Në La Liga kanë ndodhur disa ndryshime këtë sezon të cilat kanë lënë të pakënaqur futbollistët dhe tifozët. Njëri ndër ta ishte zhvillimi i një ndeshje në orën 22:30, të cilin Toni Kross e ironizoi duke thënë se në atë orë do të ishte në gjumë.
Ndërsa vendimi tjetër i marrë pas një takimi me presidentët e klubeve ishte që një ndeshje të zhvillohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që ka hasur kundërshtim të madh nga futbollistët. Nëpërmjet presidentit të Shoqatës së Futbollistëve Spanjollë, David Aganzo, lojtarët kanë kërcënuar se do t’i përshkallëzojnë veprimet deri në grevë në rast se vijohet në këtë rrugë, pa marrë opinionin e tyre.
“Nuk mund të lejojmë vendime të njëanshme. Shohim se ka mungesë respekti që La Liga nuk përfshin futbollistët në këtë vendimmarrje, që ndikon drejtpërdrejt tek ata,” – deklaroi Aganzo pas një takimi që pati me kapitenët e disa skuadrave, mes të cilëve ishin edhe Sergio Ramos, Sergio Busquets, Koke, Joaquín, Bruno Soriano e Asier Illarramendi. Ai deklaroi gjithashtu se “futbollistët nuk janë në shitje, mendojmë për tifozët, shëndetin dhe shumë gjëra të tjera.”