Nga: Andi Bushati
Lexova me vëmendje shkrimin e Blendi Kajsiut, një prej të shumtëve këto ditët e fundit, që në kënvdvështrimin tim, reket ta paraqesë situatën në Shqipëri shumë më rozë sesa realiteti. Teza e tij kryesore është se Edi Rama nuk ka vendosur në vend një regjim (diktatorial apo autoritar), gjë për të cilën fshikullohet shpesh nga kritikët e tij.
Për faktin se e kam lexuar gjithnjë me kërshëri dhe me respekt Kajsiun, pra duke e konsideruar nga ata të paktë me të cilët edhe kur nuk be dakord mendon se i përkasin racës së atyre, që as nuk i shesin dhe as nuk i tregëtojnë opinionet e tyre, mendoj se ia vlen hapja e një debati për thelbin e qëndrimeve të tij.
Teza kryesore e Kajsiut konsiston në faktin se ne jetojmë në një demokraci me pak difekte anësore, si psh një administratë publike e degraduar, një sistem punësimi jo meritokratik dhe kaq. Por sipas tij, sistemi ku mbretëron Rama nuk mund të krahasohet me regjimin e Putinit apo Erdoganit. Ata, sipas Kajsiut i burgosin gazetarët, kurse këtu studiot e TV dhe gazetave gëlojnë me analistë kundër Ramës. Madje, madje, pretendon ai, qeverisja e Ramës nuk arrin as në nivelet e autoritarizmit të hungarezit Viktor Orban.
Duke qenë një nga ata që mendojnë se Rama ka vendosur një regjim jo ideologjik, por kleptokratik, më bënë përshtypje disa gjëra në qëndrimin e Kajsiut. E para, lidhet me një mision gati të pamundur për të amnistuar Edi Ramën. Dhe këtë e bën përmes dy teknikash të përdorura rëndom në kësi rastesh. E para është duke e parë atë përmes difekteve të kritikëve apo kundërshtarëve të tij. Kjo është një parktikë e njohur e amnistimit të dikujt, pa u prononcuar për atë vetë, por duke u përpjekur të zhvlerësosh qëllimet dhe kauzat e atyre që ka kundër. Po të shohësh edhe në këtë shkrim ( lexoje të plotë poshtë) edhe tek ata të mëparshmit, ai nuk thotë asnjëherë hapur se ç’mendon për Edi Ramën, por mjaftohet duke rrëzuar akuzat, vërejtjet apo kritikat ndaj tij.
Truku i dytë, edhe ky ekstremisht i përdorur në raste të tilla mbrojtjeje me spond, është ai i hedhjes poshtë të koncepteve për të cilat ai që ke vendosur të amnistosh nuk është i akuzuar. Pra, Kajsiu flet për “diktaturën imagjinare Rama” ndërkohë që asnjë njeri serioz nuk e akuzon liderin në fjalë se ka ngritur një sistem diktatorial. Nuk dua të hyj në këtë përballje të destinuar për një publik të gjërë në koncepte teorike, por midis një sistemi autoritar dhe mes një të ndryshmi diktatorial, qëndron një hendek i madh. Rama nuk ka ngritur një diktaturë. Ai ka opozitë, ka edhe ndonjë media kritike, bën sikur bën edhe zgjedhje. Prandaj duke ngatëruar të njomin me të thatin, pra, duke e mbrojtur se nuk është diktator për ta amnistuar edhe si autokrat, është një teknikë e përdorur rëndom, por fatkeqësisht intelektualisht e pandershme.
Por tani, dua të zbres në argumentat konkretë të Kajsiut që janë ato që më bënë edhe më shumë çudi.
Meqë jam njeri që punoj në media po e nis me argumentin se ne nuk jemi në Erdoganizëm apo në Putinizëm, se atje gazetarët burgosen, ndërsa këtu nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë.
