Nga: Myslim Pashaj
Njëmbëdhjetë vjet më parë, si ky shtator, Sali Berisha kalonte truprojen e nderit me një krenari triumfuese përulëse në krahë të kryeministrit të Greqisë, me rastin e paktit detar të arrirë midis të dy shteteve.
Shteti fqinj arrinte të vinte dhe të zgjerohej në detin Territorial të Kanalit të Korfuzit, dhe Ngushticës së Otrantos kurse Shqipërisë i pushtohej deti, në Kanalin e Korfuzit, dhe Greqia realizonte objektivët e tij strategjikë.
Hartën e pushtimit të detit e kishin bërë vet shqiptarët, në një marrëveshje po kaq të pashëmbullt në shpërfillje të interesave shqiptare. Ky ishte një rast i jashtëzakonshëm, sigurisht, që ne nuk do t’ia donim t’i ndodhte kryeministrit tonë!
Njëmbëdhjetë vjetë më parë, si ky shtator, ju ndiqnit ballafaqimin në studio të Blendi Fevziut, se si zihej Shqipëria me veten e saj, kur dy ushtarakë të lartë gati vriteshin njëri me tjetrin, për të vërtetën e ndarjes së detit.
Sërish e njëjta studio dhe po i njëjti Fevzi që pyet për marrëveshjen e Delimitimit dhe Berisha akoma në transhenë e tij sulmon oponencën teknikoligjore ndaj atij pakti të rrëzuar.
Në përsëritje të vetvetes, me po të njëtat argumente, si njëmbëdhjetë vjet më parë, kërkon që ta ngrejë nga varri marrëveshjen e përmbysuar, si rrallë mund ta bëjë ndonjë kryeministër në botë.
Ata që e kanë ndjekur deklaratën dhe kanë mundësi të lexojnë këtë reagim le të mundohen të qasen me çeshtjen sipas gjykimit të tyre.
“Ai (është fjala për kolonel Pashaj) ka spostuar linjën bazë të koordinatave, 90 km në territorin e Shqipërisë dhe ka ndryshuar territorin shqiptar, para Gjykatës (është fjala për Gjykatën Kushtetuse të Shqipërisë) nga 38 në 22 km…”, tha Berisha.
Tani le të përpiqemi që ta përkthejmë. “Termi, linjat bazë të koordinatave, nuk ka lidhje fare me termat e hartës së delimitimit në fjalë.
Spostimi në 90 km në territorin shqiptar duhet shpjeguar dhe kuptuar sipas sistemit koordinativ që ai e ka në mendjen e tij.
Kohëhapësira është qëllimisht e çorientuar nga ai si një manipulim i pastër. Tani le të na ndjekin lexuesit.
Nga pika treshe, të të tre shtetve, Itali, Greqi, Shqipëri, rrezja prej 90 km do të na nxirrte deri në Levan të Fierit!
Nëse rrezja e rrethit prej 90 km do ta drejtonim për kah jugu, kapërxehet Korfuzi dhe dalim ne gjirin e Kërkyrës.
Për cilin spostim është falsifikuar kur dilet jashtë hapësirës ku shtrihet harta e ndarjes detare?
Ku është harta e fallsifikatorit të përfytyruar nga Berisha, e radhitur brenda dokumenteve të Gjykatës Kushtetuese?
Kjo sipas Berishës është deklaruar në Gjykatën Kushtetuese.
Aty qënka ndryshuar territori shqiptar, në një shifër tjetër nga 38 km në 22 km!
Nuk dihet se ç’presupozojnë këto largësi!? Për cilën hapësirë bëhet fjalë!?
Asnjë falsifikim nuk mund të bëhet dot në një dokument zyrtar shtetëror si Marrëveshja e Delimitimit, e cila ka vetëm një listë koordinatash dhe një hartë dixhitale të firmosur nga grupi negociator.
Si mund të ndërhysh e të vesh të dhëna të ndryshuara! Kush mund ta japë këtë tagër!?”
Ky është një qendrim trillues, i qëllimshëm dhe manipulues, ku Berisha është munduar të mbështetet, për të hedhur poshtë çdo qasje shkencore, teknike dhe ligjore që ka zotëruar Gjykata Kushtetuese me thellimin, analizën, dhe ekspertizën më të përgjegjshme të saj.
Në gjykimin kushtetues, nuk është lejuar asnjë ndërhyrje nga oponenca, veçse diskutime e rrahje mendimesh të kundërta për të arrirë në rezultatin e duhur.
Gjithçka tjetër që thuhet është trillim dhe shpifje e paskrupullt.
Dhe ju(Berisha) i vësuleni një koloneli shqiptar, në përfytyrimin se ai “ka falsifikuar një hartë, ka zëvendësuar kilometra…etj” dhe nuk mund t’i dëshmosh asnjë grimë dot se ku mund të jenë futur ato sipërfaqe dhe gjatësi dhe nẻ cilin dokument ndodhen.
Për gjithçka që e kemi trajtuar më sipër do të ballafaqohemi në Gjykatë, sa më shpejtë të jetë e mundur.
Atëherë kush është sharlatani, kush është trilluesi dhe gënjeshtari?
Ishte data 27.04.2009. A nuk iu kujtohet njëmbëdhjetë vjet më parë kur dhatë intervistë në “Zëri Amerikës”, më quajte “sharlatan, kryesharlatan!”
