbetet një nga prioritete kryesore për shtetin serb.
I pranishëm në një konferencë në Baku të Azerbaijan, Daçiç ka ripërsëritur thirrjen e tij ndaj vendeve që kanë njohur tashmë Kosovën, që ta rishqyrtojnë vendimin e tyre.
“Me gjithë veprimet e njëanshme të Prishtinës, Serbia mbetet e angazhuar për të gjetur një zgjidhje kompromisi për çështjen e statusit të Kosovës, që do të sigurojë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm. Ne, në raste të shumta, kemi treguar gatishmëri për të arritur një zgjidhje të tillë”, tha Daçiç.
Duke i shprehur mirënjohjen të gjithë shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Daçiç shtoi se në 2 vitet e fundit, falë argumenteve të Serbisë, 15 shtete kanë tërhequr vendimin për njohjen e këtij shteti.
Ndërkohë, në website-n e ministrisë së Jashtme të Kosovës, figurojnë 116 shtete të cilat thuhet se e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt, 2008.