Jo nuk është kështu. Madje aspak. Këtu nuk kemi ende gazetarë të burgosur, por ama kemi emisione investigative të mbyllura, ose kur kanë hetuar për krimet që kanë përfunduar me vrasje për faj të Bashkisë së Tiranës, ose kur kanë investiguar për skandalin e tenderave me dokumenta amerikane fallco, si ai i unazës së re. Rezultat i kësaj janë gazetarë që kanë marë strehim politik në vende perendimore, spastrimi i gjithë kolëgëve kritikë nga drejtimi i redaksive të mëdha televizive dhe heshtje ulëritëse e gjithë emetuesve në valë publike për secilin nga skandalet e pushtetit. Pra pranga nuk kemi ende, por fatkeqësia është se mungon liria për të thënë të vërtetën. Jo liria për të shprehur opinione në studio me tema të paracaktuara, ku shpesh edhe personalisht më duket vetja si një lolo që bën amnistimin e regjimit, por liria për të investiguar me fakte, prova dhe në mënyrë të thelluar koncesionet, tenderat apo mëkatet e regjimit.
Le të marrim një shembull.
Çfarë nuk është thënë mbarë e prap për prishjen barbare të Teatrit Kombëtar, por le të më gjejë ndokush, një emision televiziv, një të vetëm, ku janë renditur një nga një të gjitha shkeljet e ligjit, të gjitha gënjeshtrat e pushtetit, të gjitha manipulimet e qeverisë dhe bashkisë të grupuara sëbashku. Me përjashtim të ndonjë shkrimi investigativ të BIRN, Lapsi.AL apo ndonjë portali tjetër, në “mediat e mëdha”, të atyre të atyre që financohen me para okulte dhe përdorin pasurinë publike të liçensave televizive kombëtare, vetëm heshtje. Kjo ka bërë që vendi të degradojë për vit në raportet ndërkombëtare për lirinë e mediave. Kjo ka bërë që BE, Komisioni i Venecias, OSBE-ja të godasin projekt ligjin represiv për portalet online që mëton të mbyllë edhe atë pak hapsirë relative për informimin e lirë të shqiptarëve.
Po e njëjta gjë është edhe me një tjetër pushtet të pavarur, atë të drejtësisë, ku pandëshkueshmëria e pushtetarëve ka arritur kulme të papara me një paçavure që na u servir si shpëtim, reformën në drejtësi. Unë pata “privilegjin” që të ndeshem vetë me organet e kësaj drejtësie të re, kur botova skandalin e vjedhjes të të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve ( a e imagjinon Kajsiu se kjo mund të ndodhe në një vend minimalisht demokratik), për interesat elektorale të partisë në pushtet. E pashë se sa të tredhur për të hetuar krimin ishin ata njerëz, sa i trembeshin trysnisë së partisë shtet. Njësoj si unë e kanë parë edhe ata që kanë pritur të hetohen vjedhja e votës në Durës dhe Dibër, që e kanë dëgjuar me zë dhe me figurë, jo vetëm shqiptarët por edhe publiku ndërkombëtar përmes BILD-it. Shpresa të ngjashme kanë pasur edhe ata që kanë pritur të gjejnë të vërtetën për koncesionet skandaloze në shëndetësi, për kullat e Tiranës që sipas një morie raportesh ndërkombëtare, po lartësohen me paratë e drogës, për aferën skandaloze të inceneratorëve, që kanë bërë padi edhe PD edhe LSI-a, por edhe aktorë të pavarur e të pa lidhur me opozitën e vjetër si Nisma Thurrje.
E pra, unë e kam të pamundur të mos flas për regjim, në një vend, ku jo liria për të bërë lojën me hidh e prit në studio televizive, por liria thelbësore e publikut për tu informuar është e cencuruar. Unë e kam gjithashtu të pamundur të mos shikoj të njëjtën gjë edhe kur ndeshem me asfiksimin e një pushteti tjetër, atij të drejtësisë, i cili ka tashmë të instaluar pandëshkueshmërinë ndaj pushtetarëve të laratë të provuar si manipulues të zgjedhësve, si grabitës të pasurisë shtetërore, si aleatë të krimit të orgnizuar në ndërtimin e Tiranës.
