Krimi në familje ka marrë përmasa të mëdha në vendin tonë. Autoritetet dhe ligjet duket se janë shumë të pafuqishëm për të parandaluar vrasjet makabre. Arsyet shpesh janë shumë banale, por numri në viktima ka qenë shumë i lartë.
Duke marrë shkas nga ngjarja më e fundit e ndodhur në Dibër të Madhe, ku 28-vjeçarja Blerta Pocesta, më datë 27 gusht vrau prindërit Amid dhe Nazmije Pocesta, 55 dhe 53 vjet si dhe motrën e saj të vogël Anila 14-vjeç, po rikujtojmë disa nga krimet në familje që kanë tronditur vendin tonë.
Më 7 qershor 2018: Një krim i rëndë ndodhi në një familje në qytetin e Peshkopisë, ku djali vrau prindërit e tij me armë zjarri automatik. Ngjarja tragjike ndodhi në zonën e ‘Llixhave’, aty ku çifti zotëronte një hotel. 26-vjeçari Qemal Sela ishte kthyer nga Anglia, ku qëndronte prej 7 vitesh, pak orë para se të kryente krimin tronditës, i cili ndodhi brenda hotelit të çiftit Flamur dhe Zeqimete Sela, 56 dhe 50 vjeç, dhe shkak dyshohet çështja e pronësisë së hotelit, pasi djali ka akuzuar prindërit për fshehje të lekëve që ai sillte nga Anglia.
Më 29 qershor 2018: Krimi në familje tronditi qytetin bregdetar të Durrësit, duke shënuar dy viktima. Ali dhe Jenije Nika në atë kohë u qëlluan për vdekje me armë gjahu “Çifte” nga djali i tyre Leo Nika.
Shkak për krimin dyshohet të ketë qenë një debat mes dy prindërve dhe djalit të tyre.
Më 6 korrik: Një 71-vjeçar goditi për vdekje të birin në fshatin Gjuricaj të Durrësit. Xhavit Tema goditi me mjete të forta djalin, Agron Tema 41-vjeç.
Më 10 gusht: Një krim i rëndë tronditi fshatin Selenicë të Vlorës. 24 vjeçari, Ridvan Zykaj, qëlloi për vdekje 8 persona të afër të familjes së tij.
1-Demir Zykaj, 75 vjeç (Vellai i gjyshit të autorit)
2- Ferie Zykaj, 72 vjeçe, (Gruaja e Demirit)
3-Besim Zykaj, 42 vjeç (Djali i demirit)
4-Vasilika Zykaj, (Gruaja e Besimit)
5-Sara Zykaj, 17 vjeçe (Vajza e Besimit)
6-Ledjon Zykaj 9 vjeç (Djali i Besimit)
7-Azem Zykaj (Djali i Demirit)
8-Afërdita Zykaj (Gruaja e Azemit)/TIRANA TODAY/