Kjo, sigurisht është një sharje dhe fyerje e rëndë. Edhe pse jemi pjesë e së njëjtës bashkësi, një det i tërë na ndan!
Ti shëmbëllim i energjisë diabolike që s’të shter. Unë ndodhem në transhenë time të hershme, gjithnjë roje në hartografinë e kufijve historikẻ
U vertetua se ishte bërë një pakt pa tejdukshmëri, pa plotfuqi, pa studim shumëpërmasor, pa profesionalizëm; pa njohje cilësore të Ligjit të Detit, gjer sa ishte pranuar “Metoda e Baraslargësisë” dhe ishte shmangur “Equitable Solution” për kushtet gjeografike të ndryshme, të ishujve dhe cekinave shkëmbore në vijën bregore të Korfuzit.
Regjisori, komediani dhe sharlatani jeni ju!
Sapo i gjetëm asaj stine, hartën e shtetit fqinj, ku ishte shtrirë deti ynë i prerë, dhe ju moret kompasin nga duart e Komandës së Forcave Detare dhe fillluat të matni e të shpjegoni humbjen.
Dhe a e di se ky ekip nuk ka pranuar të bëjë Testin e Përpjestueshmërisë: sa sipërfaqe detare ka marrë secili vend në përkim me gjatësitë e vijave bregore të Dheut Kontinental të Shqipërisë dhe gjatësisë së vijës bregore ishullore të Arkipelagut të Korfuzit.
Shqipëria ka marrë në çdo km gjatësi vije bregore, 10,2 km2 det.
Greqia ka marrë në çdo km gjatësi vije bregore, 17,9 km2..
Kjo ishte padrejtësia më e madhe, që shqiptarët, pra ju, e vetëfirmosnin.
Atëherë, kush është pra sharlatani!?
Mediumet shqiptare kanë bërë veprën më të lartë në përgatitjen e opinionit dhe qartësimin e tij.
Ndjeshmëria e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila kishte numra politikë të varur prej teje.
Mirëpo, ajo nuk të pyeti ju dhe votoi 9:0 dhe e hodhi poshtë.
Në Gjykatën Kushtetuese pamë memecllëkun dhe lidhjen politike të ekipit tuaj, që s’përmendi kurrë se ç’kishte ndodhur me Barketën, me Gjirin e Sarandës, se si iu ishte dhënë Det Territorial: shkëmborit Serpa, ishujve Tignosso (Peristeri), Erikussa, Othonoi, kundruall vijës zotëruese të Dheut Kontinental të Shqipërisë.
Dhe aty u ndje deklarata e padëgjuar më parë: “Greqia ka marrë det më shumë sepse ka edhe flotë detare më të madhe!”
Atëherë kush është kryesharlatani?
Sot e kësaj dite ju ulërini dhe shkrofëtin si nga tribuja duke iu kanosur Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë e cila kishte ekspertizën më të lartë të së Drejtës Detare Ndërkombëtare dhe të studiuesëve të shumtë, çka e gjeti përkimin e saj në një vendim me cilësi profesionale shëmbullore.
Akoma këlthasin e pyesin: “Ku janë 354 km2 ?” ashtu sikundër edhe Fevziu i Opinionit.
Ne kemi qenë tẻ hapur, tẻ drejpërdrejtë në argumente, në shkrimet dhe librin tim të publikuar “ Deti që nuk falet. Të fshehtat e paktit Detar Greqi – Shqipëri” qysh pas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me mbi 150 artikuj të publikuar në mediume të ndryshme. Ja kjo është vepra ime për qytetarët shqiptarë.
Atëherë kush është kryesharlatani!?
Ju mashtroni dhe gënjeni se kompania e huaj ligjore “Deëey & LeBoeuf LLP”, paska vënë në dukje për marrëveshjen se ka qenë “proper agreement” çka nuk është e vërtetë.
Kurse ajo është shprehur që “Nuk mund të ketë marrëveshje më të keqe se sa kjo, ku Shqipëria ka humbur!”
Shkoni në arkivin e Ministrisë së Jashtme dhe do ta gjeni!
Kush është pra, kryesharlatani?
Tani që po përgatiten për të rinegociuar ju po i kapërxeni përfytyrimet.
Akuzon se po shitet deti… se po bëhen pazare… ulërini se do të shtrihen në Hapësirat Ekonomike Ekskluzive ku ka naftë dhe aty veç mbi trupin tënd do të kalojnë…shtrihesh në atë pjesë të cilën e ke dhënë në marrëveshjen tënde…
Dhe flet pastaj për “3 milje, 6 milje , 12 milje…flet për Italinë e Greqinë” dhe vetëm gënjen e mashtron opinionin shqiptar me të pavërteta marramendëse.
Ndërkaq deklaroni pas njëmbëdhjetë viteve se marrëveshja e parë është më e mira e mundshme kur është vertetuar se “pushtimi i detit” është bërë nga përdorimi i skajshëm i metodës së Baraslargësisë dhe vijës së mesme, duke lënë mënjanë parimin e “Equtable Solution”, që rekomadohet në Conventën e Monego Bay në vitin e largët 1982.
Atëherë kush është sharlatani?
*Reagim shkruajtur për gazetën TemA