Besoj edhe kaq do të qe e mjaftueshme për të argumentuar temën e një regjimi aspak demokratik. Pastaj, po ti shtosh këtyre mungesën gjashtëvjeçare të një gjykate kushtetuese që do duhej të kontrollonte devijimet e qeverisjes, mbretërimin në të tërë pushtetin lokal të një partie të vetme, politizimin e skajshëm të policisë, parlamentin qesharak e të gjymtuar që me vendimet e tij ndikoi drejtpërdrejt në zgjedhje, madje dhe komitetin teknik të ekspertëve Anti Covid, që nuk la rast pa shërbyer si mashë politike, panorama bëhet më e plotë.
Pra thënë shkurt, një regjim ku udhëheqësit politikë nuk i nënshtrohen kontrollit nga pushtete e tjera, qoftë ai legjistlativ, qoftë ai i drejtësisë, apo qoftë ai mediatik, nuk është tjetër veçse autokratik.
Për të justifikuar të gjithë këtë devijim ulëritës, Kajsiu duket se përdor një piruetë sa sipërfaqësore aq edhe thjeshtëzuese. Argumentin se mungesa e besueshmërisë të partive të vjetra qeverisëse dhe defiçiti i tyre për të bindur elektoratin dhe për të fituar me votë, ka pjellë fabulën imagjinare të ekzistencës së regjimit.
E vetmja pikë ku unë bie dakord me të, është këndvështrimi që ai ka për PD-në dhe LSI dhe për paaftësinë e tyre për të krijuar një konsensus të vërtetë popullor. Por këto mëkate asesi nuk mund të na shërbejnë për të fshehur patologjinë antidemokratike të Ramës dhe përçudnimin që ai i bëri zgjedhjeve të 25 prillit. Krimet e blerjes së votës, përdorimi skandaloz i parave të buxhetit, ndihmës sociale, fondeve të rindërtimit dhe atyre bashkive, fshehja e provave të krimit nga shefi i përgjithshëm i policisë, nga SPAK dhe prokurorët lokalë, nuk kanë lidhje me të shkuarën e dyshimtë të partive të opozitës. Eshtë logjikë tipike e regjimeve të pretendojnë se rivalët që nuk janë konform me metrin e tyre moral, nuk meritojnë trajtim të barabartë dhe rregulla të njëjta loje. Pra problemi i shkeljeve të pandëshkura të ligjit dhe kodit zgjedhor nga Rama, nuk ka të bëjë aspak me mëkatet e opozitës. Ai u krye pavarësisht prej tyre. Dhe nëse do një provë për këtë, nëse dëshiron të shikojë vërtet se si u soll regjimi në këto zgjedhje, Blendi Kajsiu le ti mbyllë veshët për akuzat e minorancës të ardhshme parlamentare, por le të pyesë miqtë e përbashkët të Vetëvendosjes. Unë vetë nuk besoj se idhtarët e Albinit janë të ndikuar në optikën e tyre nga berishistët dhe metistët. Ata, si të tjerët, ishin dëshmitarë realë të kasaphanës që ndodhi.
Ajo qe vepër e një regjimi që nuk e pranon as garën dhe as konkurencën e ndershme. Tani i mbetet Blendi Kajsiut të thotë nëse PD-së, që dikur e ka pasur vetë vesin e vjedhjes së votës dhe LSI-së, që e ka ngritur në art klientelizimin e saj, u takonte të kishin rregulla të njëjta loje me rivalët e tyre të ngjashëm. Unë me gjithë rezervat që kam për të tëra këto palë mendoj se po. Nuk besoj se Kajsiu do të thotë të kundërtën. Sepse pastaj po do të pranonte autoritarizmin e Ramës.