Pasojat e shumta që po sjell pandemia e koronavirusit, kanë bërë që Irani të lirojë më shumë se 1 mijë shtetas të huaj nga burgjet.
Raportohet se të burgosurit janë liruar në disa faza, që nga muaji mars. Mes tyre ka qenë dhe gruaja britaniko-iraniane, Nazanin Zaghari-Ratcliffe, e arrestuar më 2016, e cila është dënuar me pesë vjet burgim për rebelim.
“Çfarë ka bërë Irani është se po garanton shëndetin e të burgosurve dhe dhënia e lejes për liri është një veprim i rëndësishëm”, tha zëdhënësi i gjyqësorit, Gholamhossein Esmaili.
Javën e kaluar, ekspertët e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut i kanë bërë thirrje Iranit, për të zgjatur listën e të burgosurve që duhen të lirohen përkohësisht.
Brenda 24 orëve të fundit në Iran janë shënuar 88 viktima. Irani është një nga 10 vendet më të prekura nga koronavirusi në botë. Ai renditet i teti për numrin më të madh të personave të infektuar (84,802), pas SHBA-ve, Italisë, Spanjës, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Turqisë.
Ndërsa renditet i shtati për numrin më të madh të viktimave, pas SHBA-ve, Italisë, Spanjës, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Belgjikës.